
VCG
"Ata janë gënjeshtarë që mendojnë se janë qeveria e botës," u përgjigj me zemërim presidenti i Meksikës Andres Manuel Lopez Obrador të martën për raportin mbi të drejtat e njeriut në Meksikë të publikuar nga ShBA-ja. Ai i tha këto fjalë para takimit me të dërguarin e presidentit amerikan për problemin e klimës John Kerry.
Sipas medies, qeveria amerikane publikoi të martën një raport, ku thuhet që, sipas provave "të besueshme", autoritetet meksikane dyshohen për vrasjen e paligjshme të civilëve, përdorimin e torturës, zhdukjet e detyruara dhe veprime të tjera jonjerëzore. Në raport akuzohet qeveria e Meksikës për korrupsion, krime dhe shkallë të ulët të ndëshkimit të kriminalitetit.
Kur u pyet për këto akuza, Lopezi i hodhi poshtë ato, duke thënë: "Këto nuk janë të vërteta, ata janë gënjeshtarë!" Ai u shpreh se me këtë raport nuk ia vlen të zemërohesh, sepse amerikanët të tillë janë dhe e konsiderojnë veten si qeveria e botës.
Javët e fundit, në veri të Meksikës kanë ndodhur raste të rrëmbimit të amerikanëve dhe ShBA-ja ka bërë kritika të shpeshta për problemin e sigurisë në Meksikë, duke përkeqësuar marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve.
Më 3 mars, katër amerikanë u rrëmbyen nga persona të paidentifikuar të armatosur. Dy prej tyre humbën jetën dhe dy të tjerë janë kthyer në atdhe. Sipas hetimeve të palës amerikane, kjo mund të jetë një ngjarje "rrëmbimi të gabuar". Një kartel droge meksikan i mendoi gabimisht këta katër persona si trafikantë droge.
Kjo ngjarje tërhoqi vëmendje të madhe në të dy vendet. Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëroi kundër bërjes së turizmit në 6 provinca të Meksikës.
Më 8 mars, Lopez i kritikoi politikanët dhe mediet amerikane si "hipokrite" dhe "sensacionale". Më 13 mars, ai tha se lulëzimi i sektorit të turizmit në Meksikë tregon se ky vend është "më i sigurt se ShBA-ja".(Xu Guang)
