Gjermania kërkon rishikimin e marrëveshjes për heqjen e makinave me motorë me djegie
2023-03-23 10:04:28

Foto nga VCG

Gjermania po kërkon një zgjidhje të shpejtë të konfliktit brenda Bashkimit Europian për heqjen graduale të makinave të reja me motorë me djegie deri në vitin 2035. Ministrja gjermane për Europën, Anna Lührmann, tha në Bruksel se çështja do të zgjidhet përpara samitit të BE-së, citon “ATSH”.

“Gjermania do të insistojë për një përjashtim të makinave dhe furgonëve që punojnë me karburante neutrale ndaj karbonit”,- tha ministri gjerman i Transportit, Volker Wissing.

“Ne kemi nevojë për e-karburantet (lëndë djegëse në formë gazi ose të lëngshme që prodhohen nga energjia e rinovueshme), sepse nuk ka asnjë mënyrë alternative për të drejtuar flotën tonë ekzistuese në një mënyrë neutrale ndaj klimës”,- tha ai për transmetuesin publik gjerman “ARD”.

Parlamenti Europian dhe vendet anëtare ranë dakord për ndalimin e shitjeve të makinave të reja me motorë me djegie deri në vitin 2035, por një takim i planifikuar në fillim të këtij muaji për një konfirmim të marrëveshjes u shty si rezultat i kundërshtimit të qeverisë gjermane.

Të martën, Lührmann, një anëtare e të Gjelbërve të Gjermanisë, theksoi se marrëveshja e arritur pas dyerve të mbyllura midis përfaqësuesve të Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, që përfaqësojnë shtetet anëtare, dhe Komisionit Europian do të qëndrojë në fuqi.

Si FDP-ja ashtu edhe Të Gjelbrit janë pjesë e koalicionit qeverisës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Qeveria gjermane po zhvillon bisedime me komisionin për mënyrat se si do të zbatohet instrumenti ligjor përkatës. (Elona)