Vizioni i Kinës për bashkësinë ndërkombëtare
2023-03-23 14:31:13

Në fillim të vitit 2013, Kina paraqiti konceptin e ndërtimit të “Komunitetit me fate të përbashkëta për njerëzimin” si një zotim për rolin e saj në botë, një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës. Bazuar në një vlerësim të matur të tendencave globale dhe duke marrë frymëzim nga urtësia tradicionale kineze, ky koncept përfaqëson vizionin e Kinës për një botë më të drejtë, më të sigurt dhe më të begatë. Një botë në të cilën Kina e sheh veten si një ndërtuese e zellshme e paqes botërore, kontribuuese e rëndësishme në zhvillimin global dhe një mbrojtëse e vendosur e rendit ndërkombëtar.

Xinhua

Por, “komuniteti i së ardhmes së përbashkët për njerëzimin” është më shumë se një doktrinë e re e politikës së jashtme të Kinës, ai është kodifikuar si një pjesë integrale e mendimit të Presidentit Xi Jinping mbi socializmin me karakteristika kineze për epokën e re. Për më tepër, pasqyron një analizë intelektuale koherente prej lidershipit kinez mbi çështjet globale dhe përfaqëson përpjekjen e Kinës për t'iu përgjigjur pyetjes më themelore se ku po shkon njerëzimi në kohët e ndërvarësisë më të madhe ekonomike dhe divergjencave politike në rritje. Dhe një tjetër aspekt që tregon rëndësinë politike të tij është se ky koncept është inkorporuar si në Kushtetutën e Kinës, ashtu edhe në atë të PKK-së.

Angazhimi i Kinës për të punuar me pjesën tjetër të botës, drejt këtij komuniteti të së ardhmes së përbashkët ripohon politikën e saj të jashtme afatgjatë për paqe dhe prosperitet, dhe ky vizion kinez nuk është një skemë gjeopolitike për të gdhendur sfera influence, por përfaqëson ndjekjen e aspiratave të shumë popujve në botë për bashkëpunim dhe jo vartësi.

VCG

Krijimi i një komuniteti të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin buron nga kultura tradicionale kineze dhe filozofia e saj disa-shekullore e harmonisë dhe unitetit. Presidenti Xi këtë vizion të Kinës e përshkroi me pesë drejtime “politike, sigurie, ekonomike, kulturore dhe ekologjike” në raportin e punës në Kongresin e 19-të Kombëtar të PKK-së. Atje ai bëri thirrje për krijimin e “komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, ... që është i hapur, gjithëpërfshirës, për një botë të pastër dhe të bukur që gëzon paqe të qëndrueshme, siguri universale dhe prosperitet të përbashkët.” Ajo që Kina mbron në dimensionin gjeopolitik është një botë sovrane e orientuar në barazi, ku mosmarrëveshjet zgjidhen përmes dialogut dhe paqja ndërtohet mbi partneritete në vend që të zbatohet përmes aleancave ushtarake apo forcës politike.

Koncepti i rëndësishëm i ndërtimit të këtij komuniteti jo vetëm që ofron një zgjidhje kineze për sfidat kryesore me të cilat përballet bota sot, por gjithashtu tregon drejtimin e duhur në të cilin komuniteti njerëzor të ecë, një komunitet ku nuk ka rëndësi nëse një vend është i vogël ose i madh, i fuqishëm ose jo, i zhvilluar ose në zhvillim. Ky vizion ofron edhe një perspektivë të ndryshme për modernizimin, hap rrugë të reja për vendet në zhvillim dhe ofron një qasje kineze për të ndërtuar një strukturë më humane dhe ndërkombëtare, pasi bazohet në një kuptim më të thellë të kohërave dhe historisë.

VCG

VCG

Por, çfarë do të thotë në praktikë kjo qasje kineze në skenën ndërkombëtare? – Shumë shpesh dëgjohet nga politikëbërësit kinezë shprehja “konsultime të gjera, kontribut të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta”.  Kina po u drejtohet vendeve të tjera duke thënë se së bashku ndërtojmë rregullat e lojës, së bashku punojmë dhe po bashkë ndajmë frytet e bashkëpunimit. Dhe kjo nuk ka ngelur vetëm në fjalë por është materializuar në vepra. Më së miri mund të vërehet në iniciativat e ndryshme që Kina ka nisur dhe po nis globalisht. Gjatë viteve, Kina ka ngritur disa platforma aktive të multilateralizmit, të cilat kanë nxitur ndërveprim të intensifikuar midis institucioneve, qytetarëve dhe qeverive. Për shembull, Iniciativa Brez dhe Rrugë (BRI) është tashmë me një dekadë jetë dhe është bërë një motor i fuqishëm i rritjes dhe përmirësimit të infrastrukturës duke u shërbyer vendeve që janë pjesë e saj për të arritur zhvillim të mëtejshëm. Megjithatë, ka edhe më shumë se kaq. Dy nisma të tjera të shpallura nga Kina duket se u përgjigjen në mënyrë të përsosur nevojave të kohës sonë. Iniciativa për Zhvillim Global (GDI) ku çrrënjosja e varfërisë është një nga fushat kryesore të fokusit dhe prioritetit. Për këtë qëllim, Kina ka punuar me palë të ndryshme në mbarë botën për të ndërtuar rrjete bashkëpunimi në bujqësi, arsim, luftë kundër pandemisë, ndryshimet klimatike, etj. Dhe një tjetër nismë që përmbledh angazhimin e Kinës për një arkitekturë të balancuar të sigurisë përmes Iniciativës së Sigurisë Globale (GSI), e cila është një premtim për vizionin e sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese.

VCG

Në një komunitet të së ardhmes së përbashkët parashikohet gjithashtu si një botë e globalizuar e paqes së qëndrueshme dhe universale, ku konceptet e reja të sigurisë mbizotërojnë mbi mentalitetin e Luftës së Ftohtë. Në një botë të tillë, bashkëpunimi ndërkombëtar në sektorin ekonomik dhe publik forcohet si një përpjekje shtesë për të adresuar sfidat tradicionale dhe jotradicionale të sigurisë.

Gjatë shekujve të kaluar, një sërë normash të pranuara botërisht janë vendosur si parime bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, për shembull, barazia sovrane e sanksionuar në Paqen e Westfalisë, humanitarizmi ndërkombëtar i afirmuar në Konventën e Gjenevës, katër qëllimet dhe shtatë parimet e kodifikuara në Kartën  e Kombeve të Bashkuara dhe Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore të mbështetura nga Konferenca e Bandung-ut, të gjitha duhet të shërbejë si bazë e bashkësisë së të ardhmes së përbashkët për njerëzimin. Si një vend socialist i përgjegjshëm, Kina mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një rendi ndërkombëtar më të drejtë dhe bazuar në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së. Me vizionin e komunitetit të përbashkët Kina ofron një tjetër alternativë bashkëpunimi dhe aksioni.

VCG

Në një raport të PKK-së thuhet se “bota jonë është plot shpresë dhe sfida. Ne nuk duhet të heqim dorë nga ëndrrat tona sepse realiteti rreth nesh është shumë i ndërlikuar; ne nuk duhet të ndalojmë së ndjekuri idealet tona sepse ato na duken të paarritshme. Asnjë vend nuk mund të trajtojë i vetëm sfidat e shumta me të cilat përballet njerëzimi; asnjë vend nuk mund të përballojë të tërhiqet në izolim.” Këto fjalë tregojnë faktin se një komunitet i tillë është njëkohësisht ëndrra dhe vizioni i Kinës dhe një domosdoshmëri për vendet që të bashkojnë forcat për t'iu kundërvënë sfidave të ndryshme me të cilat përballet njerëzimi. Sado komplekse të jenë sfidat, Kina nuk do të dorëzohet.

Së fundmi, një komunitet me një të ardhme të përbashkët për të gjithë njerëzimin është në përputhje me atë që shumica e kombeve dëshirojnë. Një e ardhme e përbashkët duhet të ndërtohet mbi prosperitetin e përbashkët dhe bashkëpunim të favorshëm që sjell zhvillim, dhe zhvillimi ka kuptim vetëm kur është gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm. Përballë sfidave, bota mund të gjejë frymëzim dhe një rrugë të qëndrueshme për përparim nga propozimet dhe zgjidhjet e Kinës.

Komuniteti i së ardhmes së përbashkët për njerëzimin pasqyron kuptimin e Kinës për themelet sociale të së drejtës ndërkombëtare dhe prezanton kulturën tradicionale kineze në qeverisjen globale. Sa më herët dhe më mirë të kuptohet kjo qasje e Kinës, aq më kthjellët dhe objektivisht do të vlerësohet angazhimi dhe diskursi i saj në nivel ndërkombëtar.

Dr. Marsela Musabelliu

VCG