Shqipëria kremton Sulltan Novruzi, festën më të rëndësishme të bektashinjve
2023-03-23 10:28:31

Foto nga RTSH

Besimtarët bektashianë shqiptarë kremtuan Ditën e Sulltan Novruzit. Sipas sektit bektashian kjo ditë shënon fillimin e vitit të ri dhe përkon me ditëlindjen e imam Aliut në Qabe.   

Në botën Aleviane kjo ditë shënohet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë, shkruan “RTSH”.  

 Në këtë ditë të shënuar për besimin bektashinj nuk kanë munguar urimet nga politika shqiptare.

Kryeministri Edi Rama e cilëson si një ditë të bekuar që çel zemrat e njerëzve njësoj si pranvera.

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa uroi besimtarët, tha se kjo festë njihet si dita e fisnikërisë dhe e ringjalljes së madhe.

Në Shqipëri, Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.  

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj haxhi Bektash Beliu. Në vitin 1924, selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë.  

Në Shqipëri, sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.   Pavarësisht se është një festë fetare e besimit mysliman, Sulltan Novruzi festohet edhe nga qytetarë të besimeve të tjera fetare.  (Elona)