Luan Memaj: Topografi shqiptar i sukseshëm edhe në Londër
2023-03-23 14:29:10


Luan Memaj

Të rinjtë shqiptarë të sukseshëm kanë guximin e duhur për të çuar përpara ëndrrat e tyre. I tillë është edhe Luan Memaj me origjinë nga Malësia e Madhe. Luani ka lindur në Itali dhe pas disa vitesh vendos të shkojë në Londër për studime të mëtejshme. Pas një sërë sfidash gjatë rrugëtimit në studime, ai u diplomua si topograf. Këtë profesion ai e ushtron edhe sot dhe dëshiron që në të ardhmen ta ushtrojë në Shqipëri.

CMG: A do të riktheheni një ditë në Shqipëri për të ushtruar profesionin tuaj?

Luan Memaj: Me thënë të drejtën, unë e kam ëndërr që një ditë të kthehem në Shqipëri dhe të bëj atje punën time. Ndoshta diçka e tillë do të ndodhë në të ardhmen, kur të kem më shumë  eksperiencë. Për mua mjaft mbështetëse ka qënë familja. Ata më kanë thënë se nuk është e vetmja zgjidhje të bësh para në rrugë të shpejtë. Nuk kam dashur kurrë të hyj në punët e këqija. Në Angli është e thjeshtë të nisësh studimet, sepse këtu i jepet mundësia kujtdo. Studimet i kam filluar në Itali sepse jam lindur dhe rritur atje  dhe më pas i kam vijuar këtu. Kam përfunduar studimet për topografi dhe shkenca gjeometrike në një universitet të njohur, në veri të Londrës. Këtu të japin mundësi që të bësh edhe eksperiencë gjatë kohës që studion.

CMG: Cilat janë disa prej vështirësve që keni hasur?

Luan Memaj: Më shumë se çdo gjë tjetër, në fillim e kam pasur të vështirë me gjuhën. Unë kisha studiuar gjuhën angleze në Itali, por është e ndryshme ajo që mësohet në libra dhe e folura në jetën e përditshme. Vështirësi tjetër është edhe fakti se në fillim anglezët më shikonin me sy të keq. Fatkeqësisht shqiptari ka vërtetë një imazh të keq në Angli. Në fillim më shikonin me dyshime. Ju dukej çudi të shikonin një djalë shqiptar të ri, që studion dhe mundohet të bëjë një jetë normale. Fatkeqësisht ne shohim shpesh në lajme se shqiptari u kap me këtë ose atë, por në fund e kuptuan qe unë dua dhe përpiqem të bëj një jetë normale.

Luan Memaj

CMG: A kanë qenë prindërit tuaj mbështetja më e madhe?

Luan Memaj: Faleminderit, faleminderit prindërve, të afërmve sepse secili prej tyre më ka ndihmuar dhe suportuar nga të gjitha anët. Ndonjëherë mërzitesha për shkak të studimeve, por ata më kanë mbështetur edhe nga ana morale dhe mendore. Më kanë motivuar.

CMG: Gjatë këtyre vështirësive, ke menduar të kthehesh në Shqipëri?

Luan Memaj: Të them të drejtën, më ka shkuar në mendje. Edhe pse në Shqipëri kohët e fundit e shoh që ka ndryshime. Që nga digjitalizimi i shërbimeve publike, infrastruktura më e mirë. Këto më bëjnë të mendoj që në Shqipëri një ditë mund të ketë një të ardhme të mirë. Këtu nuk është fushë me lule, edhe këtu është shumë vështirë. Oraret janë të zgjatura, punë çdo ditë. Ky është një vend me 60 e ca milionë banorë. Unë punoj në Londër dhe nëse jashtë saj një punë duhët të kryhet për dy vite, këtu afati është një vit. Ta shkurtojnë kohën dhe mundesinë për ta bërë një gjë. Kjo do të thotë se duhet të punosh me orë të zgjatura dhe ndonjëherë edhe në fundjavë. Pastaj sapo mbaron punën duhet t’u kthehesh trenave, autobusëve, trafiku. 1 orë e gjysmë për të shkuar në shtëpi. Dihet që në Angli janë rrogat e medha, por edhe shpenzime. Në Shqipëri njerëzit janë më të qetë.

Luan Memaj

CMG: Me cilët qytetarë nga shtetet e tjera hasni më shumë vështirësi nëse jeni në një grup pune?

Luan Memaj:  Në projektin e fundit kemi ndërtuar komplet një lagje të re me çdo gjë që ajo ka. Projekti i dytë i imi me kompaninë në të cilën punoj. Aty kemi pasur shumë shqiptarë, ka patur rumunë që kanë bërë punimet e brendshme. Polakë, hungarezë, irlandezë kanë qenë punonjësit e tjerë. Më e veshtirë ka qenë me polakët sepse ata janë kokëfortë si ne.

CMG: A keni ju një mesazh për të gjithë të rinjtë?

Luan Memaj:  Faleminderit që më ftuat dhe do e mbyll me një mesazh. Nuk është e vetmja rrugë ajo e punëve jo të ndershme, por ka edhe mundësi të tjera.

 

Intervistoi  Megi Latifi