Marketingu i Shqipërisë në mediat ndërkombëtare dhe ndikimi në turizmin vendës
2023-03-22 10:17:25


Janë të shumta mediat prestigjoze botërore, që po i bëjnë jehonë bukurive të Shqipërisë me ftesën për turistët e huaj që të prekin tokën shqiptare dhe të shijojnë pushimet në këtë vend. Si pritet kjo nga tur operatorët dhe nga ekspertët?  Në një intervistë për mediat Rrahman Kasa, kreu i Tur –Operatorëve Shqiptarë thotë se kjo ka  anët pozitive dhe negative. E para, sipas tij nuk duhet të reklamohemi si një destinacion i lirë dhe e dyta duhet të mblidhen forcat për të garantuar fuqinë punëtore për t’i bërë ballë këtij fluksi.

“Sipas mendimit tim është diçka pozitive, është diçka e mire. Ka dhe mendime kundër nga një pjesë e subjekteve apo industrisë së turizmit, pasi mendojnë që mediat e huaja apo të gjithë rrjetet e propagandës sociale i bëjnë jehonë një vendi që shitet lirë. Kam pasur një lloj debati me një serë aktorësh kryesorë dhe siç e thashë ka dy lloj mendimesh. Për mendimin tim është diçka pozitive, në fund të fundit, interesi jonë si destinacion është që të promovohet. Dihet se Shqipëria nuk është një destinacion i promovuar, në maksimum, siç ne duam të jetë dhe për fatin tonë të mirë kjo ka pasur një ndikim shumë pozitiv, pasi shumë njerëz nëpër takime të ndryshme nuk pyesin më se ku bie Shqipëria. Pra njihet dhe kjo nxit mjaft tur operatorë ndërkombëtarë ta fusin në kalendarët e tyre dhe të vijnë të lidhin marrëdhënie bashkëpunimi, partneriteti për të operuar në vendin tonë. Kjo është pjesa më e rëndësishme dhe më kryesore që është pozitive. Pastaj pjesa që ata e reklamojnë Shqipërinë ka një impakt pozitiv.”-  shprehet Kasa.

Në çdo rast promovimi shërben për të zgjuar interesin e turistëve.

“Pjesa që BBC thoshte që mund të shkoni në Shqipëri për 27 euro, fliste për sa i përket fluturimeve dhe ne e dimë shumë mirë që nuk ka fluturime 27 euro. Çfarë do të thotë? Do të thotë që njerëzit nxiten nga kjo dhe u rritet interesi për të ardhur në Shqipëri, për t’u interesuar për Shqipërinë, për të kontaktuar apo për të zgjedhur Shqipërinë, pavarësisht se kjo është pjesë e reklamës dhe në kohën që do të ballafaqohen drejtpërdrejt me operatorin turistik që do e ofrojë Shqipërinë do të thotë kemi patur 27 euro, por duhet ta kishit prerë biletën para një muaji, siç ndodh zakonisht. Por kjo është një nxitje, e cila jep një impuls të gjithë qytetarëve që hajde shko në Shqipëri. Kjo ndodh dhe ka dhe efektin tjetër pozitiv sepse duke marrë shkas nga kjo, qytetarët e vendeve të BE-së apo dhe më gjerë, do të nxiten që të vijnë në Shqipëri edhe për një fakt tjetër, pasi shumë prej tyre nuk kanë qenë në Shqipëri, pra e kanë destinacion të ri dhe e provojnë. Kjo i nxit ata më shumë, i shtyn që ata të thonë shkojmë në drejtim të Shqipërisë. E thënë shkurt në përfundim të ekuacionit, është pozitiv.” shprehet Kasa.

Një tjetër problem që dihet prej kohësh është mungesa e akomodimeve dhe numri i pakët i njësive akomoduese. Në kohën e marketingut të madh, pyetja lind a ka mjaftueshëm njësi akomoduese për të përballuar këtë fluks. Këtë problem e kanë ndjerë menjëherë tur operatorët, të cilët nuk po plotësojnë dot kërkesat. Probleme me akomodimin Shqipëria ka patur edhe në kushte kur nuk bëhej kaq jehonë.

”Jo vetëm kemi diskutuar por jemi ballafaquar drejtpërdrejtë për këtë problem. Konkretisht unë kam një kërkesë për të shtuar 160 dhoma plus në zonën e Golemit dhe në fakt kam siguruar vetëm 40 dhoma dhe kam edhe 120 dhoma të tjera, pa siguruar sepse nuk gjej dot. Kur flasim për hotele që do të thotë standardi që sipas kërkesës së tyre dhe nuk ka. Normalisht një rritje e madhe e kërkesës mund të kthehet në një bumerang sepse dihen kapacitetet tona akomoduese, që është kryesorja. Por edhe për sa i përket kapaciteteve akomoduese aktuale kemi patur gjithmonë probleme, vazhdimisht për sa i përket shërbimit, sepse në vitin 2019, kur ishte një vit shumë i mirë i turizmit, ne kishim arritur në një farë ] plotësimi të kërkesave të shërbimit prej gati një pune gati 3 ose 4 vjeçare dhe kishim arritur të sigurojmë kapacitete dhe të themi 80% apo 90%, për sa i përket shërbimit. Gjatë kohës së pandemisë shumë prej tyre u larguan jashtë vendit, ndërruan profesion, shkuan në punë të tjera dhe tashmë viti 2022 tregoi që ne kishim një nevojë shumë të madhe dhe tregu ishte shumë i uritur për profesione, për njerëz të specializuar në sektorin e turizmit. Patëm një vështirësi të madhe dhe me shumë sforco kemi arritur t’ ia dalim, por kuptohet që edhe përshtypjet apo vlerësimet e klientëve por edhe të partnerëve.”- thotë Kasa.

Shqipërinë gjatë vitit 2022 e vizituan mbi 7.5 milionë turistë. Gjatë vitit 2022 nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe, pastaj renditet Anglia, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 14.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.