Fjoralb Dedja është një artist i ri, i cili rrugëtimin në muzikë e ka nisur në moshë fare të vogël. Ai ka kryer studimet për kanto në shkollën e mesme “Jan Kukuzeli” në qytetin e Durrësit dhe më pas ka vijuar studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë. Fjoralbi përveç muzikës ka pasion edhe futbollin, pikturën dhe artet marciale. Ai ka marrë pjesë në disa aktivitete artistike në vende të ndryshme si Bullgari, Maqedoninë e Veriut dhe Turqi. Në një intervistë për Radio Ejani Fjoralbi tregon për fillimet e tij në muzikë si dhe aktivtetet muzikore brenda dhe jashtë vendit.
CMG: Fjoralb keni jetuar disa kohë në Itali, Greqi dhe Gejrmani ku dhe jeni marrë me muzikë. Si kanë qenë këto eksperienca?
Fjoralb Dedja: Në moshën 9 vjeçare fillova aktivitetet në një ansambël të muzikës popullore, sepse personalisht preferoj muzikën popullore të Shqipërisë së mesme përderisa jam nga Shijaku. Dalja ime e parë në skenë ka qenë me ansamblin ‘Shqiponja” në një turne në Bullgari dhe nga kjo gjë mora shkas që të eksploroj vendet që kemi afër si Italinë dhe Greqinë. Kam shkuar tre herë në Bullgari, pastaj në Maqedoni si dhe në Turqi me ansamblin “Shqiponja”, ku kemi marrë çmimin e publikut. Gjithashtu jemi vlerësuar me çmime të para dhe të dyta dhe jepnim koncerte nëpër salla të mëdha, por dhe në qendrat e qyteteve të këtyre vendeve.
Në vitin 2016 u largova për në Gjermani, ku kam jetuar dy muaj dhe më pëlqeu shumë si vend, por edhe kultura atje dhe përfitova shumë gjëra. Më vonë u bëra rezident në Greqi, ku përfitova dokumentat greke dhe jetoja dy muaj në Greqi dhe tre muaj në Shqipëri. Kur u largova nga Greqia shkova në Gjermani dhe Itali, ku dhe kam kënduar për komunitetin shqiptar në këto vende. Kjo ka qenë një përvojë shumë e bukur dhe mendoj se më ka vlejtur.
CMG: Kur keni jetuar në Greqi keni kënduar këngë greke për publikun vendas atje?
Fjoralb Dedja: Në ikjen time në Greqi për herë të parë në qytetin e Patras të them të drejtën jam kënaqur sepse dhe njerëzit janë me kulturë dhe të ngjashëm me ne se jemi ballkanas, ku dhe muzika është përafërsisht e njëjtë. Fillova të frekuentoj buzuqet greke gjatë fundjavave dhe të jem realist përderisa edhe kam studiuar muzikë i pashë që ishin shumë profesionistë dhe kishim për të përfituar diçka nga ata prandaj shkoja dhe i dëgjoja. Unë fillova duke mësuar disa këngë që më pëlqenin dhe që ishin këngët e mia të preferuara, më pas këndoja me njerëzit aty. Nuk mund të them në vende që bëhej realisht muzikë, por me njerëzit aty afër filloi të më pëlqejë muzika. Merrja komplimenta nga të pranishmit dhe u interesova më tepër për të mësuar gjuhën greke, si dhe fillova ta këndoj muzikën greke edhe nëpër gëzimet familjare. Unë këndoja dhe në gjuhën shqipe, por gjithmonë thoja se kam dëshirë t’ju përshëndes me një apo dy këngë greke. Kështu që sot gjendem me një repertor këngësh greke të mjaftueshëme për të mbajtur një apo dy orë për t’u argëtuar vetëm me muzikë greke.
CMG: Ju keni studiuar për kanto dhe jeni profesionist në këtë fushë.
Fjoralb Dedja: Unë kam studiuar për kanto në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës për katër vite. Fillimet e mia kanë qenë në moshën 9 vjeçare me ansamblin “Shqiponja” ku unë isha vetëm këngëtar dhe kemi dhënë koncerte të ndryshme. Para se të filloja për kanto unë kam studiuar fizarmonikë nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë dhe më pas vazhdova për kanto. Erdha në Universitetin e Arteve ku studiova për dy vite dhe e ndërpreva sepse shkova në Greqi. Kështu që shkolla më ka ndihmuar shumë, sidomos mësimet e kantos sepse kemi nevojë vazhdimisht për t’u përmirësuar dhe për të dëgjuar dhe sot në këtë fazë që jam shpresoj për një sukses në fushën e muzikës.
CMG: Fizarmonikën e keni akoma pasion?
Fjoralb Dedja: Unë e kam një fizarmonikë në shtëpi ku shpeshherë kur dëgjoj një këngë të re e marr fizrmonikën sepse nuk kam tastierë në piano. Fizarmonikën e kam që nga klasa e pestë dhe sigurisht që i bie sepse kam një lloj nostalgjie dhe luaj në këtë instrument duke kënduar.
CMG: Cili zhanër muzikor ju pëlqen më tepër?
Fjoralb Dedja: Duke qenë se puna që bëj edhe nëpër bare apo festa të ndryshme familjare kërkohet edhe muzika e lehtë. Sigurisht që këndoj dhe në muzikën e lehtë si këngët e Alban Skënderajt, Aleksandër Gjokës dhe Elita 5. Gjithashtu këndoj dhe balada me nocion oriental, balada të muzikës pop të lehtë, por më i fokusuar gjatë gjithë kësja kohe kam qenë me muzikën popullore të Shqipërisë së mesme. Këndoj edhe muzikë greke dhe pak repertor të muzikës turke sepse i dëgjoj shumë edhe këngët turke. Kam kënduar dhe pak muzikë klasike për shkak të shkollës dhe ka raste në ndonjë restorant serioz këndoj dy-tre këngë të zgjedhura nga hitet botërore. Pra mund të them që jam këngëtar universal, por i specifikuar më tepër në muzikën popullore shqiptare.
CMG: A keni ndonjë idhull në muzikën shqiptare?
Fjoralb Dedja: Unë kam të preferuar në muzikën shqiptare këngëtarin Frederik Ndoci, këngëtar që e vlerësoj shumë dhe më pëlqen shumë dhe i dëgjoj shpesh këngët e tij. Gjithashtu në Shqipërinë e mesme më pëlqen të përmend këngëtare si Artiola Toska si dhe Eglantina Toska që është këngëtare shumë e mirë dhe e kam edhe mikeshë shumë të mirë. Idhull nuk mund të them që kam, por kam të preferuar. Unë dëgjoj dhe pak muzikë klasike dhe preferoj këngëtarin klasik Josif Gjipali. Mund të them që Shqipëria ka njerëz që këndojnë, ka njerëz që bëjnë muzikë dhe art. Unë i respektoj të gjithë të tjerët, të gjitha rrymat dhe të gjithë këngëtarët. Gjithashtu dua të përmend që në muzikën e lehtë. Aleksandër Gjoka për mendimin tim është super këngëtar dhe super unik, por dhe Alban Skënderaj është një këngëtar tepër i mirë.
CMG: Do kishit dëshirë të bashkëpunonit me njërin këngëtarët që ju i keni të preferuar?
Fjoralb Dedja: Patjetër që do kisha dëshirë të bëja një bashkëpunim me Artiola Toskën. Unë e kam njohur atë kur kam qenë në moshën 17 vjeçare, ku dhe kam kënduar krah saj në dasma në zonën time në Shijak. Gjithashtu kam kënduar me këngëtarët Xhavid Dedei, Greta Zanin dhe me disa këngëtarë të tjerë, por realisht nëse do të bëja një bashkëpunim do të zgjidhja Artiolën.
CMG: Përveç muzikës a keni pasione të tjera në jetë?
Fjoralb Dedja: Unë mendoj se të gjithë njerëzit kanë më shumë se një pasion. Dikush e ka gjetur veten te diçka që e ka pasur më të lehtë për ta arritur. Unë kam pasur pasion edhe futbollin si dhe artet marciale, saqë fillova të merresha me artet marciale, ku paralelisht me muzikën bëra dhe dy vjet në artet marciale. Mua më pëlqente që të isha i ngarkuar një pjesë të mirë të kohës. Pra sporti, piktuara, dhe sot e kësaj dite më pëlqen shumë edhe arkitektuara. Me të gjitha këto pasione jam brenda artit. Shpeshherë kur futem në internet shoh projekte shtëpish dhe arredime të ndryshme shtëpish sepse më pëlqejnë shumë dizanjet.
CMG: E shikoni të ardhmen tuaj në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër?
Fjoralb Dedja: Nëse do të flasim sipas situatës që është krijuar gjërat janë vështirësuar, mirëpo nëse e shohim me pak vizion për të ardhmen mendoj se është më mirë të rri këtu. Unë mendoj se populli im mund të më japë atë që unë kam nevojë dhe nuk mendoj se ma jep një vend i huaj. Unë kam lëvizuar në shumë vende dhe i kam parë, si dhe vlerësoj shumë kulturat e tyre. Pra unë e shoh veten time më tepër në Shqipëri, por që kurrë nuk i dihet se çfarë ndodh më vonë.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?
Fjoralb Dedja: Unë kam në dorë një këngë timen që besoj do dalë shumë shpejt. Gjithashtu kam një projekt tjetër në bashkëpunim me këngëtaren Eglantina Toska dhe që besoj se para verës do të jetë në tregun muzikor. Këto janë dy projektet e mia më të shpejta, por pretendoj të bëj dhe shumë këngë të tjera.
Intervistoi: Gazmend Agaj