"Drita", dikur gazeta më e madhe dhe e rëndësishme e shtypit kulturor në vend, për vite me radhë ka mundur të mbajë një peshë të madhe në evidentimin dhe publikimin e krijimtarisë artistike dhe kulturore të artistëve. Në faqet e kësaj gazete për vite me radhë janë shfaqur krijimet e qindra artistëve, të cilët përmes gazetës çlironin natyrshëm emocionet. Gazeta doli si organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve më 1 janar të vitit 1961.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dikur ishte organizatë me qendër në Tiranë, që përmblidhte shkrimtarë, kompozitorë, artistë, krijues të arteve figurative dhe kritikë të vlerave letrare e artistike. Për më shumë se 60 vjet, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organet e saj letrare dhe artistike, ku ndër më të rëndësishmet ishte gazeta “Drita”, një botim i përjavshëm, që hidhej në treg çdo të dielë.
Drejtuesit e revistës, të cilët ishin njëherësh edhe drejtues të Lidhjes, si Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari, Zyhdi Morava, Hysen Sinani, etj., e konsideruan dhe e trajtuan gazetën në përputhje me kërkesat ideologjike të kohës, por njëkohësisht në momente të caktuara arritën të shndërronin disa faqe të saj, në faqe të lirisë dhe të emancipimit. Kështu, nëse në faqet e para të gazetës kishte gjithmonë një shkrim kushtuar çeshtjeve ideologjike, në faqet e brendshme shkruanin talente të letërsisë shqipe të kohës, si dhe vinte jehona e përkthimeve të autorëve më të mirë klasikë apo bashkëkohorë.
Lexuesit e saj kryesisht ishin njerëz që lidheshin me këtë profil krijues: shkrimtarë, poetë, përkthyes, kritik arti, por duhet theksuar me të madhe që kjo revistë lexohej shumë nga të rinjtë dhe lexues të tjerë që kishin interesa tek librat dhe botimet. Kjo revistë shkonte në dorën e çdo aspiranti për t’u bërë poet, apo shkrimtar dhe një botim qoftë edhe i një poezie në gazetën “Drita”, përcaktonte një lloj barometri se cilët do të ishin artistët e së ardhmes.
Nga ana tjetër, kjo revistë ishte platforma ku shkrimtarë me emër të letërsisë sonë, botonin tregimet apo novelat, që më pas ktheheshin në romane apo gjenin rrugën e botimit si libra më vete. Rëndësi të veçantë revista i kushtonte kritikës dhe bibliografisë. Herë pas here revista organizonte diskutime për çështje të rëndësishme të letërsisë dhe të arteve, biseda me shkrimtarë për probleme të caktuara krijuese, etj. Në faqet e revistës botoheshin edhe vepra të shkrimtarëve të huaj, duke ndihmuar në krijimin e referencave në lidhje me botimet.
Kështu në gazetën “Drita” kanë botuar poezitë apo prozën e tyre, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Ndoc Gjetja, Ndoc Papleka, Ilirijan Zhupa, Besnik Mustafaj, Prec Zogaj, Rudolf Marku, për të ardhur tek Mimoza Ahmeti, Agron Tufa, Ervin Hatibi, Alban Bala, etj. Kjo gazetë solli përkthime, artikuj kritikë, studime, në lëmin e gjuhësisë, arteve figurative, intervista me aktorë, kompozitorë dhe këngëtarë, u bëri jehonë festivaleve dhe muzikës së lehtë shqiptare, krijimeve folklorike, etnografisë dhe kostumografisë, deri te Festivali Folklorik në Gjirokastër.
Gazeta “Drita” ishte syri artistik dhe estetik, që mbidhte të dielave të gjithë miqtë dhe protagonistët e artit, për një hapësirë ndryshe dhe të nevojshme.
“Drita vazhdoi të botohej si organ i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve të Shqipërisë, edhe pas viteve ’90, por pa arritur të japë ndonjë kontribut të rëndësishëm për problematikat e reja të letërsisë kombëtare, për prirjet dhe frymën e re.
Për të fundit herë gazeta “Drita” rishfaqet si organ i “Shqërisë së Artistëve të Rinj Modern” në vitin 2005, pasi botimi i saj u ndërpre për arsye financiare.
Nuk duhet harruar, se pavarësisht faktit, se gazeta “Drita”, si gazetë me karakter letrar, doli në vitin 1961, ajo emrin e ka të trashëguar nga një gazetë e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturore e letrare, numri i parë i së cilës, doli më 14 nëntor të vitit 1901 në Sofje. Kjo gazetë, me këtë emër dhe me këtë linjë, vijoi deri në vitin 1908 me 108 numra të saj dhe është drejtuar nga Shahin Kolonja.
Pas këtij botimi, me këtë emër njihen disa gazeta, por botimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve e mban veten si trashëgimtare e kësaj gazete.
Neritana Kraja