1 milion euro për rindërtimin pas tërmetit, Balluku: Tregojmë solidaritet dhe respekt për popullin turk
2023-03-22 09:50:34

Në Konferencën e Donatorëve, që u mbajt në Bruksel, Shqipëria ofroi 1 milion euro për të mbështetur në rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi dhe Siri.

Zv.kryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një videomesazh pas konferencës, tha se populli shqiptar e ka provuar gjatë 2019-s se sa i rëndësishëm ishte solidariteti i treguar nga të gjitha shtetet, sidomos nga shteti turk, që nisi menjëherë skuadrat e shpëtimit, citon “ATSH”.

“Ashtu kemi bërë edhe ne, që në momentin e parë duke dërguar një nga skuadrat tona më të përgatitura për shpëtim dhe njëherazi dhe një skuadër me mjekë dhe infermierë”,- tha ajo.

“Ndihma jonë është një shumë modeste, por ne tregojmë solidaritet dhe respektin tonë për popullin turk dhe sigurisht për bashkëpunim mes dy qeverive, duke nisur nga niveli i bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik dhe për t’iu gjendur pranë në këto ditë të vështira”,- u shpreh Balluku. (Elona)