Kina: Vlefshmëria e trajtimit të ujit të ndotur bërthamor nga Japonia, e dyshimtë
2023-03-22 18:40:45

zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin

Kina ka shprehur të martën shqetësim rreth vlefshmërisë së trajtimit nga Japonia të ujit të ndotur bërthamor që do të lëshohet në Oqeanin Paqësor këtë vit, duke thënë se, megjithëse Tokioja pretendon se uji është i sigurt pas trajtimit, ai përmban ende shumë nuklide radioaktive që janë teknikisht të vështira për t'u ndarë nga uji.

Pajisja që do të përdoret për të lëshuar ujin bërthamor, u vu në funksionim në centralin bërthamor të Fukushimës të premten.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin u shpreh të martën se uji i ndotur bërthamor përmban më shumë se 60 lloje radionuklidesh, shumë prej të cilave nuk mund të trajtohen me teknologjinë e tanishme. Ka gjithashtu rrezik që rrymat oqeanike të sjellin shpërndarjen e radionuklideve, duke shkaktuar probleme të biopasurimit që mund të dëmtojnë mjedisin detar dhe shëndetin njerëzor.

CFP

CFP

Zëdhënësi shprehu gjithashtu dyshime rreth pjekurisë dhe efektshmërisë së Sistemit të Përparuar të Përpunimit të Lëngjeve (ALPS), një sistem heqjeje shumënuklidesh, duke thënë që të dhënat e shpallura nga Japonia në mars treguan se pothuajse 70 % e ujit të ndotur bërthamor të trajtuar nga ALPS-i ishte nën standard. Dhe të dhënat vijnë nga Kompania e Energjisë Elektrike e Tokios, e cila e ka zakon "të falsifikojë dhe të nënraportojë" të dhënat, tha Wang.

Ai shtoi se gjithnjë e më shumë vende e organizata ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth lëshimit të ujit të ndotur bërthamor të Fukushimës, duke shtuar se rreth 50 për qind e japonezëve janë kundër lëshimit dhe 90 për qind besojnë që lëshimi do të ketë ndikim negativ.

Por qeveria japoneze, pa pasur parasysh shqetësimet e ligjshme të bashkësisë ndërkombëtare, këmbëngul në hedhjen në oqean të ujit të ndotur, çka jo vetëm shkel detyrimet e saj ndërkombëtare, por edhe rrezikon mjedisin detar e shëndetin publik dhe prek interesat e vendeve fqinje. "Ky nuk është assesi veprimi i një vendi të përgjegjshëm," theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.

Ai i kërkoi qeverisë japoneze të ndalojë lëshimin e ujit të ndotur bërthamor derisa vendet dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare të konfirmojnë sigurinë e planit të lëshimit.

"Në qoftë se pala japoneze këmbëngul në lëshimin e ujit, bashkësia ndërkombëtare ka të drejtën ta mbajë Japoninë përgjegjëse për transferimin e rrezikut të ndotjes bërthamore në të gjithë njerëzimin," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.

CFP

CFP