Xi e Putini nënshkruajnë deklaratën e përbashkët për bashkëpunimin ekonomik kino-rus
2023-03-22 17:47:18


Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin nënshkruan dhe publikuan së bashku të martën në Kremlin Deklaratën e Përbashkët të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës dhe të Presidentit të Federatës Ruse mbi Planin e Zhvillimit Para 2030-s mbi Përparësitë në Bashkëpunimin Ekonomik Kinë-Rusi.

Në këtë deklaratë, të dyja palët pranuan të mbështetin parimet e respektit të ndërsjellë, të barazisë dhe përfitimeve të përbashkëta, të realizojnë zhvillimin e pavarur afatgjatë të të dy vendeve, të promovojnë zhvillimin me cilësi të lartë të bashkëpunimit ekonomik e tregtar kino-rus, t'i japin gjallëri promovimit të gjithanshëm të bashkëpunimit dypalësh, të mbajnë prirjen e rritjes së shpejtë të tregtisë dypalëshe në mallra e shërbime dhe të shtojnë dukshëm vëllimin e tregtisë dypalëshe deri në vitin 2030.

Të dy palët u zotuan për bashkëpunim ekonomik në drejtime të shumta kryesore, duke përfshirë zgjerimin e shkallës së tregtisë, përmirësimin e strukturës tregtare dhe zhvillimin e tregtisë elektronike, si edhe modele të tjera të bashkëpunimit inovativ.

Po ashtu, ato do të përmirësojnë bashkëpunimin financiar dhe të shtojnë me vendosmëri përqindjen e përdorimit të monedhave vendase në tregti, investime, kreditim dhe transanksionet ekonomike e tregtare dypalëshe për të përmbushur kërkesat e tregut.

Të dy palët do të konsolidojnë partneritetin e gjithanshëm energjetik dhe do të forcojnë bashkëpunimin afatgjatë në fushat kyçe të energjisë, thuhet në deklaratë.

Ato bënë thirrje edhe për promovimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit me cilësi të lartë në teknologji e inovacion, për të garantuar zhvillimin me nivel të lartë të teknologjisë në të dy vendet.

Përveç ngritjes së nivelit të bashkëpunimit industrial, palët u zotuan gjithashtu të rrisin bashkëpunimin bujqësor për të garantuar sigurinë ushqimore të të dy vendeve. (Xu Guang)