“Fototeka”, çelet muzeu virtual me mbi 7 mijë imazhe
2023-03-22 15:08:14

Muzeu virtual “Fototeka” është hapur për të pasionuarit pas fotografisë. Në këtë muze virtual publikohet trashëgimia fotografike në territoret shqiptare nga fundi i shekullit XIX deri në fund të viteve ’80.

Në këtë muze pasqyrohen mbi 7000 imazhe të ndarë në 7 periudha historike, shkrepur nga dhjetëra fotografë, kryesisht të juglindjes së Shqipërisë, ku shpaloset më shumë se një shekull histori, bën të ditur “ATSH”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, me kontributin e koleksionistëve privatë, fondacionit “Art & Histori”, hapet një dritare ku mund të zbulohen imazhe që nuk janë  ndeshur kurrë më parë.

Në këtë muze shfaqen rreth 40 albume nga fundshekulli XIX - mesi i shekullit XX, si pllaka xhami, diapozitivë, negativë në letër, filma, printe origjinale.

Këto albume përmbajnë imazhe nga Lufta e Parë Botërore, ndërtimet e trupave italiane në ishullin e Sazanit (1918-1922) në qytetin e Vlorës (1916-1920), ndërtimi i portit të Durrësit (1929-1932), vizitat e kontit Galeazzo Ciano (1938) etj. Rreth 2000 negativë, pjesë e këtyre koleksioneve, u digjitalizuan dhe u kthyen në imazhe për të lehtësuar aksesin në përmbajtjen e tyre. Materiali i digjitalizuar përmban fotografi nga fundshekulli XIX deri në mesin e shekullit XX dhe çdo imazh është plotësuar me përshkrime, vite dhe teknika në formën e skedave digjitale. (Elona)