7 miliardë euro për të mbështetur Turqinë dhe Sirinë
2023-03-22 10:01:36

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një total prej 7 miliardë eurosh u mblodhën nga komuniteti ndërkombëtar në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për popullin e Turqisë dhe Sirisë”, bën të ditur “Xinhua”.

Konferenca u drejtua nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson. Më shumë se 60 delegacione u takuan në Bruksel për të mobilizuar mbështetjen për njerëzit e prekur nga tërmetet shkatërruese.

“Sot është një ditë shumë e mirë për solidaritetin ndërkombëtar”,- tha Von der Leyen pas ngjarjes.

Një total prej 6.05 miliardë eurosh do të jepen në formën e granteve dhe kredive për Turqinë dhe 950 milionë euro grante për Sirinë, bëri të ditur Komisioni Europian.

Më shumë se 50 për qind e granteve (3.6 miliardë euro) do të vijnë nga Komisioni Europian dhe shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Një tërmet me magnitudë 7.8 dhe dy lëkundje të tjera goditën Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt, duke shkaktuar shkatërrim masiv dhe duke vrarë më shumë se 50.000 njerëz. (Elona)