Në pritje të Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”
2023-03-21 09:57:16

Nis në fund të këtij muaji edicioni i 19-të i Festivalit Operistik Marie Kraja, i cili u themelua 24 vite më parë. Me një juri profesionale, ku marrin pjesë artistë të njohur ndërkombëtar të zhanrit klasik, e vendosur në Shqipëri, Angli e Itali  do të marrin pjesë në gjysmëfinale 16 artistë të rinj, nga më shumë se 300 kokurrentë.

Më datë 30 dhe 31 mars  Tirana mirëpret në skenën e Operës, edicionin e 19 të Festivalit "Marie Kraja".

Do të jenë 16 artistë të rinj, nga katër kontinente, në dy mbrëmje të magjishme në "Gara e Arieve " dhe "Gara e Këngëve " ku do të interpretojnë në duet me yjet e muzikës shqiptare si: Aurela Gaçe, Juliana Pasha, Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Era Rusi, Venera Lumani, Lindi Islami, Kamela Islamaj. Orkestra do drejtohet nga dirigjenti Martin Andre. Moderimi i festivalit këtë vit do të jetë nga sopranoja shqiptare e skenave ndërkombëtare Enkeleda Kamani dhe Blendi Salaj me pjesëmarrjen e mezzosopranos Vikena Kamenica.  Yjet e rinj të baletit drejtohen nga Alisa Gjoni. Festivali i 19-të Ndërkombëtar i Këngëtarëve Operistikë “Marie Kraja” do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në datat 29, 30 dhe 31 mars.

Organizatorja e këtij festivali, Zana Çela theksoi me këtë rast se:

“Risia këtë herë janë konkurentët e rinj. Përherë ka patur konkurentë të ndryshëm, por këtë herë përhapja gjeografike ka qenë mahnitëse. Jo për modesti, por është interesante mënyra se si është shpërndarë ky informacion anekënd globit. Kanë konkuruar mbi 300 artistë të rinj. Informacioni ka shkuar  deri në Australi e Zelandën e Re, në Korenë e Jugut, Kinë, etj, madje komisioni ka përzgjedhur nga të gjitha cepat e botës, sigurisht edhe Europa që është absolutisht e përfaqësuar. Të gjithë vijnë për të marrë pjesë në Festivalin Operistik Shqiptar, që ka marrë emrin e zonjës së madhe Marie Kraja, çmimi i parë i dedikuar asaj. Janë tre komisione të cilat janë vendosur një në Shqipëri, në Angli dhe Itali, të cilët kanë përzgjedhur 16 artistë finalist nga gjithë ata konkurentë. Ishte shumë e vështirë, sepse ata nuk janë thjesht këngëtarë të rinj, por i kanë hedhur hapat e sigurta në botën e muzikës klasike. Ata gjithmonë janë në kërkim të audicioneve apo festivaleve të reja, sepse kur ndodhen përballë personave të rëndësishëm, siç janë anëtarët e jurisë edhe të festivalit tonë, kanë një  mundësi shumë të madhe  që karriera e tyre të marrë një ngjitje nëse ata pëlqehen”

Në janar të vitit 1999 nisi në Shqipëri Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik, “Marie  Kraja”. Në edicionin e parë ishte Ministri i Kulturës asokohe Edi Rama, i cili i dorëzoi çmimin “Marie Kraja” sopranos shqiptare Marjana Leka. Që nga ajo kohë Marjana Leka, numëron me dhjetra role të interpertuara në skenat shqiptare edhe ato ndërkombëtare, duke u vlerësuar edhe me çmime. Fituese e çmimit të parë një vit më parë, në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja” ishte sopranoja gjermane Carolina Lopez Moreno. Duke qenë një festival me përmasa ndërkombëtare, kjo ngjarje kulturore artistike  ka bërë Tiranën një ndër  stacionet e rëndësishme në botë të muzikës operistike.

Sava Lena