Zyrtari: Kina mund të ruajë prirjen e qëndrueshme të tregtisë së jashtme
2023-03-21 11:39:09

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Drejtori i Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës, Yu Jianhua, vuri në dukje në një konferencë shtypi të zhvilluar të hënën në Pekin nga Zyra e Informacionit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës që epërsia e Kinës në tregtinë ndërkombëtare ende është e dukshme. Qysh nga muaji shkurt, tregtia e jashtme kineze ka pasur mëkëmbje të dukshme dhe, me përmirësimin e gjendjes ekonomike, mund të ruhet prirja e zhvillimit të qëndrueshëm në dy muajt e parë të sivjetshëm.

 

Si një motor nxitës për ekonominë kombëtare, import-eksporti ka tërhequr vëmendje të gjerë. Yu Jianhua bëri të ditur që sivjet tregtia kineze ka pasur një nisje të qëndrueshme dhe prirja është pozitive. Në dy muajt e parë, eksporti ka shënuar nivel rekord, 0.9 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, që është më mirë se parashikimet.

 

“Në dy muajt e parë të këtij viti, import-eksporti shënoi rritje mbi 10 %. Nga perspektiva e prirjes, bazuar në të dhënat javore, del që, qysh nga shkurti, tregtia e jashtme e Kinës ka shënuar mëkëmbje të dukshme. Në javën e fundit të shkurtit, rritja ishte mbi 15 % në krahasim me javën pararendëse. Nëse shohim gjendjen e vendeve përreth, tregtia e jashtme e Kinës është e mirë në krahasim me të dhënat e publikuara prej tyre,” tha ai.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Yu Jianhua e pranoi që tregtia e jashtme e Kinës përballon vështirësi e sfida dhe duhet t'i kushtohet vëmendje dobësimit të kërkesës nga jashtë. Nga njëra anë, inflacioni global është në rritje dhe ekonomitë kryesore përballen me dobësim të rritjes, çka ka shkaktuar goditje të vazhdueshme ndaj tregtisë globale. Nga ana tjetër, disa vende po nxitin 'shkëputjen dhe ndërprerjen'. Rreziqet gjeopolitike dhe luhatjet në tregun financiar janë sfidat e jashtme ndaj stabilitetit dhe cilësisë së tregtisë së jashtme kineze. Yu u shpreh që, të dhënat e dy muajve të parë, tregojnë që më shumë ndërmarrje janë përfshirë në tregtinë e jashtme dhe numri i subjekteve të tregtisë së jashtme të regjistruara në dogana arriti në 46 mijë. Kjo tregon që besimi po shtohet dhe po mëkëmbet.

 

“Lidhur me porositë tregtare, sipas të dhënave tona, del që po shtohet përqindja e kompanive që kanë shënuar rritje lidhur me porositë e reja të eksportit. Në fushën e energjive të reja, eksporti i përgjithshëm i makinave elektrike, baterive të litiumit dhe baterive diellore shënoi rritje me 60 %. Tregtia elektronike ndërkufitare u shtua me 15.8%. Në diversifikimin e tregtisë, rritja e import-eksportit të Kinës me vendet përgjatë ‘Një brez, një rrugë’ u rrit mbi 10% dhe me vendet e RCEP-it mbi 3 %,” theksoi Yu Jianhua.

 

Kreu i doganave kineze po ashtu u përgjigj lidhur me kontejnerët e zbrazët në porte. Sipas tij, kjo gjendje është krijuar për shkak që në periudhën e mëparshme janë vënë në përdorim një numër tepër i madh kontejnerësh, kostoja e rezervimit në Kinë është e ulët dhe ka pasur një kthim të madh të kontejnerëve pas zbutjes së gjendjes pandemike jashtë vendit, si edhe për shkak të stinës së tregtisë. Yu shtoi që numri i madh i kontejnerëve të zbrazët në portet kineze tregon që në njëfarë mënyre tregu ndërkombëtar është ende optimist për aftësinë e eksportit të Kinës në të ardhmen.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Të dhënat e fundit doganore tregojnë që, qysh nga dhjetëditëshi i fundit i shkurtit, është në rritje të vazhdueshme përdorimi i kontejnerëve për eksport. Nëse shohim gjendjen e përgjithshme, tregtia e jashtme është në gjendjen e ndërlikuar, por ekzistojnë mjaft mundësi. Vështirësia është globale. Nëse bëjmë krahasim, mund të shohim epërsinë e dukshme të Kinës në konkurrencën tregtare. Me përmirësimin e përgjithshëm të ekonomisë kombëtare, tregtia e jashtme mund të vazhdojë prirjen e mirë të dy muajve të parë. Kështu, kemi besim të plotë për realizimin e objektivave të sivjetshëm për shtimin e qëndrueshmërisë dhe cilësisë,” thotë Yu Jianhua.

(Jiang Lei)