Agroindustria, me peshën më të lartë në PBB-në e Shqipërisë
2023-03-21 10:41:02

Ekonomia e Shqipërisë dominohet nga sektori agroushqimor, bëhet e ditur në një analizë për kontributin e sektorëve në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, shkruan “ATSH”.

Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, ky sektor zë 25% të PBB-së, ndërsa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, 10-15%.

Studimi tregon se të gjitha vendet në Ballkan kanë avantazh krahasues në sektorin e agroindustrisë, falë politikave mbështetëse.

Nga ana tjetër, Marrëveshja e Gjelbër Europiane, kryesisht në aspektin e prodhimit ekologjik dhe të qëndrueshëm të ushqimit po nxit segmente të shkencës dhe teknologjisë, që lidhen direkt me industrinë ushqimore në disa vende të rajonit.

Vitet e fundit sektori i agroindustrisë në Shqipëri është mbështetur fort krahas lehtësive fiskale edhe me grante nga programi IPARD, financuar nga qeveria shqiptare dhe BE-ja.

Përmes programit IPARD II janë nënshkruar 282 kontrata, me vlerë granti 44.8 milionë euro.

Përmes fondeve të Bashkimit Europian në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare, synohet zhvillimi i ekonomisë rurale në vend, arritja e standardeve europiane të cilësisë dhe më shumë vende të reja pune në zonat rurale. (Fatosi)