Xi Jinping-u takohet me Vladimir Putinin
2023-03-21 11:17:00

Foto nga VCG

Foto nga Xinhua

Të hënën pasdite, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mbërriti në Moskë dhe pati një takim në Kremlin me presidentin rus Vladimir Putin. Dy liderët zhvilluan shkëmbime të thella dhe të sinqerta mendimesh mbi marrëdhëniet Kinë-Rusi dhe çështjet me interes të përbashkët.

 

Xi theksoi që Kina dhe Rusia janë vendet më të mëdha fqinje të njëra-tjetrës dhe partnere me bashkërendim të gjithanshëm strategjik. Marrëdhëniet kino-ruse zënë një pozicion me përparësi në diplomacinë dhe politikën e jashtme të të dy vendeve. Kina ndjek gjithmonë një politikë të jashtme të pavarur dhe konsolidimi e zhvillimi i marrëdhënieve me Rusinë është zgjedhja strategjike e palës kineze, që bazohet në interesat thelbësorë dhe prirjet e zhvillimit global. Kina dhe Rusia po përpiqen për zhvillimin dhe përtëritjen kombëtare, mbështesin shumëpolarizimin e botës dhe nxisin demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Të dyja palët duhet të thellojnë bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme, të shtojnë bashkërendimin në platformat shumëpalëshe si OKB-ja, të përkrahin zhvillimin e njëra-tjetrës dhe të luajnë rolin e shtyllave qendrore të paqes dhe stabilitetit në botë, vuri në dukje Xi Jinping-u.

 

Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh që, me përpjekjet e përbashkëta, vitet e fundit marrëdhëniet Kinë-Rusi kanë pasur arritje të frytshme në fusha të ndryshme. Rusia është e gatshme që, bashkë me Kinën, të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin konkret dypalësh, të shtojë komunikimin e koordinimin mbi çështjet ndërkombëtare dhe të nxitë shumëpolarizimin e botës dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të dy palët shkëmbyen mendime edhe mbi problemin e Ukrainës. Xi theksoi që, për këtë problem, po shtohen pandërprerë zërat racionale e paqësorë. Shumica e vendeve mbështesin zbutjen e tensionit, paqen e bisedimet dhe kundërshtojnë nxitjen e konfliktit. Nga ana historike, konfliktet në fund duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe bisedimeve. Pak kohë më parë, Kina publikoi një dokument të posaçëm mbi qëndrimin e vet për këtë çështje, ku bën thirrje për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës dhe kundërshton mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe vendosjen e sanksioneve të njëanshme. “Mendojmë që, përpara vështirësive, duhet të krijojmë hapësirë për paqe; përpara mosmarrëveshjeve, duhet të mos heqim dorë nga dialogu. Kina është e gatshme të vazhdojë të luajë rol konstruktiv për zgjidhjen politike të problemit të Ukrainës,” theksoi Xi.

 

Putini, nga ana e tij, u shpreh që Rusia vlerëson qëndrimin e drejtë, objektiv dhe të balancuar që mban gjithmonë pala kineze, e cila mbron gjithmonë barazinë dhe drejtësinë në çështjet kryesore ndërkombëtare. Rusia ka studiuar seriozisht dokumentin e qëndrimit të publikuar nga Kina mbi zgjidhjen politike të problemit të Ukrainës dhe mban qëndrim të hapur për bisedimet e paqes. Moska mirëpret që Pekini të luajë rol konstruktiv lidhur me këtë problem.