Integrimi Shqipëri-BE, nis shqyrtimi analitik për axhendën e gjelbër
2023-03-21 11:13:41

Bashkimi Europian ka njoftuar nisjen e shqyrtimit analitik të grup-kapitullit 4 për bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që ka të bëjë me axhendën e gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme, njofton “RTSH”.

Ekzaminimi analitik i korpusit të ligjeve të BE-së, i ashtuquajturi “screening”, u mundëson vendeve kandidate të familjarizohen me ligjet dhe standardet e BE-së dhe detyrimet që ato sjellin.

Në vlerësimin e Bashkimit Europian politikat e këtij grup-kapitulli i ndihmojnë vendet në anëtarësim të gëzojnë marrëdhënie dhe mjedis më të mirë për energjinë dhe transportin, duke nxitur kalimin e vendeve drejt së ashtuquajturit neutralitet klimatik deri në vitin 2050.

Po ashtu në formatin aktual të marrëdhënies Shqipëri-BE është njoftuar lëvrimi i 80 milionë euro mbështetje të menjëhershme buxhetore për të ndihmuar në zbutjen e çmimit të lartë të energjisë për familjet në nevojë dhe bizneset e vogla e të mesme.

Përfitimi i planifikuar është që rreth 1 milion familje në nevojë të marrin mbështetje financiare për faturat e energjisë dhe 168 mijë ndërmarrje të vogla e të mesme do të mbështeten për të përballuar çmimin e lartë të energjisë. (Fatosi)