Hekurudha Beograd - Novi-Sad e ndërtuar nga Kina shënoi përvjetorin e parë
2023-03-21 20:50:09

Një pamje e seksionit hekurudhor me shpejtësi të lartë Beograd-Novi Sad të ndërtuar nga kinezët në Beograd, Serbi./CMG

Një pamje e seksionit hekurudhor me shpejtësi të lartë Beograd - Novi-Sad e ndërtuar nga Kina në Beograd, Serbi./CMG

Hekurudha me shpejtësi të lartë Beograd - Novi-Sad e ndërtuar nga Kina shënoi përvjetorin e parë të dielën, duke transportuar pothuajse 3 milionë udhëtarë ndërmjet dy qyteteve më të mëdha të Serbisë që nga vënia në funksionim në mars 2022.

Trenat në këtë linjë hekurudhore me gjatësi rreth 80 kilometra ecin me një shpejtësi deri në 200 km në orë.

Përvjetori shënon gjithashtu një pikë kthese të rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të Serbisë, tha kryeministrja serbe Ana Brnabiç në ceremoninë e zhvilluar në stacionin hekurudhor të Novi-Sadit.

"Ne e dimë që jemi të aftë dhe jemi gati të ecim përpara, dhe e dimë se do ta ndërtojmë pjesën e mbetur në kufirin me Hungarinë," tha ajo, duke iu referuar hekurudhës rreth 350 km të gjatë Beograd - Budapest.

Brnabiçi vlerësoi arritjet në projektet jetike infrastrukturore, tregti e investime në kuadrin e partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Serbisë e Kinës. Ajo tha gjithashtu se vendi i saj synon të intensifikojë shkëmbimet me Kinën, veçanërisht në teknologji.

Seksioni hekurudhor Beograd - Novi-Sad është "një simbol dhe shembull i mirë i bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella ndërmjet Kinës dhe Serbisë në kuadër të nismës 'Një brez, një rrugë'," theksoi ambasadori kinez në Serbi Chen Bo.

Që nga vënia e saj në punë, hekurudha e shpejtësisë së lartë Beograd - Novi-Sad ka funksionuar mirë dhe ka përmirësuar ndjeshëm përvojën e udhëtimit të qytetarëve serbë dhe të turistëve të huaj, tha ambasadori.

"Funksionimi i hekurudhës ka vërtetuar në praktikë se ky seksion është ndërtuar me teknologji të lartë e me cilësi të besueshme inxhinierike dhe ka sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike e shoqërore," vuri në dukje Ju Guojiang, kryetar i Kompanisë Hekurudhore Ndërkombëtare të Kinës.

Ju tha që "fillimi i ri frymëzon shpresë të re", duke theksuar se kompania e tij është e angazhuar për dorëzimin e pjesës së mbetur Novi-Sad - Subotica sa më shpejt të jetë e mundur dhe me cilësinë më të lartë të mundshme.

Ndërtimi i seksionit 108.1 km të gjatë ndërmjet Novi-Sadit dhe Suboticës filloi në nëntor të vitit 2021.