Putini: Marrëdhëniet kino-ruse, model i bashkëpunimit harmonik e krijues
2023-03-21 17:02:52

CGTN

CGTN

Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se marrëdhëniet Kinë-Rusi janë një model i bashkëpunimit harmonik e krijues ndërmjet fuqive të mëdha, në një artikull të botuar të hënën në gazetën kineze "Renminribao".

Në artikull, Putini thotë se ai pret me kënaqësi bisedimet me presidentin kinez Xi Jinping, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore në Rusi nga e hëna deri të mërkurën, duke shtuar se këto bisedime do t'i japin një shtysë të re të fuqishme bashkëpunimit dypalësh.

Sipas artikullit, vizita e presidentit Xi ka rëndësi të madhe dhe provon përsëri se partneriteti Rusi-Kinë është unik e mbështetet gjithmonë në besimin e ndërsjellë dhe respektin për sovranitetin e interesat e njëri-tjetrit.

Gjatë dekadës së kaluar miqësia kino-ruse ka vazhduar të forcohet, duke sjellë përfitime për të dy vendet e popujt, vëren artikulli.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve kanë përparuar në mënyrë mahnitëse, duke arritur një nivel të lartë historik dhe duke vazhduar të forcohen, thekson kreu i Kremlinit, duke shtuar se të dy vendet kanë vendosur një dialog politik të besueshëm, i cili është një bashkëpunim i gjithanshëm strategjik në epokën e re.

Sipas tij, Rusia dhe Kina janë gjithmonë të angazhuara për ndërtimin e një sistemi të sigurisë rajonale e globale të barabartë, të hapur, përfshirës dhe që nuk drejtohet kundër ndonjë vendi të tretë.

Bazuar në zgjedhjet strategjike të të dy popujve, miqësia dhe partneriteti ndërmjet të dy vendeve do të vazhdojnë të shtohen dhe të lulëzojnë, thekson Putini në artikull.