Agro Park Tirana, një pikë takimi e fermerëve të të gjithë Shqipërisë
2023-03-21 14:40:56

Agro Park Tirana në Farkë (Foto RTSH)

Agro Park Tirana në Farkë (Foto RTSH)

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca prezantuan më 18 mars  tregun e ri agroushqimor në Farkë, të quajtur “Agro Park Tirana”.

Gjatë viteve të kaluara, bujqësia shqiptare dhe zhvillimi rural kanë vuajtur nga mungesa e tregjeve të mirëorganizuara për produktet bujqësore vendase. Jo rrallë herë, nismat dhe investimet shtetërore për mbështetjen e tregjeve bujqësore kryheshin jo në pika nevralgjike dhe përfitimi i fermerëve ishte minimal.

 

Rritja e konkurrencës nga tregjet e huaja dhe dobësimi i lidhjeve të fshatit shqiptar me industrinë përpunuese në vend, sollën krahas izolimit të disa krahinave të vendit, të njohura për kulturat e tyre bujqësore, edhe një nivel të ulët e të pakënaqshëm të të ardhurave të realizuara nga fermerët për produktet e tyre.

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj në ceremoninë e hapjes së Agro Park Tirana (Foto Balkanweb)

Kryebashkiaku Erion Veliaj në ceremoninë e hapjes së Agro Park Tirana (Foto Balkanweb)

Për shumë vite mungesa e tregjeve bujqësore të organizuara ka rezultuar në një zhvillim kaotik dhe pa efektivitet të bujqësisë. Tregjet e mirëorganizuara të produkteve shqiptare, si “Agro Park Tirana” janë organizma të mirëpritura nga opinioni publik dhe nga specialistët e fushës, por janë edhe të domosdoshëm, pasi ato do ta orientojnë, mbrojnë dhe zhvillojnë prodhimin tonë bujqësor bio, si dhe do të rregullojnë tregun agrar të vendit.

 

 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, theksoi se:

 

“Ndërtimi dhe përmirësimi  i tregjeve sjell bashkimin në një vend fizik si ky, me standarde të larta, të agropërpunuesve, të grumbulluesve, të shitësve të inputeve bujqësore, të institucioneve shtetërore, ekstensionistëve, agronomëve të shtetit, të cilët do të jenë këtu, së bashku me ekspertë të fushës të institucioneve financiare, për t’i dhënë më shumë akses në financime, si bankat, institucionet e mikrokredisë, projektet e ndryshme zhvillimore, të cilat gjithashtu do të jenë këtu, tregtarëve dhe konsumatorëve. Konsumatorëve që do të duan të kalojnë një të shtunë ose të djelë ndryshe, mes prodhuesve, për të kuptuar se si vjen ushqimi në tryezat e tyre, si rriten bimët, edhe për t’ua mësuar fëmijëve të tyre. Ky agregator në vetvete përmban disa avantazhe. Përmban avantazhe për vetë fermerët, që kanë të bëjnë me uljen e kostove të prodhimit, Ata do të kenë mundësinë që këtu t’i blejnë inputet bujqësore më lirë, sepse do t’i marrin direkt nga pika e parë e tregtarëve. Do të kenë mundësinë të rrisin volumet e tyre, duke krijuar një ekonomi shkalle, pasi duke u bërë bashkë në këtë treg, ata do të kuptojnë që është më mirë që të prodhojnë një kulturë të caktuar: specin, domaten, sepse kështu e kërkon edhe tregtari, jo vetëm për ta shitur në këtë treg, por edhe për ta eksportuar atë në tregje ku ka më shumë kërkesë”

Ministrja Frida Krifca (Foto Këshilli i Ministrave)

Ministrja Frida Krifca (Foto Këshilli i Ministrave)

 

Ndërsa lidhur me vendodhjen e tregut ministrja Krifca vlerësoi:

 

“Ky treg ndërtohet jo vetëm për konsumatorët e Tiranës, që është tregu më i madh që kemi në Shqipërinë tonë, por është një treg që do të marrë produkte edhe nga Elbasani. Vendndodhja strategjike në Farkë nuk është zgjedhur në mënyrë të rastësishme. Është zgjedhur për të çliruar gjithë atë vëllim produktesh që prodhohen nga Elbasani, nga Shkodra, nga Dibra, dhe duke u dhënë akses praktikisht të gjithë fermerëve të Shqipërisë, mund të pikëtakohen këtu. Nëpërmjet një infrastrukture të tillë, me standarde mjaft të larta dhe të sigurisë ushqimore, me kapacitete frigoriferike, ku produkteve mund t’u shtohet vlera edhe përmes përpunimit, kemi mundësi të garantojmë sigurinë ushqimore për konsumatorët tanë, duke ulur koston e prodhimit dhe rrjedhimisht edhe çmimin për konsumatorë”.

 

“Agro Park Tirana” do të ofrojë një sistem transparence për produktet që do të shiten në këtë treg. Njëlloj sikurse ekziston bursa bujqësore jashtë vendit, për shumë prej produkteve ushqimore që do të shiten në këtë park, do të ketë një minibursë, ku fermerët do të njihen me çmimet që ofrohen në rang vendi.

 

“Agro Park Tirana” do të ketë një tabelë elektronike të çmimeve, e cila do të përditësohet në kohë reale. Fermerët do të dinë, sipas kërkesës dhe ofertës, se ku rrahin çmimet, duke evituar abuzimet e shumta që bëheshin në të kaluarën me mungesën e dijeve nga fermeri, për koniukturën reale të tregjeve të produkteve që ata shisnin.

 

Ky sistem transparence e bën më konkurrues  tregun e produkteve bujqësore në Shqipëri, duke ulur kostot tregtare të shërbimit si për fermerin dhe për konsumatorin, si dhe duke informuar pjesëmarrësit në treg jo vetëm për çmimin, por edhe për origjinën nga ka ardhur produkti.

 

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po krijojnë një traditë të mirë në marketimin e produkteve bio dhe me vlerë për të gjithë vendin, si domatja e vonë e Shëngjergjit, gjeli i Baldushkut apo ulliri i Ndroqit, traditë, e cila pritet të ndiqet edhe nga bashkite e tjera, pasi gama e produkteve bujqësore dhe blegtorale me emër të mirë është shumë e gjerë.

 

Tregu i ri Agro Park Tirana (Foto Tirana Post)

Tregu i ri Agro Park Tirana (Foto Tirana Post)

Janë 55 mijë m2 në dispozicion të fermerëve tanë. 100 përqind e sipërfaqes për fermerët dhe tregtarët e produkteve bujqësore është tashmë e pronotuar prej tyre. Bashkia e Tiranës po mendon ta zgjerojë dhe dyfishojë shumë shpejt këtë hapësirë.

 

“Agro Park Tirana” është një treg i ndërtuar posaçërisht për fermerët, të cilët mund të shesin produktet e tyre me zero taksa, ndërsa konsumatorët do t’i blejnë më lirë prodhimet bio, të kontrolluara dhe të çertifikuara sipas standardeve europiane.

 

Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në fjalën e tij e cilësoi krijimin e “Agro Park Tirana si një sukses të jashtëzakonshëm:

 

 “Ja ku jemi sot, buzë Erzenit, kemi një hapësirë të jashtëzakonshme bujqësore, kemi qendra tregtare, kemi hapësira rezidenciale, po bëjmë një park të ri në Liqenin e Farkës dhe ditët më të mira për fshatin sapo kanë filluar. Në tregun privat ti paguaje pa e ditur se çfarë do të shisje, pa e ditur se sa është bursa në treg, sepse kishte një çmim fiks të asaj që quhet ‘matje e kokës me spango’... Në këtë treg kemi pagesa deri në 70% më të ulëta, jo për të nxjerrë fitim, por të sigurohemi që këtu mbahet pastër, që ka roje, ndriçim, higjienë, dhe ka një lloj rendi vetëm për të mbuluar kostot, duke i kursyer secilit 70% të pagesave që shkonin për fitimin e privatit... T’i japësh fermerit më shumë para nga produkti i tij, t’i kursesh tregtarit më shumë nga këto vara-vingot e harxhim nafte, duke ardhur te rruga dytësore e autostradës Tiranë-Durrës, dhe ta përkthesh të gjithë këtë kursim në çmime më të ulëta për produktet bujqësore të prodhuara në Shqipëri dhe në Tiranë, me më pak kosto, është një sukses i jashtëzakonshëm”.

Tregu “Agro Park Tirana” do t’u sjellë fitime më të larta të fermerëve, falë çmimeve më të ulta të qiradhënies dhe mos-tarifimit të çdo produkti që qarkullon në treg, si dhe çmime më të lira për konsumatorin.

Në të ardhmen, pa dyshim që ky treg do të ndiqet nga investimi i bashkive kryesore dhe i qeverisë qendrore në shumë tregje të tjera në pika nevralgjike, si në Lushnjë(Divjakë), Vlorë, Shkodër e Korçë.

Fatos Çoçoli