Viti 2023, do t’i kushtohet shkrimtarit dhe poetit Petro Marko, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. I konsideruar si shkrimtar i brezit të humbur, Marko me romanet e tij bëri një kthesë në letërsinë shqipe. Petro Marko është një figurë shumëdimensionale, që spikati që në fillimet e viteve ’30 të shekullit XX si poet, prozator e publicist.
“Petro Marko u përball me stuhitë e kohës, duke mbetur përherë rebeli dhe një zë i veçantë në letrat shqipe”, vlerësoi ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.
Në ditën përkujtimore të 110 vjetorit të lindjes së shkrimtarit, poetë, shkrimtarë dhe miq të tij, u mblodhën dhe kujtuan shkrimtarin, i cili la gjurmën e tij përmes krijmtarisë dhe fjalës shqipe. Në aktivitetin që u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit ishte e pranishme e bija e shkrimtarit, Aranita Marko, drejtoresha e qendrës Alda Bardhyli, si dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare Pirro Misha. Ky vit i Petro Markos do të jetë i mbushur me aktivitete të ndryshme, si: lexime, konferenca, ekspozita, botime në Shqipëri dhe Kosovë. Sipas QKLL, në vitet 1950 - 1960, Petro Marko ishte romancieri më popullor dhe vazhdoi të ishte ndër më popullorët, edhe kur romanet e tij ishin mbyllur në biblioteka si të papërshtatshme.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli u shpreh se aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtij viti do ta bëjnë atë më të pranishëm në diskursin publik. Ajo foli për një kalendar aktivitetesh për të nderuar këtë figurë të madhe të letrave shqipe dhe për të folur për atë që letërsia e Markos mund të sjellë në ditët që jetojmë në një lexim ndryshe të veprës.
“Babait i pëlqente noti. Sa herë shkonim në Himarë më kujtohet kur isha e vogël që shihja plot frikë kur ai zhytej e humbiste në det, deri sa të shfaqej. Më dukej sikur do të humbiste, por ai shfaqej i buzëqeshur”.
Me këto fjalë Aranita Marko, e bija e shkrimtarit Petro Marko, analizoi në mënyrë metaforike historinë e të atit në letërsinë shqipe, ku pavarësisht përjashtimit që veprat e tij kanë pasur në kohë nëpër biblioteka, ai shfaqet gjithnjë më i fortë. “Ai është si shkëmbi, shfaqet më i fortë”, tha Aranita.
Për vajzën e shkrimtarit, është një ditë e lumtur pasi babai i saj po merr më në fund vlerësimin që meriton, njohjen e gjërë në publik dhe dashurinë e lexuesve.
“Nuk ka rëndësi çfarë jep shteti, çfarë japin organizatat e ndryshme, vlerësime medaljesh që varen, që mbahen, që vihen nën jastëk….Dashuria e njerëzve dhe e lexuesve është kryesorja për një artist dhe babi këtë gjë e mori”, tha Aranita Marko
Në arkivën e familjes, ajo ruan shumë ditarë të tij që do ta shohin shpejt dritën e botimit.
Në takim Pirro Misha, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare tha se ky është një rast për të nderuar një figurë të lartë të letërsisë shqipe, i cili nuk ka pasur vëmendjen e merituar. Për shkrimtarin folën dhe kritikët Behar Gjoka, Ben Andoni dhe shkrimtari Ylljet Aliçka.
Numërohen rreth 50 organe shtypi ku Petro Marko ka shkruar, por edhe qindra poezi, tregime, shkrime publicistike, përkthime të autorëve hispanikë, si Refaele Alberto e Frederico Garsia Lorka.
Mes shumë aktiviteteve mbi veprën e tij një ngjarje e rëndësishme do të jetë edhe botimi për herë të parë në italisht i romanit “Qyteti i fundit”.
Biografia
Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu Shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin “Garibaldi” të Brigadave Ndërkombëtare.
Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra. Më 1940 u detyrua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika, në detin Tirren.
Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” më 1947 u burgos në Tiranë dhe më pas punoi si mësues në Tiranë. Ai vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991.
Petro Marko do të vlerësohet për prozën e tij moderniste. Pas çlirimit Petro Marko shkroi romanet "Hasta la vista" (1959) dhe "Qyteti i fundit" (1960). Në vitet '70 ai shkroi romanin "Një emër në katër rrugë", ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës e përjetësoi në romanin "Nata e Ustikës". Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha.
Neritana Kraja