Elis Bakaj ne fushe (Facebook)
Elis Bakaj është një nga futbollistët më të talentuar, por edhe më të përfolur këto 20 vitet e fundit në Shqipëri, pasi luajti për tri skuadrat rivale të kryeqytetit, duke filluar me Partizanin, Dinamon dhe Tiranën. Ai tashmë është vendosur në Rumani, ku prej disa muajsh është shkëputur nga futbolli i luajtur në fushë, por vazhdon kurse për t’u bërë trajner apo drejtor teknik për skuadrat e futbollit. Elis Bakaj ka luajtur futboll edhe me ekipet e Bjellorusisë, Ukrainës, Kroacisë, Rumanisë dhe Izraelit dhe ruan kujtimet më të bukura nga eksperiencat sportive në këto vende. Në një intervistë për Radio Ejani, Elisi tregon për rrugëtimin e tij futbollistik, eksperiencat me ekipet e huaja si dhe planet për të ardhmen.
CMG: Prej disa vitesh ju keni luajtur futboll me skuadrat e disa shteteve dhe kohët e fundit jeni vendosur në Rumani. Cili është angazhimi juaj në lidhje me futbollin tani në Rumani?
Elis Bakaj: Unë jam i sistemuar në Rumani sepse dhe bashkëshortja ime është rumune dhe kemi një vajzë të vogël tre vjeçe. Me futbollin e luajtur kam afërsisht gjashtë muaj që jam shkëputur. Sigurisht që tani kam filluar të mendoj për të ardhmen jo si futbollist, ngaqë unë gjithë jetën time e kam pasur të lidhur me futbollin dhe kam nisur të bëj kurse për trajner dhe drejtor teknik sepse dua të kthehem sa më shpejt në futboll.
CMG: Flasim për karrierën tuaj futbollistike ndërkombëtare. Si kanë qenë si eksperienca angazhimi juaj me ekipet e vendeve të tjera ku keni luajtur futboll?
Elis Bakaj: Unë kam luajtur në Bjellorusi ku kam fiituar kupën dhe super kupën, ashtu siç kam fituar edhe kupën në Rumani. Kanë qenë shumë vite në futboll në shumë shtete të ndryshme dhe sigurisht që kanë qenë momente shumë të bukura, por dhe momente të vështira sepse futbolli i ka këto gjëra. Mëgjithatë kur bën një llogari të gjithë karrierës tënde mbas gjithë këtyre viteve je krenar për atë që ke bërë. Unë kam pasur fatin që të bëj një profesion që gjithmonë e kam dashuruar sepse kam qenë që i vogël i apasionuar për ftubollin dhe në këtë aspekt kam qenë me fat. Unë kam qenë në shumë vende me kultura të ndryshme, kam shumë miq në çdo vend që kam qenë, si në Ukrainë, Bjellorusi, Rumani, Kroaci dhe Izrael. Në fillimet e mia si futbollist kam qenë në Greqi dhe ruaj shumë momete të bukura, por edhe momente jo të këndshme.
Elis Bakaj pas nje ndeshje (Facebook)
CMG: Ka qenë i vështirë vendimi që morët për t’u shkëputur nga futbolli i luajtur në fushë?
Elis Bakaj: Vendimi që mora për ta lënë futbollin e lujatur në fushë nuk ishte i lehtë dhe nuk është i lehtë akoma. Unë dua të kthehem sa më shpejt në futboll sepse aty është jeta ime, sigurisht jo për të luajtur futboll, por në një drejtim tjetër. Unë e mendova shumë këtë vendim që mora sepse një vit para se të shkëputesha nga futbolli pata një dëmtim në gju, bëra maksimumin për t’u kthyer por dhe mosha nuk ishte më si më përpara, aq më tepër që unë e kam filluar karrierën në moshën 15 vjeçare dhe u bënë gati 20 vjet që dhe trupi sa po binte dhe nuk më përgjigjej ashtu siç duhet. Kështu që mora vendimin që të shkëputesha nga futbolli.
CMG: Cilat janë synimet tuaja për karrierën sportive në të ardhmen?
Elis Bakaj: Unë kam filluar që të bëj kurse për trajner, për drejtor teknik dhe menaxher sepse pa futbollin nuk mund të jetoj. Është e vështirë që një futbollist që ka bërë gjithë jetën e tij futboll, të arrijë të bëjë diçka tjetër. Futbolli me biznesin dhe shumë profesione të tjera është diçka tjetër. Pavarësisht se duhet shumë kohë, por shumë shpejt do të rikthehem prapë në futboll se këtë punë unë di të bëj më mirë.
CMG: Cilin nga shtetet që ju keni luajtur futboll do të veçonit si më të veçantin në karrierën tuaj?
Elis Bakaj: Unë në të gjitha vendet ku kam qenë jam ndjerë mirë dhe janë shumë të pakta vendet që nuk jam ndjerë mirë. Mund të përmend Bjellorusinë sepse atje kam kaluar katër vjet e gjysëm, pra ka qenë vendi ku kam luajtur më shumë. Pastaj ka qenë Ukraina, ku kam luajtur afërsisht tre vjet, dy vjet afërsisht në Rumani, ndërsa në Kroaci dhe Izrael kam qëndruar më pak. Unë siç e përmenda dhe më lart kam miq gjithandej, por mund të veçoj Bjellorusinë sepse njerëzit atje janë pak të çuditshmë. Kur firmosa kontratën në fillim në Bjellorusi në 3-4 muajt e parë asnjë nuk fliste me mua, por flisnin me lojtarët që vinin nga vendet e tjera, sepse atje të japin kohë derisa të njohin. Pastaj mbas 4-5 muajve shokët, miqtë dhe njerëzit që kam arritur të kem në jetën time janë në Bjellorusi.
Elis Bakaj gjate nje aksioni ne fushe (Facebook)
CMG: Keni arritur të mësoni dhe gjuhët e këtyre vendeve ku ju keni luajtur?
Elis Bakaj: Rumanisht flas shumë mirë, anglishten sigurisht që po, rusishten e kuptoj por nuk e flas aq mirë siç flas anglishten dhe rumanishten. Pavarësisht që rusishtja është pak gjuhë e vështirë sidomos për ne shqiptarët sepse dhe shkronjat janë të ndryshme, e kuptoj mjaft mirë. Ndërsa gjuhën rumune e mësova shumë shpejt.
CMG: Keni pasur ndonjë moment që keni dashur të largoheni përfundimisht nga futbolli?
Elis Bakaj: Kam pasur shumë momente të vështira sepse të luash futboll nuk është e lehtë. Ata që kanë luajtur dhe luajnë e kuptojnë këtë gjë shumë mirë. Unë kam pasur raste që kam thën nuk mundem më se ka qenë presioni i madh nga dëmtimet, dhimbjet sepse një sportist ka dhimbje çdo ditë. Ne kemi pasur një doktor që bënte dhe humor me ne. Ai na tha që kur të zgjoheni në mëngjes dhe nuk do të keni më dhimbje këmbe apo në trup, kjo do të thotë që nuk jeni më në jetë. Pra ka pasur shumë momente të vështira, ku shumë herë kam dashur të them që nuk mundem më, por pasioni ka qenë shumë më i madh se dhimbjet dhe sakrificat. Unë nuk jam penduar dhe kam qenë me fat që kam bërë sportin që unë kam dashur më shumë.
CMG: Përpara se ju të largoheshit për të luajtur me ekipet jashtë vendit, një kontribut të madh keni dhënë edhe me ekipet shqiptare të futbollit. Keni menduar të riktheheni në Shqipëri si trajner apo drejtues teknik i ndonjë ekipi shqiptar?
Elis Bakaj: Sigurisht që po, unë kudo që kam qenë e kam thënë me krenari që jam shqiptar. Shqipëria është vendi im dhe vendin tim e dua më shumë se çdo gjë tjetër. Mund të jetojmë në çdo vend të botës, por prapë Shqipërinë e kam në zemër, është vendi im, aty u linda dhe u rrita dhe aty kam dhe familjen. Normalisht që unë do të doja një ditë që të vija dhe të kontriboja me gjithë kënaqësinë më të madhe për vendin tim.
Elis Bakaj gjate angazhimit si futbollist ne disa skuadra (Facebook)
CMG: Gjithashtu ju keni qenë pjesë edhe e ekipit kombëtar të futbollit para disa vitesh. Çfarë kujtoni nga angazhimi juaj me Kombëtaren e Shqipërisë?
Elis Bakaj: Momenti më i bukur i imi ka qenë kur jam thirrur për herë të parë në kombëtare. Kam qenë afërsisht 20 vjeç dhe normalisht që çdo lojtar i ri ka pasur dëshirë të arrijë në ekipin kombëtar. Unë kur isha i vogël mundohesha që të ndiqja çdo ndeshje të kombëtares në stadium dhe kur më është bërë ftesa kam ndenjur dy ditë pa fjetur ngaqë kam qenë shumë i gëzuar. Debutimi im në kombëtare ka qenë gjëja më e bukur që mund të ketë ndodhur në karrierën time profesioniste si futbollist.
CMG: Përveç futbollit a keni pasione të tjera në jetë?
Elis Bakaj: Pasioni i parë ka qenë futbolli, por këto muaj jam duke zbuluar pasione të tjera sepse deri tani kam qenë i përkushtuar totalisht pas sportit dhe ja kam dedikuar gjithë jetën time futbollit në çdo aspekt, jo vetëm momentet kur isha në stërvitje por dhe jashtë stërvitjes dhe ndeshjeve. Sigurisht që tani dua të di edhe unë pasionet e mia, por nuk i kam zbul;uar akoma dhe mendoj se në një të ardhme të afërt do t’i zbuloj dhe pasionet e tjera.
CMG: Për çfarë ju merr malli më shumë kur jeni larg vendlindjes?
Elis Bakaj: Më merr malli për vendin tim se ti mund të jetosh në çfarëdolloj vendi, mund të kesh çfarëdolloj gjëje nga ana financiare, por prapë vendin tënd nuk ke për ta gjetur asgjëkundi. Mua më mungojnë prindërit e mi, familja ime, motra ime, miqtë dhe shokët, vendi ku u rrita. Pra më mungon çdo gjë nga Shqipëria dhe tani që jam shkëputur nga futbolli sigurisht që vij më shpesh. Më përpara nuk mundja të vija sepse kisha dhe impenjime të tjera me sportin, se të jesh futbollist profesionist nuk është aq e lehtë të gjesh kohën e lirë. Gjatë këtyre muajve do të vij akoma më shpesh në vendin tim se pavarësisht që nuk jetoj aty, por aty është zemra ime.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Elis Bakaj: Unë i përshëndes të gjithë shqiptarët, duke ju uruar çdo gjë të mirë.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Elis Bakaj.(Facebook)