Vjosa “Park Kombëtar”, Rama: I ka dhënë fuqi të re imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë
2023-03-20 16:26:54

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka vlerësuar se jehona që mediat ndërkombëtare i kanë dhënë vendimit të fundit të qeverisë shqiptare për shpalljen e lumit Vjosa “Park Kombëtar”, është një fuqi e re për imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Jehona e Vjosës “Park Kombëtar” në mediat e mëdha të botës i ka dhënë një fuqi të re imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, si një vend me bukurira të pafundme dhe vetëdije qeverisëse për përgjegjësinë monumentale të mbrojtjes së mjedisit në kushtet kur planeti vuan ndryshimet dramatike klimaterike”,-shkruan kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Lumi Vjosa, i cilësuar si lumi i fundit i egër në Europë, është shpallur Park Kombëtar me vendim të qeverisë shqiptare vetëm një javë më parë.

Kategoria “Park Kombëtar” është kategoria e dytë e zonave të mbrojtura dhe nuk lejon që ekosistemet që marrin këtë titull të ndryshohen/shfrytëzohen materialisht, pasi mund të ketë specie bimore dhe shtazore, vendet gjeomorfologjike dhe habitatet me interes të veçantë shkencor.

Sipërfaqja e mbrojtjes shtrihet në 12.727 hektarë, që është gjithë sipërfaqja ujore dhe bregore e lumit, të cilat së bashku me të tre degët e lumit Vjosë, lumi Drinos, lumi Bënçë dhe lumi Shushicë, bëjnë atë që quhet sot parku i parë në Europë i një lumi të egër, siç është Vjosa. (Fatosi)