Xi Jinping-u publikon artikull në mediet ruse
2023-03-20 16:28:15

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të hënën, në prag të vizitës shtetërore në Rusi, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping publikoi në "Rossiyskaya Gazeta"  dhe agjencinë ruse të lajmeve "RIA Novosti" artikullin me titull “Ecja e fuqishme përpara në hapjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit miqësor dhe zhvillimit të përbashkët Kinë-Rusi”.

 

Në artikull vihet në dukje se Kina e Rusia janë vendet më të mëdha fqinje të njëra-tjetrës dhe partnere të bashkërendimit të gjithanshëm strategjik. Kina dhe Rusia janë gjithashtu dy vende të mëdha në botë dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në 10 vjetët e fundit, të dy palët kanë pasur rezultate të dukshme në bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe kanë hyrë në epokën e re me përparime të mëdha.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Vizita ime në Rusi do të jetë një udhëtim i miqësisë, bashkëpunimit dhe paqes. Unë pres që bashkë me palën ruse të formulojmë një vizion të ri, një plan të ri dhe masa të reja për forcimin e partneritetit të bashkërendimit të gjithanshëm strategjik në të ardhmen,” shkruan Xi në artikull.

 

Dy palët duhet të nxitin rritjen në sasi dhe cilësi të bashkëpunimit ekonomik e në fushën e investimeve, të forcojnë bashkërendimin e politikave dhe të krijojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin me cilësi të lartë. "Ne duhet të zgjerojmë përmasat e tregtisë dypalëshe, të shtojmë pikat e përputhjes së interesave dhe fushat e bashkëpunimit, si edhe të krijojmë një model me përplotësim të ndërsjellë e zhvillim të përbashkët të tregtisë tradicionale dhe fushave të reja të bashkëpunimit. Ne duhet të nxitim integrimin dhe bashkëpunimin mes nismës 'Një brez, një rrugë' dhe Bashkimit Ekonomik Euroaziatik dhe të ofrojmë më shumë mbështetje institucionale për bashkëpunimin dypalësh e rajonal," theksoi kreu i shtetit kinez.

 

Ai shtoi se të dy palët duhet të thellojnë shkëmbimet kulturore e njerëzore dhe të organizojnë me sukses Vitet e Shkëmbimeve Sportive Kinë-Rusi. Kina e Rusia duhet të përdorin mirë mekanizmin e bashkëpunimit në nivel vendor dhe të nxisin lidhjet mes provincave e qyteteve të binjakëzuara dypalëshe, të inkurajojnë shkëmbimet njerëzore dhe të nxitin aktivisht rinisjen e bashkëpunimit turistik. Po ashtu, Xi vuri në dukje që të dy palët duhet të nxisin aktivitetet shkollore, si kampet verore e arsimimi i përbashkët, dhe të shtojnë pandërprerë njohjen dhe miqësinë ndërmjet të dy popujve, veçanërisht të rinjve.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qysh nga viti i kaluar, kriza e Ukrainës është përshkallëzuar, theksoi Xi, duke shtuar që Kina mban gjithmonë qëndrim objektiv e të drejtë dhe ka nxitur aktivisht paqen e bisedimet. Zbatimi i parimeve të Kartës së OKB-së, respektimi i shqetësimeve të sigurisë të të gjitha palëve, mbështetja e të tëra përpjekjeve për zgjidhjen paqësore të krizës ukrainase dhe garantimi i stabilitetit të zinxhirëve globalë të industrisë dhe furnizimit janë propozimet kryesore të palës kineze për trajtimin e krizës në Ukrainë. "Pak kohë më parë, ne publikuam dokumentin 'Qëndrimi i Kinës për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës', i cili merr parasysh shqetësimet e të gjitha palëve dhe pasqyron konsensusin më të gjerë të bashkësisë ndërkombëtare, duke luajtur rol konstruktiv për zbutjen e përhapjes së krizës dhe nxitjen e zgjidhjes politike," shkruan presidenti kinez Xi Jinping në artikullin e publikuar në mediet ruse në prag të vizitës së tij në Rusi.