Paga (Foto Gazeta expres)
Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” vijon të diskutohet në komisionin parlamentar të ekonomisë lidhur me ndryshimet që pritet të sjellë. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, hartimi i një ligji të ri për tatimin mbi të ardhurat ka lindur si nevojë për qasje të re në taksimin e individëve dhe të ardhurave të tyre nga burime të ndryshme, për shkak se ligji aktual daton që në vitin 1998 dhe amendimet e ndryshme që i janë bërë në vite nuk adresojnë risitë që kanë lindur në fushën e taksimit të të ardhurave personale dhe fitimit korporativ. Në një intervistë për mediat Niko Lera Drejtori i Përgjithshëm i politikave fiskale në Ministrinë e Financave sqaron arsyet e rishikimit të këtij ligji.
Niko Lera (Foto Abc news)
“Ne e kemi shpjeguar shumë herë që ligji i tatimit mbi të ardhurat që është një ligj bazë i taksimit të individëve të personave juridikë, ka që prej vitit 1998 që ka më tepër amendime krahasuar me lëndën bazë të tij. Jo vetëm për faktin e jetëgjatësisë së tij, por edhe që në taksimin ndërkombëtar në fushën e marrëveshjeve ndërkombëtare të bashkëpunimit kanë ndodhur risi që jemi të detyruar t’i pasqyrojmë në projektligjin e ri, apo për të cilat ne kemi nënshkruar dhe jemi pjesë e marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale dhe t’i transpozojmë në legjislacionin vendas, por edhe për shkak të problemeve që mund të ketë krijuar sistemi i vjetër fiskal nëpërmjet përjashtimeve, normave të reduktuara, etj. Në performancën e financave publike ishte e domosdoshme që të miratohej një ligj i ri apo të hartohej një ligj i ri tatimi mbi të ardhurat për korporatat dhe për personat fizikë. Prej shumë kohësh diskutimet e ligjit të ri po kalojnë në analizën e ekspertëve”, u shpreh Lera.
Ndër të tjera ai theksoi se:
“Ky ligj i ri që realisht ka që në vitin 2015 që diskutohet, por në mënyrë më eksplicite kemi rreth 1 vit e gjysmë që po punohet. Natyrisht që ka debate, që kushdo që taksohet nuk është indiferent ndaj sistemit tatimor, por është shumë i vëmendshëm çfarë barre fiskale duhet të paguajë për buxhetin e shtetit. Prisnim diskutime,vërejtje, mosdakordësi, sugjerime të kësaj natyre dhe ka qenë një proces shumë i gjatë, diskutimesh, konsultimesh e përmirësimesh, por edhe refuzimesh sepse jo çdo koncept mund të pranohet. Së fundi jemi në fazën që ligji është duke u diskutuar në komisionin e ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë. Ky komision ka dëgjuar të gjitha grupet e interesit dhe na ka dhënë kohën e mjaftueshme që të ridiskutojme me çdo grup interesi të ripërcaktojmë pozicionet tona dhe të reflektojmë atje ku është e nevojshme për ndryshimet përkatëse dhe të argumentojnë njëkohësisht pse nuk do bëhen një pjesë e ndryshimeve apo e sugjerimeve nga grupet e interesit, u shpreh ai.
Ligji i ri ndan taksimin e personave fizikë nga personat juridikë. Konkretisht drejtori pranë dikasterit të Financave shpjegon përqindjet e taksimit.
“Ligji i ri përpiqet që të krijojë një sistem më të drejtë, më të balancuar dhe më të kujdesshëm. Ai ndan taksimin e personave fizikë nga personat juridikë. Në konceptin e personave fizikë ku fut individin, tregtarin dhe të vetëpunësuarit dhe personat juridikë ku është shoqëria apo entitetet juridikë. Natyrisht brenda grupit të personit fizikë, individit, tregtarit dhe të vetëpunësuarit ndërton një sistem tatimor që është progresiv, individët nuk kanë ndonjë ndryshim të madh. Publiku e di që taksohesh me normat 0, 13 dhe 23%. Së shpejti paga deri në 50 mijë lekë do të jetë e taksuar me 0%. 50 deri në 200 mijë lekë 13%, duke zbritur pagën 30 mijë lekë dhe mbi 200 mijë, çdo lekë shtesë jo e gjitha taksohet me 23%, që do të thotë se pse është peshë dhe përmend 23%. Në të llogarisim normën efektive të tatimit, pra një individ që ka pagë 200 mijë lekë nuk taksohet me 13 %, por 13, 200 minus 30 dhe ngelen 170 mijë lekë më 13 që norma e taksimit shkon me pak se 13%, norma reale e taksimit shkon 10 apo 11%. Po kështu edhe pagat 500 mijë lekë apo 5 mijë dollarë në muaj, nuk paguajnë 23%, paguan shume pak, vetëm diferenca nga 2 mijë ne 3 mijë dollarë apo 5 mijë dollarë taksohet në 23%. Pra norma efektive nuk është 23% por 13 apo 14%, 15%, në varësi të pagës. Kjo për pagat. Ndërkohë që për biznesin tregtar dhe të vetëpunësuarit tatimi progresiv 15 dhe 23% llogaritet mbi fitimin neto pra mbi çdo lekë neto pasi është hequr çdo shpenzim, shpjegon t Lera.
Ministrja Ibrahimaj(Foto Ministria e financave)
Baza mbi të cilën llogaritet tatimi përfshin dhe kontributin e sigurimeve shoqërore.
“Këtë duhet ta sqarojmë sepse pagat apo baza mbi të cilën llogaritet tatimi kanë brenda dhe kontributin e sigurimeve shoqërore që paguan i punësuari prej 11.2% ndërsa tregtari dhe të vetëpunësuarit i taksohet fitimi neto, pasi është hequr çdo lloj shpenzimi që ai bën. Tatimi është parashikuar sepse është projekt gjithmonë, 15% për fitime neto deri në 14 milionë lekë në vit dhe çdo lekë shtesë mbi 14 milionë leke ne vit taksohet me 23%.” thotë Drejtori i Përgjithshem i politikave fiskale.
Projektligji propozon ruajtjen e skemës ekzistuese të tatimit me tarifë 0 % kryesisht të biznesit të vogël familjar (prodhim, tregti, transport, ushqim social, artizanat etj), ku personat fizikë dhe personat juridikë me qarkullim deri në 14 milionë lekë do të paguajnë 0% tatim përkatësisht mbi të ardhurat nga biznesi dhe mbi të ardhurat e korporatës deri në vitin 2029.