Foto nga VCG
Të shtunën u hap në Pekin konferenca vjetore e Forumit Global të Menaxhimit të Aseteve 2023 (GAMF). Drejtuesit dhe ekspertët e sektorëve financiarë vendës e të huaj që morën pjesë në këtë mbledhje, diskutuan mbi përballimin e ndryshimeve globale.
Bota e sotme përballon ndryshimet më të mëdha gjatë 100 vjetëve të fundit. Pandemia e COVID-19 nuk ka përfunduar krejtësisht, konfliktet gjeopolitike kanë sjellë sfida ndaj bazës së bashkëpunimit global, sistemi i qeverisjes globale po dobësohet dhe ekonomia globale po kërkon një balancim të vështirë mes inflacionit, recesionit dhe rritjes. Përpara situatës së ndërlikuar ndërkombëtare, Kina ngul këmbë në Reformën e Hapjen, përpiqet të krijojë modelin e ri të zhvillimit me qarkullimin e brendshëm si bosht kryesor dhe nxitjen e ndërsjellë mes qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm, nxit vazhdimisht zhvillimin cilësor të tregtisë, shton përdorimin e investimeve të huaja dhe integrohet më tej në zinxhirin industrial global.
Sekretari i përgjithshëm i forumit GAMF, ish-ministri i Financave i Kinës Lou Jiwei, u shpreh: “Në dy sesionet që përfunduan pak kohë më parë, qeveria kineze përcaktoi tërheqjen dhe përdorimin më të mirë të investimeve të huaja si punë kryesore për këtë vit dhe për periudhën e ardhshme. Qeveria kineze shpalli që do të lehtësohet më tej hyrja në treg, do të shtohet hapja në sektorët modernë të shërbimeve, do të zbatohet siç duhet trajtimi kombëtar i ndërmarrjeve me investime të huaja, do të nxitet aktivisht pjesëmarrja në marrëveshjet tregtare me cilësi të lartë, si CPTPP, do të bëhet përshtatja aktivisht me rregullat, rregulloret, menaxhimin e standardet përkatëse dhe do të zgjerohet në mënyrë të qëndrueshme hapja institucionale. Unë besoj që tregu i madh i hapur i Kinës në të ardhmen me siguri do të vazhdojë të ofrojë më shumë mundësi për zhvillimin e kompanive të vendeve të ndryshme në Kinë.”
Foto nga VCG
Zv.guvernatori i Bankës Popullore të Kinës Yi Changneng vuri në dukje që, në një mjedis të ndërlikuar, hapja, stabilizimi dhe zhvillimi i tregut kinez i ka ofruar botës raste e zgjedhje të larmishme. Hapja e tregut financiar të Kinës po thellohet dita-ditës dhe po krijon mundësi të reja për investitorët në menaxhimin e pasurive dhe shpërndarjen e fondeve.
“Vitet e fundit, Kina ka publikuar mbi 40 masa të hapjes financiare dhe ka lehtësuar shumë dhënien e lejeve për hyrje në tregun e shërbimeve financiare. Bonot kineze janë përfshirë në tre treguesit kryesorë të bonove të botës, përkatësisht ‘Bloomberg’, ‘JPMorgan’ dhe ‘FTSE Russell’. Deri në fund të vitit të kaluar, niveli i aseteve në RMB brenda tregut kinez që zotëronin ndërmarrjet e huaja, ishte 9.6 trilionë juanë, 1.2 herë më shumë se më 2017. Ndër to, vlera e aksioneve dhe e bonove ishin përkatësisht 3.2 dhe 3.5 trilionë juanë. Emetuesit e huaj kanë hedhur ‘bono panda’ në tregun kinez me një vlerë të përgjithshme 630 miliardë juanë. Të gjitha këto tregojnë që tregu kinez i letrave me vlerë ka ndikim e forcë më të madhe tërheqëse ndërkombëtare, duke pasqyruar besimin e investitorëve globalë për zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të ekonomisë kineze dhe hapjen e vazhdueshme të tregut financiar të Kinës,” vuri në dukje Yi Changneng-u.
Foto nga VCG
Zv.ministri i Financave i Kinës Xia Xiande u shpreh që tani rastet e zhvillimit bashkekzistojnë me ndryshimet globale. Qeveria kineze po përpiqet të stabilizojë bazën ekonomike dhe ekonomia kineze po luan rolin e motorit për nxitjen e ekonomisë globale.
“Sivjet është 45-vjetori i zbatimit të politikës së Reformës dhe Hapjes në Kinë. Thellimi i vendosur i Reformës dhe Hapjes është sinjali i vendosur i lëshuar nga dy sesionet e Kinës për tërë botën. Në të ardhmen, porta e hapur e Kinës nuk do të mbyllet, por do të hapet më shumë. Me hapjen më të madhe, do të kemi më shumë mundësi zhvillimi, me bashkëpunim më të mirë do të kërkojmë përfitime të përbashkëta dhe me modelin e ri të zhvillimit do të përballojmë gjendjen e paqartë globale e do të nxisim lulëzimin dhe zhvillimin e përbashkët të ekonomisë globale,” theksoi Xia. (Jiang Lei)