AgroPark Tirana është tregu i ri agroushqimor i ngritur në Farkë, pak kilometra larg kryeqytetit. Ai është ndërtuar posaçërisht për fermerët, të cilët mund të shesin produktet e tyre me zero taksa, ndërsa konsumatorët do t’i blejnë më lirë prodhimet bio, të kontrolluara dhe të certifikuara sipas standardeve europiane, njofton “RTSH”.
Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, deklaroi se ky treg sjell ndërveprim midis fermerëve, tregtuesve dhe konsumatorit. “Nëpërmjet këtij bashkëveprimi do të rritet fitimi për fermerët dhe kursimi për konsumatorët. Do të mund të përmirësojmë sigurinë ushqimore duke minimizuar risqet”,- tha ministrja.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky investim u vjen në ndihmë fermerëve dhe zonave rurale. Sipas tij, tregu i ri do t’u kursejë tregtarëve 70% të kostove, që më parë paguanin te privati, e po ashtu do t’u ofrojë qytetarëve produkte bio më të lira. (Fatosi)