Nina Muho (Foto personale)
Nina
Muho ka lindur në qytetin e Vlorës, aty ku lindën dhe pasionet e saj të
shumta si kënga, kërcimi, piktura, sporti, duke u ndarë me çmime të
rëndësishme që me ekspozitën e saj personale në moshën 14 vjeçare.
Studimet për kanto i nisi në moshën 14-vjeçare në gjimnazin “Naim
Frashëri” në Vlorë, për të vazhduar më pas në Universitetin e Arteve të
Tiranës ,ku u diplomua me medalje ari si studente ekselence. Sopranoja
Nina Muho është soliste parë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit
të Tiranës. Ajo ka marrë disa çmime brenda dhe jashtë vendit si
“Performanca më e mirë Giuseppe Verdi” ¬ në konkursin për zërat e
femrave “Marcella Pobbe”, “Çmimi Special”, çmimin e Parë në konkursin
“Jorgjia Truja”, çmimin e tretë në konkursin “Marie Kraja” etj Ajo ka
interpretuar disa role të para si “Violetta Valery” nga opera La
Traviata e G. Verdit, Mimi nga opera La Boheme e G. Puccini, Michalela
nga opera Carmen e G. Bizet, “Rosalinde” në Die Fledermaus të
kompozitori J.Strauss, “Contessa” në operën Le nozze di Figaro dhe VA
Moxart.
Nina vazhdon aktivitetin e saj artistik në Teatrin Kombëtar të Operas
dhe Baletit me një repertor të gjerë rolesh të para, duke tërhequr
vëmendjen maksimale. Viti 2022 ishte mjaft i suksesshëm për të, sepse
përveç disa roleve në shfaqje të ndryshme në Opera, Nina e nisi vitin
dhe e mbylli me interpretimin e të njëjtin rol, Norina në veprën “Don
Pasquale”, të cilën e interpretoi në Shqipëri dhe në Itali. Për Radio
Ejani ajo rrëfen për jetën e saj artistike dhe sukseset ndërkombëtare.
Nina Muho në intervistë për Radio Ejani dhe CMG
CMG: Kënaqësi që kam në këtë intervistë solisten e parë të Operas dhe Baletit Nina Muho!
Nina Muho: Shumë faleminderit për vëmendjen tuaj!
CMG: Viti i kaluar ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm për karrierën
tënde artistike jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, në Itali. Ke
interpretuar në të njëjtën shfaqje e të njëjtin rol brënda vitit në dy
shtete të ndryshme. Na trego rreth kësaj experience?
Nina Muho: E vërtetë, ka qenë një vit i suksesshëm me aktivitete të
ndryshme brenda dhe jashtë vendit, me debute, me konkurse ku kam qenë
prezente në juri te një konkursi, e shumë të tjera. Ajo që ka qenë më
interesante ishte roli i Norinës, një rol me të cilin e nisa vitin 2022
dhe e mbylla vitin po me këtë rol. Nisi debuti im në vitin 2022 në
Operan e Xhuzepe Verdit dhe më pas e solla këtë këtë rol në shtëpinë
time, në Teatrin e Operas dhe Baletit në muajin dhjetor. Aktivitet
artistike brenda dhe jashtë vendit për mua janë të rëndësishme dhe janë
gjithmonë në rritje.
CMG: Eshtë një ngjashmëri edhe emri yt me emrin e rolit, ti je Nina dhe
në rol je Norina. Të ka ndodhur të të ngatërrojnë dhe të të thërrasin
Norina?
Nina Muho: Edhe në vepër Norinës i thërrasin Nina. Kur tenori këndon
Nina Xhentil, më drejtohet drejtëpërsëdrejti sepse dhe emri im është
Nina.
Nina Muho (Foto personale)
CMG: Si ishte bashkëpunimi me artistët italianë dhe ata shqiptarë, sa i
përket interpretimit të së njëjtës vepër “Don Pasquale” ku ti luaje
të njëjtin rol?
Nina Muho: Një rol debut dhe këto role janë gjithmonë impenjativë, por
kur e debuton dhe për më tepër jashtë vendit në Itali, ku është djepi i
muzikës klasike, ke përgjegjësi. Për kolegët jam e kënaqur, sigurisht që
kulturat dhe karakteret janë të ndryshme. Me dikë mund të kesh kimi,
gjë që në skenë mes artistëve është shumë e rëndësishme. Të piqen zërat,
ndjeshmëria, sensibiliteti është shumë e rëndësishme performanca dhe
muzikaliteti, që bën bashkë dhe është vërtetë sublim.
CMG: Si ishte kjo paraqitje në një vend të huaj si Italia dhe të
interpretoje veprën “Don Pasquale”, e cila është shkruar mbi një shekull
më parë?
Nina Muho: Unë kam qenë kasti i parë dhe në Itali në natën e parë vijnë
të shohin shfaqjen shtresa e aristokratëve, që e njohin shumë mirë
muzikën klasike. Ata janë pak të ftohtë në duartrokitje, pasi e njohin
në detaje veprën, personazhet dhe përsëri duatrokitjet nuk kanë
munguar. Testi është nata e parë pasi ka më shumë përgjegjësi, ka një
energji tjetër si në çdo teatër.
CMG: Cili ka qenë momenti më emociues pas shfaqjes?
Nina Muho: Për artistin fillojnë emocionet kur mbyllet perdja. Një urim
apo një kompliment sidomos nga njerëz që nuk i njeh dhe aq më tepër në
një vend të huaj është një vlerësim shumë i madh. Përveç të rriturve ka
qenë edhe një vajza e vogël, e cila kur po dilte nga teatri me
prindërit, i shkëputet nga dora dhe vjen tek unë, më përqafon dhe më
thotë: "Më ke emocionuar, kam qarë duke të dëgjuar". Me thënë të drejtën
nuk e prisja. Në ato momente edhe unë u rimbusha sepse fëmijët janë të
sinqertë dhe energjia që të japin në një urim, në një kompliment të vjen
e pastër. Në fund të fundit e gjithë puna që ne bëjmë është për këtë
gjë.
Nina Muho (Foto personale)
CMG: Eshtë vërtetë shumë bukur kur sheh fëmijë që ndjekin një vepër të muzikës klasike.
Nina Muho: Edhe këtu tek ne ka filluar edukimi tek fëmijët nëpërmjet
artit. Prej disa vitesh është një kalendar artistik edhe këtë vit do të
ketë shfaqje, madje edhe "Don Pasquale" do të vihet në skenë edhe për
fëmijët në Teatrin e Operas dhe Baletit .
Është mënyra më e mirë për kultivimin tek brezat e rinj, por edhe vazhdimësia e operas që duhet të ketë në breza.
CMG: Një vit i suksesshëm me Norinën, por edhe roli i Violetës tek
“Traviata” e Xhuzepe Verdit, ti i ke interpretuar gjatë vitit 2022. Cili
ka qenë më i spikaturi për ty?
Nina Muho: “Traviata” ka një histori tjetër në nismat e mia, kurse
Norina është vazhdimësi. Pas rolit të Norinës, në Catania në Teatrin e
orkestrës “Bellini”, unë si fituese e një kompeticioni shumë të
rëndësishëm " Voci Beliniani", një ndër 15 fituesit e zërave që u
zgjodhën në këtë konkurs, ku performova në rolin e Ritës nga Gaetano
Donizetti dhe pas këtij roli, mora pjesë në jurinë e konkursit "Magliano
ti amo ". Një vit më parë kam qenë fituese e çmimit të parë të këtij
kompeticioni dhe gjithashtu fituese e çmimit të publikut, e më pas në
vitin 2022 në juri. Kur kthehem interpretoj në rolin e Rozalindës nga
"Lakuriqi i natës" në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe pas
kësaj kisha një performancë të vogël në një moment historik për
Shqipërinë, por edhe për mua si artiste ku performova përpara Samitit.
Është një moment që të jepet rasti një herë ose kurrë, është një mesazh
shumë i bukur që më ka dhënë Universi dhe e kam lexuar si një mesazh
sikur më thotë: "ty të përket bota".
Nina Muha - Festa Capodanno Trieste
CMG: Zanafilla e suksesit nis pikërisht kur ti fitove çmimin e tretë në
spektaklin "Marie Kraja”, që ishte dhe çelësi i suksesit për ty edhe në
arenën ndërkombëtare.
Nina Muho: Në konkursin “Marie Kraja” unë pata një kontratë shumë të
rëndësishme ku interpretova në Operan "La Traviata" në Firenze. Mezi e
prisja këtë moment, kisha vite që punoja për një kontratë të tillë, por
nuk u realizua, sepse në momentin që do nisesha jashtë vendit, e gjithë
bota u mbyll nga pandemia Covid 19. Gjithësesi pata fatin të komunikoja
me menaxherin nëpërmjet rrjeteve sociale dhe një konkursi që u bë
online. Këtë do e konsideroja si teatrin tim të dytë, në Teatrin
“Xhuzepe Verdi” të Triestes, i cili ka qenë i pari që më ka dhënë
mundësinë të performoja jashtë Shqipërie, pa bërë një konkurs të
mirëfilltë, por vetëm nëpërmjet një videoje online, ku kisha performuar
në konkursin “Marie Kraja”. Në një farë mënyre u shpërbleva për herë të
dytë, pasi hera e parë nuk u realizua. Konkursi “Marie Kraja” është i
vetmi në Shqipëri dhe këtu gjej rastin të falenderoj producenten Zana
Çela, e cila ka mbajtur për gjithë këto vite këtë konkurs që është i
vetmi person që realizon një kompeticion të këtyre përmasave në zhanrin
klasik.
CMG: Ne po zhvillojmë intervistën në ambjetet ku ti ke studiuar. Na
trego cilat ishin ndjesitë e tua kur hape portën e Universitetit të
Arteve, këtu ku po zhvillojmë intervistën?
Nina Muho: Në këtë Universitet janë të paktë personat që hyjnë në kursin
e kantos apo të degëve të tjera. Edhe më i vogël është rrethi ku mund
të fillosh një punë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ka nisur në vitet
2004-2005 kur fillova Universitetin e Arteve. Sa herë hyja në këtë
Universitet unë nuk e besoja as vetë, sepse ishte një ëndërr për mua.
Ishte si të shkoje nga Shqipëria në “La Scala”. Për mua që vija nga
qyteti Vlorës, ishte një përgjegjësi të studioja në Universitetin e
Arteve në Tiranë , njëkohësisht kisha frikë, a do ta çoja deri në fund
këtë rrugë që kisha nisur.
Një sfidë e jashtëzakonshme të studiosh artet dhe aq më tepër kur nuk je
rritur në një familje artistësh, nuk e di sesi funksionon rruga e kësaj
muzike, nuk e di se çfarë të pret përpara, pra gjithçka e mëson gjatë
rrugës. Periudha pas Universitetit të Arteve ka qenë më e vështira e
jetës time. Është e vështirë të ndjehesh i vlerësuar, apo të të thotë
dikush që "ti vlen", është e vështirë që të kesh një ecuri profesionale
hap pas hapi, nuk ka një strukturë që të rritesh artistikisht.
Gjej rastin këtu të falenderoj profesorin regjisorin Nikolin Gurakuqi,
pasi ka qenë i vetmi që më ka mbështetur në Teatrin e Operas dhe
Baletit, por edhe një tjetër profesor Nestor Kraja, pasi kur mbaron
Universitetin e Arteve është shumë e vështirë për një artist. Gjej
rastin ta falenderoj shumë pasi kanë qenë të dy shumë dashamirës me mua
dhe më kanë mbështetur në ato fillime.
Nina Muha (Foto personale)
CMG: Nina, përpara se të vije në Universitetin e Arteve në Tiranë, në
qytetin e lindjes në Vlorë ke hapur edhe një ekspozitë pikture. Na trego
për këtë gjë.
Nina Muho: Drejtimi im që fëmijë ka qenë gjithmonë e lidhur me artin,
por edhe me sportin. Në shkollën 8-vjeçare ku shpesh herë këndoja,
recitoja, prezantoja koncerte, unë gjithashtu edhe pikturoja. Në moshën
14 vjeçare kam hapur ekspozitën e parë me ndihmën e profesorit tim në
shkollën “Teli Ndini”. Të vazhdoja për pikturë për prindërit ishte një
profesion që u jepte siguri.
Në momentet e fundit unë ndryshova mendim dhe shkova u regjistova për
Kanto. Aty nisi ndryshimi, pasi e ndjeja veten pjesë të skenës, aty
ndjehesha si në shtëpinë time.
CMG: Vepra që ëndërroje ta interpretoje në atë kohë cila ka qenë?
Nina Muho: Ka qenë vepra "La Traviata" dhe roli i Violetës.
CMG: Cili ka qenë momenti më kulminant në karrierrën tënde artistike?
Nina Muho: Ato që mbahen mend janë fillimet. Pasi u diplomova shkova
pranë TKOB ku mu dha mundësia të punoja në korin e teatrit, që kishte
një fond për të rinjtë, në periudhën kur ka qenë drejtor Zhani Ciko, të
cilin e falenderoj. Më pas interpretova në një konkurs për zërat
femëror në Teatro Olimpico në Vicenza dhe ishte hera e parë që dëgjova
fjalën "Ti vlen", ku edhe u vlerësova me çmimin "Interpretimi më i mirë
Xhuzepe Verdi”. Shkoja nga një realitet ku nuk konsiderohesha, sepse
askush nuk më kishte thënë që "ti ke një zë të mirë", pra ishte
ballafaqimi im i parë me veten, se unë brenda vetes e dija që vleja.
Ana pozitive e gjithë personave që nuk të thonë kurrë që "ti vlen", apo
të thonë që "nuk vlen", por përsëri vazhdon rrugëtimin, do të thotë se
ti je në rrugën tënde. Kushdo që e dëgjon këtë intervistë duhet të
dëgjojë e të kuptojë veten, të ketë besim tek vetja edhe nëse askush nuk
është me ta. Duhet të besojnë tek vetja.
E ftuar ne juri ne konkursin Magliano Ti amo
CMG: Unë të uroj shumë suksese dhe të arrish majat kudo ku ti i ke vënë
synimin vetes. Por a ka mbetur ende ndonjë ëndërr pa realizuar përveç
Italisë?
Nina Muho: Ëndrrat janë për fillestarët, pasi pasioni kalon në
profesion. Sigurisht që kam ëndrra ende, por shpërblimi më i madh për
mua është të qënurit pjesë e skenës së madhe. Një nga ëndrrat e mia
është të vazhdoj të jem pjesë e skenave të mëdha dhe sukseset e mia nga
jashtë vendit t’i sjell në shtëpinë time, në skenën operistike në
Shqipëri.
CMG: Cilat janë të rejat në kalendarin artsitik të TKOB?
Nina Muho: Ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë në shfaqjen që do të
vihet në skenën e TKOB pasi do ketë një program shumë të ngjeshur, do të
ketë rivënie dhe Opera “Don Pasquale” do të rivihet për fëmijët.
Intervistoi: Sava Lena
Don Pasquele TKOB 2022