Amarda Arkaxhiu: Jam fanatike e këngëve tradicionale popullore
2023-03-18 19:35:25

Këngëtarja e njohur nga Kavaja Amarda Arkaxhiu ka mbi dy dekada që interpreton në muzikën e lehtë dhe atë tradicionale shqiptare. Ajo është një nga zërat më të ëmbël të panoramës së muzikës popullore shqiptare, me një pjesë të madhe të këngëve që janë kthyer në hit-e dhe me disa prej tyre, të cilat kërkohen në gëzimet familjare. Amarda tashmë prej disa vitesh ka nisur një jetë të re në SHBA, por Shqipërinë e viziton shpesh ku merr pjesë në koncerte dhe gëzime familjare. Në një intervistë për Radio Ejani Amarda tregon për rrugëtimin e saj me këngën, aktivitetet brenda dhe jashtë vendit si dhe projektet muzikore në të ardhmen.   

Kenetarja Amarda Arkaxhiu (Facebook)

Kenetarja Amarda Arkaxhiu (Facebook)

CMG: Ju e keni nisur karrierën tuaj muzikore me muzikën e lehtë shqiptare, ku keni marrë pjesë dhe në festivalin e këngës në RTSH. Si ishte kjo eksperiencë?

Amarda Arkaxhiu: Kam qenë shumë e vogël, në fillimet e mia dhe kush nuk donte të merrte pjesë në atë festival madhështor të fundvitit, që gjithmonë mbahet çdo vit me artistët më të talentuar dhe më në zë të Shqipërisë. Unë erdha nga Kavaja në Tiranë për të ndjekur ëndrrën time muzikën dhe rastësisht u takova me kompozitorin Klodian Qafoku, i cili më dha një këngë. Ai më pyeti që unë këndoja vetëm muzikë popullore apo edhe muzikë të lehtë. Unë i thashë se në moshë të vogël kam filluar me muzikë të lehtë, pavarësisht se tre vjet më vonë kam vazhduar në muzikën popullore sepse doja të dija traditën shqiptare. Atëhere mua mu dha kënga, ku shkoi çdo gjë mirë dhe nuk e prita fare që do vlerësohesha me çmimin e tretë. Çdo gjë kaloi me sukses, ku në atë skenë testova dhe veten, kështu që u ndjeva shumë e kënaqur dhe e vlerësuar. 

CMG: Më pas ju vijuat karrierën duke interpretuar këngët popullore tradicionale shqiptare? 

Amarda Arkaxhiu: Në atë vit që mora pjesë në festivalin e madh të këngës, njëkohësisht isha duke bërë dhe një album tek kompozitori i madh Edi Balili. Në atë kohë këngët e Edit ishin shumë me famë. Albumi zgjati katër vite, por shkova edhe me muzikën e lehtë dhe me muzikën popullore, pavarësisht se muzikën e lehtë e ndërpreva sepse doja gjithmonë që të fitoja edhe pse unë u vlerësova si hera e parë që mora pjesë në festival. Nuk është se ishte çmimi i tretë vetëm për mua, por ishim me pikë të njëjta me Mariza Ikonomin, ku juria u mblodh dhe ne dolëm të dyja fituese të çmimit të tretë të festivalit. 

CMG: Në atë kohë ju publikuat albumin “Thashethemi”, ku këngët ishin të realizuara nga kompozitori Edi Balili. Sa këngë përmbante ky album dhe si u prit nga publiku?

Amarda Arkaxhiu: Albumi  titullohej “Thashethemi”, pavarësisht që kënga “Çunat e Tironës” u bë hiti i atij albumi dhe u prit mjaft mirë.

Amarda Arkaxhiu.(Facebook)

Amarda Arkaxhiu.(Facebook)

CMG: Kënga “Çunat e Tironës” ka gati 15 vite që është publikuar dhe pëlqehet akoma nga publiku, sepse ju keni goditur me tekstin, por dhe interpretimin e kësaj kënge.

Amarda Arkaxhiu: Kur filluam albumin u mblodhëm me Edin dhe po mendonin se çfarë mund të bënim, ngaqë këngët e vjetra popullore ishin kënduar aq shumë nga shumë artistë. Edi më tha sikur të bënim një këngë brenda trevës së Shqipërisë së mesme, por t’i bëjmë këngë të reja që kjo krijimtari e re të mbetet në folklor. Unë besoj se kënga “Çunat e Tironës” ka ngelur në folklor sepse kjo këngë këndohet në çdo dasëm, këndohet në çdo koncert që bëhet në Tiranë dhe në çdo eveniment tjetër. Në këtë album kam pasur tetë këngë dhe të gjitha kanë qenë të suksesshme. Kanë qenë këngët “Adeti i krushqisë”, “Çunat e Tironës”, “Dashuri vrastare” që ishte një baladë shumë e bukur. Gjithashtu ishte kënga “Thashethemi”, meqë unë vija nga Kavaja që është një qytet i vogël dhe merren me thashetheme, mua më ka ndjekur gjithmonë thashethemi sepse e kam filluar karrierën time e vogël. Njerëzit në njëfarë mënyre e adhuronin zërin tim, por nuk ju pëlqente që një kavajase të dilte këngëtare dhe të bëhej e famshme, sepse ishin fanatikë. 

Prindërit e mi kanë qenë fanatikë dhe nuk kanë dashur që unë të këndoj sepse ashtu ishte mentaliteti, por ka qenë gjyshja ime që e nxiti mamin tim, duke i thënë se unë nuk po bëja asnjë gjë të keqe, por thjesht po këndoja se kisha një talent të rrallë që nuk duhet të mbyllesha. Kështu që kënga “Thashethemi” erdhi nga qyteti i Kavajës.

CMG: Tani që ju jeni një këngëtare e preferuar nga të gjithë shqiptarët, a ndjehen prindërit dhe familja juaj krenarë për suksesin tuaj?

Amarda Arkaxhiu: Tani po, sepse atëhere ishte mentaliteti që kush ishte këngëtare mendohej se ndoshta nuk kishte një karakter, por unë them që karakterin një femër e formon vetë dhe nuk ka të bëjë fare profesioni që ti bën. Unë zgjodha të isha këngatare sepse i madhi Zot më dha këtë talent dhe duhet ta ndiqja. 

CMG: Ju që në hapat e para në muzikë jeni prezantuar si Amarda, një këngëtare unike në interpretim dhe skenë. Si kanë qenë komentet e adhuruesve tuaj? 

Amarda Arkaxhiu: Faleminderit për vlerësimin. Të gjitha komentet nëpër videot e mia kanë qenë pozitive nga publiku. I përshëndes dhe i falenderoj shumë për mbështetjen. Unë jam vetvetja gjithmonë, mundohem të jem vetvetja dhe përpiqem që të rri me këmbë në tokë.

Amarda Arkaxhiu (Facebook).

Amarda Arkaxhiu (Facebook).

CMG: Kohët e fundit keni publikur një këngën “Gocë Kavaje, mbes Tirone”,  që ja keni kushtur qytetit tuaj të lindjes Kavajës, por dhe Tiranës  Si lindi ideja e këtij krijimi popullor?

Amarda Arkaxhiu: Në fillim kur publikova këngën “Çunat e Tironës” shumë veta e dinin që unë isha nga Kavaja, por tiranasve u erdhi mirë dhe thanë që doli një këngë për “çunat e Tironës” sepse nuk kishte, por kavajasit mbetën keq. Ata e dinin që unë isha nga Kavaja, pavarësisht që mami është me origjinë nga Tirana dhe unë ngjaj nga fisi i mamit. Prandaj unë e klasifikoj veten më shumë tiranase se i ngjaj gjyshes. Kështu që unë i bëra qejfin vendlindjes time, duke sjellë një këngë për Kavajën dhe Tiranën, që mos t’u mbetet hatri. 

CMG: Si u prit kjo këngë nga artdashësit e qytetit të Kavajës?

Amarda Arkaxhiu: Kjo këngë u prit shumë mire dhe unë kam pasur tre koncerte në Itali ku kanë qenë shumë të suksesshme dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga Kavaja. Unë i përshëndes shumë që më kanë mbështetur në koncertet e mia në Itali. 

CMG: Këto vitet e fundit jeta juaj është mes SHBA-së dhe Shqipërisë qoftë dhe në fokusin e koncerteve tuaja. Si ka qenë eksperienca juaj me publikun e diasporës?

Amarda Arkaxhiu: Eksperienca ime ka qenë e vështirë në fillim sepse unë vija nga Tirana, por njerëzit kishin emigruar vite më përpara në SHBA dhe nuk më njihnin si këngëtare. Më njihte vetëm Tirana ose Kavaja, por jo pjesa e malësisë apo jugut. Kështu që me punë çdo vit nëpër koncerte dhe dasma  tani kam arritur në një stad që jam shumë mirë dhe jam ndoshta më e preferuara e familjeve shqiptare atje. 

CMG: Ju keni interpretuar edhe baladat shumë bukur, por cilën nga zhanret muzikore do të preferoni më tepër ?

Amarda Arkaxhiu: Në repertorin tim kam pasur më shumë këngë të kërcyeshme sepse me baladat disa njerëz ndjehen keq dhe unë nuk dua të ndjehen keq pavarësisht se kënga shëron shqpirtin, por nuk dua t’i çoj më shumë në depresion. Kështu që kam vendosur t’i këndoj baladat rrallë e për mall. Këndoj muzikën popullore, atë kontemporane, këndoj këngë tradicionale të jugut dhe veriut, por baladat shumë rrallë edhe pse më pëlqejnë shumë. Dy baladat e fundit kanë qenë “Valsi i dashurisë” dhe “Princesha e babit”, dy këngë të frymëzuara, njëra për çiftin dhe tjetra për babain dhe vajzën kur martohet.

Amarda (Facebook)

Amarda (Facebook)

CMG: Keni kënduar shunë këngë të vjetra popullore, duke i përcjellë ato mjaft bukur me zërin tuaj. Ju pëlqen t’i këndoni këto këngë nëpër evente?

Amarda Arkaxhiu: Jam fanatike e këngëve të vjetra tradicionale popullore, që tani i kërkojnë më pak. Para 10 vitesh ndoshta edhe mund të kërkoheshin, por tani si duket ka ndryshuar pak muzika dhe më vjen keq që njerëzit nuk i dëgjojnë më këto këngë. Këto këngë i dëgjojnë një pjesë shumë e vogël, por rinia pothuajse nuk i dëgjon fare. Mua më vjen shumë keq për këtë gjë dhe ndoshta prandaj e kam mbajtur gjallë këngën e Shqipërisë së mesme, sepse unë jam fanatike dhe dua që të rinjtë e sotëm ta përcjellin muzikën tradicionale të Shqipërisë së mesme. 

CMG: Sa rëndësi i kushtoni pamjes dhe veshjes kur jeni e ftuar në evente të ndryshme?

Amarda Arkaxhiu: Që të jesh një artist duket të kurohesh në të gjitha pikëpamjet, si nga zëri ashtu dhe paraqitja e jashtme. Unë i kushtoj shumë rëndësi paraqitjes. Kur mora pjesë te “Sofra Tiranase” e bëra enkas fustanin për këtë eveniment.

CMG: Si ju priti publiku tiranas te “Sofra Tiranase”?

Amarda Arkaxhiu: Publiku tiranas ishte flakë fare sepse më priti shumë mirë dhe më vjen mirë që nuk më kishin harruar. Kjo më bëri përshtypje sepse unë kisha shtatë vite që nuk merrja pjesë në atë koncert madhështor, por sa u përmend emri im ata brohoritën të gjithë dhe unë i falenderoj pa masë.

CMG: Pse në fillimet tuaja dolët vetëm me emrin Amarda? Ishte ky një emër artistik?

Amarda Arkaxhiu: Ishte një emër artistik dhe e vendosëm bashkë me Edin sepse ai ka ide, ngaqë unë isha një artiste e re. Edi kishte lançuar shumë këngë që ishin bërë hite nga këngëtarët e njohur. Kështu që ramë dakort që unë të dilja vetëm me emrin, sepse do të këndoja këngën “Çunat e Tironës”, por mbiemri im ishte Arkaxhiu dhe dihet që janë kavajas. Doja t’i bëja pak konfuzë njerëzit. 

Amarda Arkaxhiu ne interviste per CMG

Amarda Arkaxhiu ne interviste per CMG

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore për këtë vit?

Amarda Arkaxhiu: Uë kam një këngë që do të jetë në bashkëpunim jo me këngëtarë të muzikës popullore, por të muzikës së lehtë dhe shpresoj të pritet mirë nga pibliku. Është një këngë e kërcyeshme për çifte, për njerëzit e dashuruar dhe shpresoj që edhe publiku ta pëlqejë. 

CMG: Kërkoni gjithmonë që të shkoni në shijet e publikut me krijimet tuaja të reja muzikore?

Amarda Arkaxhiu: Unë kam dëshirë që të eksploroj në muzikë dhe nuk rri vetëm me një zhanër muzikor. Unë pëlqej të këndoj muzikën e lehtë, popullore të jugut dhe malësisë si dhe muzikën turbofolk.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Amarda Arkaxhiu: Ndiqeni sa më shumë Bio Folk sepse është emisioni i vetëm që flet për muzikën dhe traditën shqiptare ! Nëpërmjet këngës, asnjëherë nuk duhet të harrojmë se nga vijmë. Kështu që ndiqeni sa më shumë këtë emision dhe jeni sa më pozitivë! Faleminderit për intervistën dhe ju përshëndes të gjithëve.

Intervistoi: Gazmend Agaj