IOM: Ndryshimi i klimës nxit zhvendosjen në Bririn e Afrikës
2023-03-18 18:20:37

Briri i Afrikes (Foto Xinhua)

Briri i Afrikes (Foto Xinhua)

Emergjencat klimaterike duke përfshirë thatësirat, përmbytjet dhe zjarret që janë përshkallëzuar në rajonin e Bririt të Afrikës janë faktorët kryesorë të emigrimit të detyruar të civilëve, bëri të ditur Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM), një agjenci e specializuar e OKB-së, përcjell “Xinhua”.

Mbi dy milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit në Xhibuti, Etiopi dhe Somali për shkak të një periudhe të thatë të zgjatur, thuhet në një deklaratë të IOM-it, të publikuar në Nairobi, kryeqyteti i Kenisë, duke cituar statistika nga agjencitë humanitare.
Justin McDermott, zëvendësdrejtor rajonal i IOM-it për Lindjen dhe Bririn e Afrikës, tha se trajtimi i krizës klimaterike do të ndihmojë përpjekjet për të stabilizuar lëvizshmërinë njerëzore, paqen dhe rritjen e gjelbër.
Sipas McDermott, një përgjigje ndërkufitare ishte e domosdoshme për të ndalur krizën në rritje të emigrimit të detyruar dhe tensionet etnike të nxitura nga fatkeqësitë e shkaktuara nga klima si thatësirat në rajon.
Më shumë se 20 milionë persona po përballen me pasiguri akute ushqimore në Etiopi, Kenia dhe Somali mes thatësirës më të keqe që ka goditur rajonin e Bririt të Afrikës në katër dekadat e fundit, sipas agjencive të ndihmës.
McDermott bëri thirrje për koherencë të politikave dhe zbatim të shpejtë të ndërhyrjeve lokale, kombëtare dhe rajonale për të trajtuar emergjencat klimaterike dhe pasojat e tyre, duke përfshirë lëvizjen e detyruar.
Rajoni i Bririt të Afrikës shpesh përshkruhet si një pikë e nxehtë klimaterike, me dukuri të rregullta të thatësirave, përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe zjarreve që shkaktojnë zhvendosje në shkallë të gjerë të civilëve, duke përfshirë nomadët dhe fermerët. (Irma)