Universiteti i Arteve në Tiranë në rrugën e ndërkombëtarizimit
2023-03-18 18:17:51

Universiteti i Arteve (Foto Rtsh)

Universiteti i Arteve (Foto Rtsh)

Universiteti i Arteve në Tiranë po ecën në rrugën e ndërkombëtarizimit. Pas bashkëpunimit me Universitetin e Arteve të Leçes në Itali, në Tiranë kanë ardhur tre delegacione me rektorë e profesorë nga Akademia e Arteve të Bukura të Romës në Itali, Universiteti i Arteve të Bukura të Dresdenit në Gjermani, Universiteti i Arteve të Bukura të Budapestit në Hungari.

Me mbështetjen e Programeve të Komisionit Europian si dhe të mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, drejtuesit e universiteteve kanë diskutuar mbi krijimin e kurseve të përbashkëta, të një rrjeti europian të punëtorive për mësimdhënien dhe praktikën artistike, shkruan “RTSH”.
Në vemendje kanë qenë integrimi i metodave inovative pedagogjike dhe duke përfshirë teknologjitë digjitale, por edhe për njohje të kurrikulave. 
Kurrikula e re e Universitetit të Arteve në Tiranë do të shërbejë edhe si një model për universitetet e tjera europiane, me synim krijimin e një Universiteti Europian Virtual të Arteve deri në vitin 2025.
Zhvillimet në Universitetin e Arteve në Tiranë po ecin paralelisht me proceset e akreditimit dhe rankimit të universiteteve dhe shkollave të larta shqiptare. (Irma)