Albert Zholi është një emër i njohur jo vetëm i publicistikës shqiptare, por edhe shkrimtar, botues, redaktor, i dalluar për intervistat e shumta të publikuara, në Shqipëri dhe më gjerë.
Alberti është edhe veprimtar i njohur i çështjes shqiptare dhe ndërlidhës i kulturës arvanitase me atë shqiptare, njohës i greqishtes nga e cila edhe përkthen. E veçanta e krijimtarisë së tij është origjinaliteti, pasqyrimi objektiv i realitetit dhe qasja me kompetencë ndaj problemeve të ndryshme.
Ai është autor i 22 librave, ndërsa ka realizuar mbi 4 800 intervista me personalitete të artit, shkencës, cultures dhe politikës, duke bashkëpunuar me 33 gazeta dhe revista brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në fushën e botimeve Albert Zholi ka redaktuar 302 libra artistikë, publicistikë, tregime dhe poezi.
Zholit i janë dashur 6 vite të nxjerrë studimin e tij kushtuar 14 marsit, Ditës së Verës, një festë e dashur për shqiptarët. Sipas tij 14 Marsi, është festa e harmonisë e të gjithë shqiptarëve ku bashkohen pa dallim krahine, feje dhe bindje politike.
Sipas studjuesit Zholi, origjina e Ditës së Verës vjen nga lashtësia. Ajo është festë e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM‐it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet gjithmonë më 14 mars. Dita e Verës, e njohur si festa e ripërtëritjes së natyrës dhe e vazhdimësisë së jetës, është sot festë kombëtare dhe festohet si e tillë.
Për Radio Ejani Albert Xholi flet gjerësisht për këtë studim
CMG: Si zgjohen shqiptarët në 14 mars?
Albert Zholi: Mëngjesi i 14 marsit! Të gjithë zgjohen me të njëjtën lutje: Urojmë të jetë kohë e mirë! Rituali vijonte me përgatitjen nga i zoti i shtëpisë të pjatave “për të bërë kamë” (këmbë) te të afërmit etj. Këtu hynin pilafi me gjel, ballakume ose revani, vezë të ziera, arra, palë fiku dhe 2-3 bisqe me lule, zakonisht lule Misiri, që në Elbasan çelin herët. Kulti i kësaj dite të shenjtë “tempullin” e vet e ka pasur në trevat e Elbasanit, pasi në këto anë ndodhej faltorja e Zanës së Çermenikës (Diana Candaviensis). Në kohët e lashta perëndesha Diana mbahej si hyjnesha e gjuetisë, pyjeve dhe e gjithë natyrës. Ajo adhurohej jo veç në hapësirat ilire, por në mbarë brigjet mesdhetare. Statuja të saj janë gjetur jo veç në Apolloni, por dhe në brigjet e Afrikës Veriore e në Azi të Vogël. Fakti që një festë mistike e natyrës, u ruajt në qytetin e Elbasanit dhe u përcoll “e pastër” deri më sot, pavarësisht tallazeve historike, ideologjike e fetare, përbën një krenari dhe pasuri gjithëkombëtare. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan, po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.
Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishtërimi. Ajo kremtohej me 1 mars sipas kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, 14 mars).
Edhe pse kjo festë ndodh në pranverë, në kohët e lashta njiheshin vetëm dy stinë: Vera e cila niste në mars dhe mbaronte në shtator dhe dimri që niste nga shtatori në shkurt. Pra, nga ana shkencore kjo festë duhet të festohet me datën 21 mars, sepse në atë kohë dita dhe nata janë barazim.
Shumë vite më parë, në Elbasan festa kishte përmasa të mëdha. Një muaj më parë, por dhe më herët, sigurohej gjeli i detit, i cili së bashku me ballakumen dhe revaninë përbëjnë nishanet më përfaqësuese të festës. Gjeli i detit ka qenë tradicionalisht pjesë e Ditës së Verës. Gjeli ushqehej me shuka që të ishte i madh, i majmë, me pendë të shkëlqyeshme dhe “i fortë”. Pas kësaj date hynte mbretëria e Diellit (zotit të lashte pagan), dita fillonte të zgjatej dhe Dielli dukej përherë e më shumë.
Shumë kohë me përpara kjo festë festohej edhe më 1 mars, sepse marsi ishte muaji i parë. Sot ne të gjithë përdorim Kalendarin Gregorian, i vendosur nga papa Gregori, ky është kalendar i bazuar te Dielli.
CMG: Cilat janë disa nga simbolet kryesore të 14 marsit?
Albert Zholi: Simbolet janë disa, por më kryesorja janë ballokumet.
Kjo ëmbëlsirë është një tjetër mjet identifikues për qytetin e Elbasanit. Nëse shkon në këtë qytet, për festën e Ditës së Verës apo jo, nuk mund të kalosh pa marrë një ballokume Elbasani. Në të gjithë Shqipërinë bëhet kjo ëmbëlsirë, por receta e saktë qëndron vetëm në këtë qytet.
Verorja
Ky simbol i ditës së Verës prej lashtësisë është byzylyk i përgatitur nga fije peri të kuqe dhe të bardhë, i cili vendoset në dorë ose në portat e shtëpisë, në mënyrë që dallëndyshet t’i marrin dhe njerëzit e shtëpisë të kenë fat.
Lulet e ndryshme që përcaktojnë ardhjen e verës
Elbasanasit dhe shqiptarët, gjatë ditës së verës respektojnë natyrën dhe luten për një verë të shëndetshme dhe të mbarë. Lulet më karakteristike të qytetit të Elbasanit, por dhe një tjetër simbol i festës janë lulja e jaseminit, karafilit, trëndafilit, zymbylit, karakaftet etj. Të gjitha shtëpitë duhet të kenë mbjellë një nga këto lule për t’i dhuruar gjatë ditës së verës të afërmve.
Ndezja e zjarrit
Në disa zona të Shqipërisë ndizen edhe zjarre në natyrë. këto zjarre më pas kapërcehen me idenë e çlirimit nga shqetësimet dhe trishtimi i dimrit.
Degët e pemëve
Në disa krahina, fëmijët e vegjël mbledhin degë pemësh, kryesisht dafinash, dhe shkojnë derë më derë duke bërë “ciu, ciu” për t’i uruar fqinjët apo të afërmit një stinë të mbarë. Ata gostiten me ëmbëlsira dhe dhurata të vogla. Familjet i kushtojnë rëndësi personit të parë që hyn në shtëpi dhe nëse është një djalë i ri, thonë se sjell mbarësi.
Kulaçi me lek
Gjatë drekës së 14 marsit ndahet edhe kulaçi mes pjesëtarëve të familjes për të parë se kujt do t’i qëllojë leku, që është vendosur brenda tij. Leku simbolizon mirëqenie dhe mbarësi.
Faik Konica për ditën e verës
Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.
CMG: Lulet dhe këngët a personifikojnë këtë festë?
Albert Zholi: Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët. Prej kohësh elbasanaset njihen si kopshtare me nam dhe këngëtare të shpirtit. Lulet më karakteristike në Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet ne mënyrë që ato të shpërthejnë Ditën e Verës. Vitet e fundit ansambli i luleve është pasuruar me trëndafila dhe karafila të ardhur nga disa vende të botës, nga Egjipti deri në Holandë. Gjatë natës dhe Ditën e Verës këndohen me pasion të veçantë këngët e mjeshtrit të muzikës popullore qytetare Isuf Myzyrit si; “Një lulishte me trëndafila”, “Ç’u dëshruesh me të pa”, “Ma mirë n’pyll se sa n’qytet, “Si bilbili në pranvere” etj., që këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por në mbarë trojet shqiptare.
CMG: Ju keni thënë që kjo festë kalon në 4-faza, cilat janë ato?
Albert Zholi: Faza e parë është përgatitore, ku të gjithë njerëzit përgatisin të gjitha ushqimet dhe zbukurimet për shtëpinë e tyre dhe për të pritur vizitorët. Faza e dytë është nata e Verës, ku tradita thotë se nëpër shtëpi ose komunitete të vogla duhet të ndizet një zjarr i madh, e më pas konsumohet darka me ushqimet e rezervuara nga dimri, si zahire të ndryshme ose mishi i thatë. Ndërsa faza e tretë është zgjimi në orët e para të mëngjesit, për të larë sytë me ujin e vezëve të ziera një ditë më parë, ndërsa pritja e njerëzve tregon bujari në këtë ditë. Faza e katërt është përgatitja për piknikun e gjatë së bashku me familjarët. Edhe, pse nëse në vende të tjera të rajonit nuk festohet aq shumë, në vendin tonë është aq tradicionale sa festat fetare. Që prej lashtësisë kjo festë është cilësuar si harmonia e të gjithë shqiptarëve.
Intervistoi Megi Latifi