Teatri i Operas dhe Baletit nënshkroi suksesin e rradhës mes Orkestrës së Forcave të Armatosura dhe Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë. Kjo për të sjellë në shtëpi, aty nga ku u frymëzua dhe kompozitori Avni Mula, operetën “Karnavalet”.
“Karnavalet e Korçës”, përmbush amanetin e Avni Mulës, që pas Tiranës shfaqja bëri jehonë edhe në Korçë. Në skenë pas 45 vitesh u vu opereta “Karnavalet e Korçës” nga Trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit, në vendin nga ku buroi frymëzimi i kësaj vepre. Salla e Teatrit “Anton Zako Çajupi” në Korçë, 45 vite pasi artisti i madh Avni Mula krijoi veprën, ishte e mbushur plot me artdashës, të cilët e mirëpritën shfaqjen me krenari. Inva Mula, e bija e kompozitorit e nxori nga arkivi operetën gazmore të babait të saj, për ta risjellë edhe një herë tjetër në këtë skenë.
Sopranoja Inva Mula u shpreh për mediat: “Amanetet e mëdha, sidomos ato të prindërve kanë një fuqi të madhe, kanë një energji të madhe dhe ju ishit dëshmitarë të kësaj energjie. Nuk ka gjë më të bukur që në TKOB dhe këtu në Korçë të këndojmë shqip” theksoi Inva Mula.
Ndërsa sopranoja Renisa Laçka, në rolin e Afrovitit, tha: “Në Korçë emocionet këtë herë ishin shumë më të forta. Ajo jehona e madhe që patëm në Tiranë, e sollëm dhe këtu dhe morëm feedback fantastik. Ishte një publik fantastik dhe ne e kemi shijuar pamasë këtë vepër”.
Drejtuesja e Teatrit Kombëtar të Operas, Abigeila Voshtina, nisur nga suksesi i “Karnavaleve”, tha se herë pas here, trupa e operas do t’i rikthehet krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë.
“Jo vetëm që kjo vepër “Karnavalet” është në shtëpinë e vetë, por është dhe koherente për momentet që jetojmë. Ka qenë një nga objektivat e mia që krijimtaria shqiptare të gjejë një skenë në të cilën të shprehet, po në këtë mënyrë edhe ne i tregojmë botës që kemi krijimtarinë dhe veçantinë tonë. Kështu që duhet të përfaqësohemi denjësisht me atë që është krijimtaria jonë e re, e cila shprehet në shqip, kuptohet më mirë nga publiku shqiptar dhe kështu mund të shkojë e të transmetohet edhe jashtë” ka përfunduar Abigeila Voshtina.
“Karnavalet” u vu në skenë nga dy kaste të mrekullueshme artistësh, të cilët arritën një sukses të jashtëzakonshëm si në Tiranë ashtu edhe në qytetin e Korçës. Një meritë për këtë sukses ishte edhe falë interpretimit të Orkestrës Simfonike të TKOB-së, e dirigjuar nga Elda Laro, si dhe Korin e TKOB-së, dirigjuar nga maestro Dritan Lumshi, në bashkëpunim edhe me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura.
Sopranoja Inva Mula këtë herë erdhi në rolin e regjisores së kësaj vepre, si një homazh për krijuesit kompozitorin Avni Mula dhe Luigj Gurakuqin dy figura shumë të rëndësishme në historinë e TKOB.
Regjisorja Inva Mula e emocionuar tregoi se rikthimin i veprës duket sikur është shkruar sot.
Artdashësit shqiptarë e të huaj përjetuan gjallërinë e “Karnavaleve”, linjën e bukur të dashurisë, “pazaret e krushqisë” si dhe shëmbëllimin e familjeve borgjeze korçare
“Karnavalet e Korçës” kanë shumë vlera të larta artistike, sidomos për faktin se këndohen në gjuhën shqipe.
Pas jehonës në Tiranë dhe në Korçë opereta “Karnavalet e Korçës” është kërkuar që të shfaqet edhe në qytetin e Shkodrës.
Kjo operetë e shkruar nga Avni Mula dhe e vënë në skenë për herë të parë më 5 shkurt të vitit 1978, erdhi plot 45 vite më vonë, në përkujtim të 95 vjetorit të lindjes së kompozitorit të mirënjohur.
Sava Lena