OBSH, mbështetje në rastet e emergjencave dhe fatkeqësive në Ballkanin Perëndimor
2023-03-17 10:48:31

Autoritetet shëndetësore dhe spitalore nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, me mbështetje teknike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe asistencë financiare nga Bashkimi Europian, zhvilluan një trajnim në Durrës, në Shqipëri, për përdorimin e Treguesit të Sigurisë Spitalore (Hospital Safety Index – HIS) për vlerësimin e përbërësve strukturorë, jostrukturorë dhe funksionalë të spitaleve, si dhe zhvillimin e planeve spitalore të përgjigjes ndaj rreziqeve dhe fatkeqësive, shkruan “ATSH”.

“Aftësia për ofrimin pa ndërprerje të shërbimeve shëndetësore përmes një infrastrukture të tillë kyçe, siç janë objektet shëndetësore, në këto lloj situatash është një çështje jete a vdekjeje”,- tha Jetri Regmi, specialiste për Përgatitjen në Zyrën Rajonale të OBSH-së për Europën.

Sipas saj, spitalet duhet të jenë në gjendje të ruajnë kapacitetin maksimal të funksionalitetit të tyre gjatë dhe menjëherë pas urgjencave dhe fatkeqësive të mëdha.

Treguesi i Sigurisë Spitalore është një mjet që përdoret për vlerësimin e sigurisë së përgjithshme të spitaleve dhe përcaktimin e mundësisë së funksionimit të tyre të vazhdueshëm në situata emergjente. Ky tregues u zhvillua nga OBSH-ja në vitin 2009 si një mjet ndërkombëtar për vlerësimin e sigurisë së spitaleve, duke marrë parasysh mjedisin përkatës spitalor dhe rrjetin e shërbimeve shëndetësore që ekzistojnë në çdo vend.

“Ky është një mjet praktik që përdoret nga autoritetet shëndetësore dhe partnerët multidisiplinorë për të vlerësuar probabilitetin që një institucion shëndetësor të vijojë të jetë i sigurt dhe funksional në situata emergjente, dhe përfshin formularë vlerësimi, një udhëzues për vlerësuesit dhe një përllogaritës të treguesit të sigurisë”,- deklaroi Kai von Harbou, specialist në Departamentin e Përgatitjes për Sigurinë Shëndetësore në zyrat qendrore të OBSH-së.

Ai kontribuon në arritjen e një prej objektivave të Kuadrit Rregullator Sendai për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë 2015-2030, i cili synon reduktimin e ndjeshëm të dëmtimit nga fatkeqësitë të infrastrukturës kritike dhe ndërprerjen e shërbimeve bazike, mes të cilave edhe objektet shëndetësore dhe arsimore, përfshirë edhe nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshmërisë së tyre deri në vitin 2030.

Ballkani Perëndimor përballet shpesh me rreziqe fatkeqësish natyrore, të tilla si përmbytjet apo tërmetet. Për më tepër, pandemia Covid-19 tregoi qartësisht se sa e rëndësishme është siguria strukturore dhe funksionale e objekteve shëndetësore në përballjen me emergjencat shëndetësore. Në raste emergjencash, fatkeqësish apo situatash të tjera të krize, jeta dhe mirëqenia e popullatës së prekur duhet të mbrohet gjithmonë, dhe veçanërisht në çastet dhe orët e para menjëherë pas goditjes apo ekspozimit, pasi koha është me rëndësi jetike për shpëtimin e jetëve njerëzore. (Irma)