Këshilli Kombëtar i Integrimit/ Varhelyi: Keni mbështetjen time
2023-03-17 11:47:51

Keshilli Kombetar i Integrimit (Foto Rtsh)

Keshilli Kombetar i Integrimit (Foto Rtsh)

Në Tiranë u mbajt mbledhja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian me temën: “Çfarë pritet nga Shqipëria gjatë procesit të negociatave me Bashkimin Europian?”. Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, vlerësoi masat që ka marrë Shqipëria në lidhje me procesin e integrimit në BE.

Duke u ndaluar te pavarësia e gjyqësorit, ai kërkoi që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të funksionojë, shkruan “RTSH”.

“Si takim i parë jam i inkurajuar sepse vij nga një vend ku polarizimi politik është dukuri e përditshme. Ky organizëm është këtu për të punuar që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Mendoj se kjo është baza mbi të cilat ky organizëm duhet të punojë. Shpresoj që ky organizëm të vazhdojë. Tanimë do të mbështetet nga një ligj që ofron sfondin ligjor të nevojshëm. Jam i inkurajuar nga anëtarët e gjyqësorit që janë të angazhuar për të dhënë rezultate. Kjo është një punë e përditshme për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit për të ruajtur funksionimin e sistemit të drejtësisë, që të japë drejtësi në vetvete. Në çfarëdo mënyre që do të ndihmoj këtë organizëm mund të mbështeteni tek unë”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se miratimi në Kuvend i ligjit për dialogun politik, i vetmi në rajon, rregullon marrëdhënien mes qeverisë dhe parlamentit. Ai theksoi se Komisioni për Çështjet Europiane do të jetë parësor në rolin e vet ku do të adresohen çështjet që ndërlidhin punët e Kuvendit me procesin e anëtarësimit.

Ndërsa kreu i SPAK, Altin Dumani garantoi se ky institucion është i përkushtuar për të përmbushur detyrimet ligjore, ndërsa shtoi se prokurorët e SPAK ushtrojnë në pavarësi funksionet e veta. (Irma)