Kolapsi i bankave amerikane shkakton më shumë probleme në Europë
2023-03-17 10:31:21

Credit Suisse (Foto Xinhua)

Credit Suisse (Foto Xinhua)

Gjiganti bankar zviceran “Credit Suisse” humbi gati një të katërtën e vlerës së tij të mërkurën, mes pasojave në rritje nga kolapsi i dy bankave rajonale në Shtetet e Bashkuara.

E mërkura shënoi herën e dytë në tre sesione tregtare që nga kolapsi i “Silicon Valley Bank” në Kaliforni (SVB) dhe dështimi i mëpasshëm i “Signature Bank” në Nju Jork që stoqet financiare europiane u goditën rëndë, shkruan “Xinhua”.

Megjithatë, ndikimi dramatik në “Credit Suisse” në tregtimin e së mërkurës ishte kryesisht i papritur, pasi institucioni është tepër i madh.

Sipas të dhënave të vitit 2022 nga “Insider Intelligence”, “Credit Suisse” ishte banka e dytë më e madhe në Zvicër dhe e 17-ta më e madhe në Europë, me rreth 730 miliardë euro (772 miliardë dollarë amerikanë) aktive nën kontroll.

Institucioni zviceran pati rënie të aksioneve me 24 për qind në tregtimin e së mërkurës. Më herët, aksionet ranë me më shumë se 30 për qind.

Rënia e së mërkurës ishte sesioni i dhjetë me humbje radhazi për aksionet e kompanisë. Ata kanë humbur gati 40 për qind të vlerës së tyre që nga 3 marsi, kur aksionet tregtoheshin me 2.78 franga zvicerane.

Zhvillimet e fundit kanë rritur gjithashtu paqëndrueshmërinë për frangën zvicerane në krahasim me euron, dollarin amerikan dhe monedhat e tjera kryesore.

Bursat në të gjithë Europën u ndikuan gjithashtu nga humbjet e së mërkurës.

Indeksi DAX në bursën gjermane të Frankfurtit ra me 3.3 për qind; në Paris, indeksi CAC-40 ra me 3.6 për qind; aksionet ranë 4.6 për qind në Milano; në Madrid ato ranë me 4.3 për qind; dhe në Amsterdam me 2.9 për qind.

Banka Kombëtare e Zvicrës njoftoi të mërkurën vonë se do t'i siguronte “Credit Suisse” para në dorë nëse kërkohej për ta mbajtur atë në këmbë, megjithëse zyrtarët thanë se banka nuk ishte në rrezik kolapsi.

Ndërkohë, Banka Qendrore Europiane u njoftoi huadhënësve të tjerë të mëdhenj europianë që të monitoronin ekspozimin e tyre ndaj aksioneve të obligacioneve të “Credit Suisse”.

Bankat europiane kanë qenë nën presion gjatë 12 muajve të fundit, me normat e inflacionit në rritje mes furnizimit me energji dhe çështjeve të tregtisë të lidhura me konfliktin e vazhdueshëm mes Rusisë dhe Ukrainës. (Irma)