Industria bankare dhe digjitalizimi i saj në Shqipëri
2023-03-17 09:17:59

Sistemi i 11 bankave tregtare në Shqipëri e mbylli vitin 2022 me një fitim të konsoliduar. Treguesi i kredive të dhëna për biznesin dhe qytetarët shënoi rritje. Po ashtu edhe treguesi i depozitave bankare të qytetarëve. Nga ana tjetër, edhe përdorimi i pagesave bankare në distancë dhe i bankingut përmes internetit, u rrit 2022.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 6.28 milionë. Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22.4% ose me 1.15 milionë veprime më shumë.

Sistsemi bankar po digjitalizohet me shpejtësi. Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri dhe numri i përdoruesve të shërbimit është trefishuar, në krahasim me pak vite më parë.

Kjo situatë, sipas ekspertit të sektorit bankar, Dr. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, të bën optimist për më shumë shërbime bankare për qytetarin shqiptar në mënyrë digjitale, për t’ia lehtësuar jetën dhe aktivitetin.

Dr. Spiro Brumbulli  në intervistë për CMG

Dr. Spiro Brumbulli  në intervistë për CMG

CMG: Dr. Brumbulli, si e mbyllën vitin 2022 bankat e  nivelit të dytë, të cilat përfaqësojnë një ndër industritë kryesore të vendit në sektorin e shërbimeve?

Spiro Brumbulli: Paradoksalisht me ato që ndodhën në vitin 2022, dhe që gjithë perceptimi dhe shpresat në fund të tremujorit të parë filluan të reduktohen në ulje, në qëndrimin më të kujdesshëm në politika, sepse pritej ndikimi në nivelin makro, si rezultat i ndryshimit të situatës ndërkombëtare, në fakt, rezultoi që viti 2022 në fund të tij të paraqiteh një vit i mbarë, nga pikëpamja e veprimtarisë bankare.

Duke marrë për krahasim vitin 2007, viti përpara krizës financiare botërore 2008-2010, do të thoshim që viti 2022 është viti më i mirë, nga këndvështrimi i veprimtarisë bankare. Si nga volumet e rritura (dhe dihet që volumet janë seri dinamike dhe natyrisht nga viti në vit do të rriten), ashtu dhe nga pikëpamja cilësore. Pra, mbajtja e kredive jo performuese në nivelin më të ulët të gjithë këtyre viteve, si dhe niveli i fitimit, që është më i larti i viteve të fundit.

Po ashtu, edhe nga pikëpamja e zhvillimit drejt një banke digjitale, por edhe nga ajo e konsolidimit të sektorit bankar, ku tashmë kemi 11 banka, nga 17 që kishim në vitin 2007.

Ishte një vit i mbarë. Situatat ishin të tilla që lejonin të korrigjoheshin planet e biznesit për vitin 2022. Me qetësimin e situatës dhe me gjetjen e alternativave të reja, si për furnizimet fizike me mallra, ashtu dhe për shërbimet që u prekën nga lufta Rusi-Ukrainë, si dhe për të përballuar nivelin e inflacionit, i cili arriti nivele që nuk ishin parë në këto 10 apo 15 vitet e fundit, rezultoi që industria bankare i absorboi goditjet dhe doli me sukses, falë politikave shumë të matura dhe të kujdesshme

Industria bankare ia doli të vazhdonte aktivitetin e saj pa kufizime, pa shtuar kërkesat për të qenë tej mase konservative. Faktet treguan që politika e ndjekur ishte pozitive, e gërshetuar me politikat monetare dhe politikat fiskale, Ky gërshetim në nivelin makro dha rezultatet e duhura në ekonomi.

Kemi rritje të totalit të aseteve bankare me 11.4 përqind gjatë vitit 2022, kemi shtim të portofolit të huave, kredive të dhëna me 12.8 përqind. Po ashtu rritje të depozitave bankare me 13.7 përqind dhe shtim të fitimit bankar me 33 përqind. Janë të gjithë tregues dyshifrorë. Parë në këtë aspekt, viti 2022 rezulton një vit i mbarë i veprimtarisë bankare. Kjo ka ndodhur jo vetëm në Shqipëri. Nga të dhënat që kemi, ka qenë një vit i suksesshëm edhe në rajon e më gjerë në Evropë. Të dhënat paraprake që po dalin tregojnë që viti 2022 ka qenë një vit i suksesshëm, pavarësisht vështirësive.

  CMG: Në nivel të digjitalizimit, si e komentoni shtimin me 1 milionë e 150 mijë veprime më shumë të transaksioneve bankare për vitin 2022, në krahasim me vitin 2021, që qytetarët kanë kryer, duke përdorur celularin e tyre inteligjent ose kompjuterin? 

Spiro Brumbulli: Nuk është më një gjë e re, që të themi se të bësh veprimtari bankare, nuk është më e domosdoshme që të shkosh fizikisht në bankë. Kemi kaq vite që e promovojmë këtë. Bankat kanë zhvilluar infrastrukturën, numrin e produkteve të shërbimeve që ofrojnë. Pra, është investuar shumë. Është investuar dhe në marketimin e të gjitha këtyre që janë realizuar, për të tërhequr gjithnjë e më shumë klientelën.

Pra, ideja është që kush kërkon banking, shërbim bankar, nuk eshtë ë domosdoshme të shkosh fizikisht pranë një dege bankare. Ke dhe një alternativë tjetër, që bankingun mund ta bësh në rrugë digjitale. Ne shpesh flasim për bankë digjitale, por të mos krijojmë konfuzion. Për momentin, të flasim për vetëm bankë digjitale është e parakohshme. Nuk mund të themi që të gjitha gjërat do të kryhen vetëm nga shtëpia, sepse kemi gjenerata të ndryshme, njerëz me arsim të ndryshëm dhe me kultura të ndryshme, të cilët kanë jo të njëjtin perceptim dhe vlerësim ndaj digjitalizimit.

Banking (Foto Global Finance Magazine)

Banking (Foto Global Finance Magazine)

Psikologjikisht, prezenca fizike në bankë është akoma e domosdoshme, por alternativa tjetër, ajo e bankës digjitale, po gjen gjithnjë e më shumë hapësirë. Do të kemi një periudhë që do të gërshetojmë hapësirën digjitale me alternativën fizike. Gjithmonë trendi është drejt alternativës digjitale.

Kjo dëshmohet edhe nga fakti që numri i degëve fizike të bankave është ulur, falë edhe konsolidimit të sistemit, jo vetëm digjitalizimit. Nga 17 banka, janë vetëm 11 tani dhe një numër degësh janë mbyllur. Nga ana tjetër, nuk është më ai zgjerimi ekstensiv i bankave, sa më shumë degë dhe mbulim fizik territori.

Tani po punohet më shumë në anën cilësore. Në atë që quhet thithja e klientelës nëpërmjet kanaleve digjitale. Ofrimi i shërbimeve digjitale është domosdoshmëri sot, për të bërë banking.

Ne jemi të kënaqur me shifrat që ju përmendët, pasi gjithandej ke ATM dhe numri i POS, aparateve që mund të bësh pagesa me kartë është shtuar. Kemi një rritje të numrit të këtyre aparateve me rreth 18 përqind për vitin 2022. Kështu që njerëzit, përveç internetit, kanë mundësi të kryejnë blerje mallrash apo shërbimesh, duke përdorur kartën e debitit apo të kreditit në njësi të ndryshme biznesi: dyqane, restorante, hotele, etj.  

Karta, e-banking, internet banking janë të gjitha forma të reja që të bëjnë që jo domosdoshmërisht të shkosh në bankë. Pra jo vetëm transaksion me letër të printuar, në një mjedis bankar, ku ti si qytetar dhe klient i bankës, firmos. Tani ka shumë pagesa me kartë, me internet, me e-banking.

Na vjen mirë kur shohim që njerëzit e kanë përkrahur këtë mënyrë të re të veprimeve bankare dhe po përdorin gjithnjë e më shumë këto alternativa. E vështira është kur e përdor një herë dhe dy herë. Pra për herë të parë. Pastaj, ia ndjen lezetin mënyrës së re të banking dhe nuk ndahesh më.

CMG: Fiton besim.

Spiro Brumbulli: Fiton besim, merr edhe procedurën e re dhe nuk do të lëvizësh më. Bëhesh edhe dembel pastaj dhe thua: në vend që të shkoj në bankë, ka rradhë, s’ka rradhë, e realizon nëpërmjet formës alternative dhe atë kohë që fiton e përdor për një qëllim tjetër.

CMG: Të lehtëson jëten.

Spiro Brumbulli: Ekzakt të lehtësohet jeta. Jemi të fundit në rajon nga pikëpamja e volumit të transaksioneve. Vendet e tjera janë më përpara, por ritmi i rritjes tek ne është i krahasueshëm.

 

CMG: Ky është viti i pranisë së shërbimeve bankare online në portalin e-Albania, ku qytetarët marrin 95 përqind të shërbimeve publike të ofruara nga qeveria qendrore dhe bashkitë. Si po ecin pagesat e shërbimeve të e-Albania përmes internetit bankar? 

Spiro Brumbulli: E kemi thënë dhe sqaruar që është një projekt midis Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve të Informacionit(AKSHI), për të realizuar pagesat e shërbimeve publike që ofrohen nga e-Albania, nëpërmjet kanaleve alternative, pra digjitale. Projekti ka filluar dhe ne që në muajin janar 2023 kemi perfunduar të gjithë anën rregullative dhe proceduriale. Është miratuar dhe ky dokumentacion ju është shpërndarë të gjitha bankave, edhe Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, bankat janë duke bashkëpunuar me AKSHI-n për realizimin teknik.

Në dijeninë time, ka patur një kërkesë për një përditësim të elementëve të sigurisë. Si shoqatë i kërkuam AKSHI-t përditësimin dhe ngritjen në nivel më të lartë të disa parametrave, gjë që mori kohen e vet, derisa u realizua. Tani po punohet për vendosjen e lidhjeve dhe instalimin e programit të duhur pranë bankave dhe AKSHI-t.       

CMG: Kërkon kohë.

Spiro Brumbulli: Në fakt, jemi përtej afatit, sepse thamë që brenda shkurtit duhej të përfundonte. Ky proces po merr edhe marsin dhe të shohim se kur do të jetë banka e parë që të fillojë me shërbimin alternativ digjital të pagesave në e-Albania. Po filloi një bankë, do të thotë se janë zgjidhur të gjitha çështjet dhe hapet rruga të fillojnë edhe bankat e tjera. Besoj se është çështje javësh.

Jemi duke punuar që qytetarët, kudo ku ndodhen, të mos shkojnë fizikisht për të kryer pagesën. Qytetari, po të dojë, mund ta bëjë dhe në mënyrë fizike. Por ne i ofrojmë edhe mënyrën alternative digjitale, që është me më pak kosto, më e shpejtë dhe më rezultative.    

Banka_e_Shqipërisë_ (Foto BSH)

Banka_e_Shqipërisë_ (Foto BSH)

CMG: A rrezikojnë masat për një siguri kibernetike më të lartë të ulin ritmet e digjitalizimit dhe të shndërrimit të bankave tona në banka edhe digjitale për qytetarin?

Spiro Brumbulli: Viti i kaluar na dha një mësim të mirë praktik. Jo se ne nuk ishim në dijeni, nuk ishim të përqëndruar dhe të vëmendshëm ndaj sigurisë kibernetike. Në kuptimin që nuk mund të kesh digjitalizim, në rast se ti lë jashtë vëmendjes sigurinë e përparimit teknologjik. Çdo përparim teknologjik, përveç anës pozitive që sjell, ka edhe efekte anësore, që mund të shfrytëzohen nga palë të treta. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe e para që duhet të paraprijmë, është siguria. Flasim për industrinë bankare, ku produkti me të cilin qytetari shërbehet, është gjithmonë paraja. Matet çdo gjë me para. Kështu që siguria është e para. Është më e rëndësishme siguria, se sa koha kur mund të ta jap unë këtë shërbim apo këtë lehtësim. Sepse unë mund të ta jap më përpara në kohë, por në rast se ti je i rrezikuar, ti nuk fiton, përkundrazi humbet. Kurse unë si bankë humbas në reputacion dhe ka pastaj edhe pasoja të tjera.

Kështu që kujdesi është i shtuar. Nga ajo që tregoi viti i kaluar, nga sulomi kibernetik i organizuar në verë, ne nuk është se më përpara nuk ishim ndeshur me sulme kibernetike.

Sulme ka përditë nga grupe hakerimi të ndryshme. Në vitin e kaluar ishte një strukturë hakerimi e kompletuar dhe e sofistikuar, qoftë nga pikëpamja e aftësive të tyre profesionale, qoftë nga financimi. Ishte një sulm shtetëror ndaj një shteti tjetër.

Nuk u përdor kallashnikovi, por u përdor interneti. Protokollet e sigurisë përditësohen gjithnjë. Nuk mund të thuash që i mora të gjitha masat në vitin 2022 dhe do qëndroj në vend në 2023-in, pasi teknologjia përparon. Siç përparojmë ne pozitivisht, edhe hakerat sofistikohen, që të gjejnë sa më shumë të çara në muret mbrojtëse që përgatisim. Kjo është e përditshme. Ne jemi me fat se, nga të gjithë sulmet që tentuan të preknin sistemin, nuk arritën të preknin sistemin operacional kryesor, atë që ne e quajmë core business. Ka një dëmtim anësor, në sistemin që ne e quajmë periferik. U morën masa për të ndrequr dëmin dhe tani situata është shumë e stabilizuar. Nuk ka humbje financiare dhe kjo është kryesorja. Sikurse nuk ka më rrjedhje të informacioneve. Por siguria kibernetike është punë e përditshme.

Sa ndikon kjo tek shpejtësia e digjitalizimit? Nuk them që nuk ndikon, sepse janë të lidhura domosdoshmërisht. Nuk mund të bësh digjitalizim, pa patur edhe sigurinë.

Dhe kjo jo vetëm për digjitalizimin e pagesave. Ne kemi një sërë programesh të tjera që po i ndjekim. Pagesat për shërbimet publike përmes AKSHI-t është një projekt. Kemi edhe projektin tjetër “Open banking”, i cili fillon më 1 janar 2024 dhe është shumë i rëndësishëm. Ky projekt u jep mundësinë të gjitha kompanive fintech që të punojnë dhe i liron qytetarët nga zgjedhja e vetëm një institucioni financiar për të bërë një transfertë, apo e një shitësi që kërkon të shesë me kredi, që të marrë informacion për blerësin. Pra, ka shumë avantazhe, por ka edhe risqet e veta, pasi të gjithë këta që do të kërkojnë akses në banka duhet të jenë të sigurtë. Të gjitha lidhjet që do të krijohen duhet të jenë me parametra të standardizuara, nga më të mirat për sigurinë.

Kemi po ashtu projektin e ligjit për identifikimin elektronik. Pra hapjen e llogarisë bankare në distancë, pa patur nevojë të paraqitesh fizikisht në bankë. Ligji është duke u përfunduar.

Kemi edhe projektin e ligjit të nënshkrimit elektronik. Pra, nuk do të të duhet më që të shkosh në bankë për të firmosur dokumenta. Mund të bësh nga kompjuteri, nga celulari një kontratë depozitimi apo një kontratë kredie, apo pagese, në qoftëse të duhet. Pra të gjitha këto do të kryhen në mënyrë digjitale.

Kemi edhe projektin “Instant payment(pagese e menjëhershme)”, që është projekt i madh me Bankën e Shqipërisë dhe do të përfaqësojë revolucion të jashtëzakonshëm në fushën e pagesave, sepse nuk do të kesh më nevojë që të kërkosh aparatin për pagesën me kartë, që të bësh veprimin, por veprimi do të kryhet në kohë reale, nga llogaria tënde në llogarinë e shitësit, në çdo njësi biznesi.

Pra, ti si qytetar mund të lëvizësh krejtësisht pa para brenda territorit të vendit në çdo pikë që të jesh. Mjafton që të kesh para gjendje në llogarinë tënde dhe nga llogaria tënde ti bën pagesën, ndërkohë që ai që të shet një mall apo shërbim, e merr pagesën në kohë reale. Pra pagesa i konfirmohet në moment, njëlloj sikur të paguajë në para të thata.

Janë një sërë projektesh dhe të gjitha këto lidhen patjetër me zhvillimin e infrastrukturës, por edhe me programet softuerike dhe me trajnimet e njerëzve për të fituar aftësitë e përdorimit të teknologjisë së re. Kërkohet cilësi në edukimin si të punonjësve të bankave, por edhe të opinionit publik, të qytetarëve, për t’i përdorur këto alternativa në mënyrë të sigurtë. Thirrrja jonë është që digjitalizimi përfaqëson avantazh të madh, por duhet të jemi të kujdesshëm.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli