Çmimet e ushqimeve në Suedi shënojnë rritjen më të lartë në 7 dekada
2023-03-17 10:17:33

Treg ne Suedi (Foto Sveriges Radio)

Treg ne Suedi (Foto Sveriges Radio)

Çmimet e ushqimeve në Suedi u rritën mbi 20 për qind për 12 muajt e fundit, duke regjistruar rritjen më të lartë në mbi shtatë dekada, njoftoi Zyra e Statistikave, citon “Xinhua”.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike u rritën me 20.95 për qind midis shkurtit 2022 dhe shkurtit 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të 12 muajve të mëparshëm, tregoi Indeksi i Çmimeve të Konsumit (CPI) të Statistikave të Suedisë.

Sipas Statistikave, kjo është rritja më e madhe vjetore e çmimeve të ushqimeve në Suedi që nga fillimi i viteve 1950.

“Gjatë viteve 1970 dhe ‘80, çmimet e ushqimeve gjithashtu u rritën shumë, por jo aq shpejt sa tani. Ne duhet të kthehemi në vitin 1951 për të gjetur periudhën më të fundit dymbëdhjetëmujore kur çmimet e ushqimeve u rritën me mbi 20 për qind”,- tha John Eliasson, statisticien i çmimeve në Zyrën e Statistikave të Suedisë.

Çmimet e ushqimeve u rritën gjerësisht, ku gjalpi, vezët dhe produktet e qumështit u rritën me më shumë se 30 për qind në 12 muajt e fundit. Çmimet e perimeve u rritën edhe më shumë, ku preshi dhe lulelakra u rritën me gati 80 për qind.

Në muajin shkurt, çmimi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rrit me 2.74 për qind krahasuar me muajin janar.

Inflacioni i përgjithshëm në Suedi ka qenë i lartë gjatë muajve të fundit. Të dhënat nga Statistikat e Suedisë treguan gjithashtu se norma e inflacionit të vendit arriti një rekord 31-vjeçar prej 12.3 për qind në dhjetor 2022. Pas një rënie të lehtë në 11.7 për qind në janar të këtij viti, ai u rrit përsëri në 12 për qind në shkurt. (Irma)