Përparimet e shpejta në teknologjinë e inteligjencës artificiale kanë sjellë kohët e fundit si entuziazëm, ashtu edhe shqetësim në vendet e punës në mbarë botën. Kjo teknologji ka ringjallur debatin se çfarë quhet punë që mund të bëhet vetëm nga njeriu dhe cilat punë mund të zëvendësohen nga makinat.
"Pavarësisht nga lloji i punës, me zhvillimin e kohës dhe përparimin e teknologjisë, po shkurtohet jeta e ciklit të punës," thotë Dai Tianfang, kryetekniku i Kompanisë së Prodhimit të Makinerive “Hangxing” të Pekinit, një kompani kineze që prodhon pajisje të hapësirës ajrore.
Dai Tianfang punon në fabrikën e kompanisë prej 34 vjetësh dhe tani zotëron patenta për mbi 10 shpikje të ndryshme. Ai e çmon teknologjinë si një "forcë" që mund të çlirojë punën dhe produktivitetin.
Duke u hedhur një sy fillimeve, Dai Tianfang kujton se ai e nisi punën në fabrikë kur ishte në moshën 19 vjeçe. Atëkohë kërkohej shumë punë fizike.
Por industria e hapësirës ajrore gjendet në krye të prodhimit të nivelit të lartë dhe shumë shpejt u vjetrua ideja se forca fizike është më e nevojshme se truri në punë fabrike.
Si një teknik operacionesh, Dai Tianfang-ut iu kërkua të krijonte modelimin 3D duke integruar teknologji elastike prodhimi. Kërkesa për saktësi lejon vetëm hapësirë për gabim brenda 1/5 e një fije floku për pjesët që prodhohen.
Foto nga VCG
Dai Tianfang është gjithashtu ligjvënës, është një ndër rreth 3000 deputetët e Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës. Në dy sesionet që u mbyllën kohët e fundit, ai solli disa ide.
Propozimi i tij është që të përgatiten më shumë talente ndërdisiplinore në Kinë.
Ai shpjegoi se një teknik ndërdisiplinor është një inxhinier në vend. Kur ka ndonjë gabim ose problem, tekniku do ta dijë menjëherë teorinë që qëndron pas atij problemi, duke e zgjidhur menjëherë.
Gjatë dy sesioneve të vitit 2022, Kina rishikoi ligjin e arsimit profesional në përkrahje të mësimit të mjeshtërive dhe të ndjekjes së shkollave teknike për të rinjtë. Në raportin e punës së qeverisë të këtij viti u theksua gjithashtu zhvillimi me fuqi i arsimit profesional.
Me përparimin e sektorit të prodhimit të Kinës, është shtuar shumë kërkesa për një forcë pune të përgatitur me njohuri të mira teknike. Robotët e zgjuar, informatika cloud, realiteti virtual etj. po përdoren gradualisht në prodhim.
Dai Tianfang vuri në dukje se mund të zgjasë pak më shumë procesi i ndërgjegjësimit shoqëror mbi meritat e punëve teknike. Ai shpreson që më shumë njerëz do të kenë interes për industrinë e prodhimit të pajisjeve të nivelit të lartë dhe do ta zgjedhin atë si karrierën e tyre në të ardhmen. (Fani)