Bie ndjeshëm vlera e aksioneve të bankave në botë
2023-03-16 10:51:54

VCG

VCG

Vlera e aksioneve të bankave në Azi dhe Europë kanë rënë ndjeshëm, pavarësisht se presidenti amerikan Joe Biden garantoi se sistemi financiar i Amerikës ishte i sigurt pas falimentimit të dy bankave huadhënëse të mëdha të vendit të tij. 

Rënia e aksioneve vjen pasi autoritetet amerikane ndërmorën hapa për të ruajtur depozitat e klientëve. Presidenti Biden gjithashtu premtoi se do të bëhej ç'ishte e nevojshme për të mbrojtur sistemin bankar. 

Por mes investitorëve është përhapur frika se banka të tjera mund të goditen nga falimenti, bën të ditur “RTSH”.

Indeksi japonez i aksioneve bankare “Topix” ra me më shumë se 7 për qind, duke shënuar kështu ditën më të keqe në më shumë se tre vite. Aksionet e grupit financiar “Mitsubishi UFJ Financial Group”, huadhënësi më i madh i vendit, ranë me 8.1 për qind në tregun aziatik.  

Të hënën, aksionet e “Santadner” të Spanjës dhe “Commerzbank” të Gjermanisë ranë me më shumë se 10 për qind.  

Një numër bankash më të vogla amerikane kanë pësuar humbje më të rënda se homologet e tyre europiane, pavarësisht se klientët e tyre u siguruan se këta huadhënës kishin mjaftueshëm likuiditet për të mbrojtur veten nga tronditjet e tregjeve.  (Elona)