Rruga e mbështetjes së sipërmarësve të rinj
2023-03-16 09:45:58

Start up (Foto Finances Online.com)

Start up (Foto Finances Online.com)

Turizmi, bujqësia, shërbimet apo agroturizmi janë sektorët që kanë ende potenciale dhe hapësira për të rinjtë që të krijojnë biznese. Në një intervistë për Tv Scan ministrja e shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes Edona Bilali është ndalur tek nevojat e vendit për sipërmarrje të reja. Bilali thekson që për turizmin qeveria ofron edhe një ligj të posacem per statusin e investitorit strategjik.

“Faktikisht po të ecim edhe me shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, dalin rrjedhimisht edhe hapësira ku mund të bëhet biznes. Ne nisim fillimisht me turizmin ku me kalimin e viteve edhe sipërmarrësit shqiptarë e kanë përmirësuar shumë ofertën turistike, jo vetëm për pushuesit vendas por edhe ata të huaj. Kjo tregon lehtësisht që shihet edhe me numrin e lartë të turistëve që nga viti në vit gjen veç rritje, duke kulmuar si asnjëherë më parë në vitin 2022. Gjithashtu po të shohim dhe përmirësimin e strukturave akomoduese jo vetëm ka përmirësim dhe investim infrastrukturor, por edhe investim në marrëveshje ndërkombëtare për të marrë marka dhe përfaqësi zinxhirësh hotelierë globalë. Kjo tregon standard krejt tjetër që Shqipëria tashmë ka. Nuk është rastësore pasi qeveria ka një ligj të posaçëm që është ligji për statusin e investitorit strategjik në të cilin në momentin që një biznes dëshiron të hyjë ne Shqipëri, turizmi është një nga këta sektorë. Automatikisht hyn në linjën me procedura të dedikuara dhe përshpejtuara nga Agjencia e Investimeve për të mundësuar gjithë lehtësimin e burokracive deri ne fillimin e investimit. “- shprehet ministrja.

Kërkesa e turistëve por edhe vetë shqiptarëve për shërbimet e agroturizmit është në rritje. Ato janë një atraksion i lakmuar shumë gjatë fundjavave dhe në çdo stinë të vitit.

Ministrja Edona_Bilali (Foto Këshilli i Ministrave)

Ministrja Edona_Bilali (Foto Këshilli i Ministrave)

“Kemi sektorë të tjerë siç është bujqësia që nis nga fermat tek përpunimi, duke vijuar me agroturizimin që është një ndër potencialet e dhjete viteve të fundit kjo dhe falë mbështetjes së qeverisë nëpërmjet dy skemave, kombëtare të AZHBR por edhe të programit të IPARD që është bashkëfinancuar mes qeverisë shqiptare dhe BE-së. Shohim që numri i agroturizmeve rritet eksponincialisht çdo vit dhe kjo bën që të lidhen dy sektorë siç  është bujqësia dhe turizmi. Më së miri duke çuar para nga Vermoshi në Konispol. Sigurisht pastaj me shumë interes shihet edhe tregu i energjisë alternative, ku ne kemi një sërë investimesh nga më të ndryshmit, duke nisur nga hidrocentralet e vogla dhe duke vijuar me energjinë e rinovueshme me panelet ku një pjesë e madhe e kompanive të bizneseve të mëdha vendase e kanë përqafuar si një formë për të reduktuar një kosto jo të vogël, e cila aq më tepër për shkak te krizës rezultoi me shumë vlerë – tha Bilali.

Qeveria, sipas ministres ka projekte konkrete për mbështetjen e të rinjve që duan të vetëpunësohen.

“Është shumë e rëndësishme të bëjmë dallimin mes një biznesi të ri dhe një start up-I, ndërkohë që biznes i ri mund të jetë çdo ide nga çdo moshë. Dhe për këtë qeveria ka një tjetër program që po zbatohet dhe quhet programi i vetëpunësimit ku qeveria mbështet me një fond çdo individ që dëshiron të vetëpunësohet dhe të ketë sipërmarrjen e vet dhe të mos punojë në një kompani të tretë.”

Programi për startup-et vijon të implementohet.

“Në momentin që ministri i shtetit menaxhon një fond të vendosur nga qeveria shqiptare për katër vite është një premtim që ne e dhamë në fushatë dhe e futëm në programin e punës dhe po implementohet. Në vitin 2022 patem thirrjen e parë por diferenca mes start up dhe nje biznesi të sapo themeluar është modeli i ndryshëm i biznesit që ai zbaton dhe mundësia për ta përshkallëzuar dhe ne çdo rast teknologjia është pjesë e pandarë e startup-eve. Ne mendojmë që në vitin 2023 do të vijojmë me mbështetjen për këtë kategori.”- thotë Bilali.

Biznes (Foto Ministria e Shtetit per Sipermarrjen)

Biznes (Foto Ministria e Shtetit per Sipermarrjen)

Ministrja ndalet edhe tek vështirësitë e ndryshme të kompanive, por lajmi i mirë sipas saj është fakti se nuk ka asnjë kompani të madhe që ka dalë nga tregu dhe që të ketë shpallur faliment.

“Eshtë e vërtetë që është një moment i vështirë për biznesin megjithatë ishte një moment i vështirë edhe vjet në pandemi dhe me pasojat e tërmetit një vit më parë por ka një term që është përshtatshmëria e të qenurit gjithmonë avangard me ndryshimin e kushteve te jashtme. Ky është një tipar klasik i biznesit shqiptar dhe jam shumë e kënaqur në të tre vitet, sepse pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme bizneset shqiptare ia kanë dalë më së miri. Këtë ne e shohim fillimisht nga qarkullimi, nga faturimi që kanë bërë gjatë vitit, i cili është në rritje dhe në një trend pozitiv. Nuk kemi kompani të mëdha që kanë dalë nga tregu apo shpallur falimentin. Nuk kemi asnjë rast të tillë apo ndonjë investitor strategjik që të jetë larguar nga Shqipëria.”

Nga 2500 raste në total të shqetësimeve, nga të cilat 887 ankesa, 40 kanë marrë zgjidhje sipas ministres së shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes.