Drafti i ri/ Pagat mbi 60 mijë lekë do të tatohen 13% nga shteti
2023-03-16 14:41:12

Drafti i ri i përmirësuar për tatimin mbi të ardhurat personale është gati për t’u debatuar, sipas procedurës përkatëse.

Me draftin e ri, pagat deri në 50 mijë lekë do të kenë normë tatimore mujore zero për qind. Të gjithë ata që kanë pagë mujore nga 50 mijë lekë deri në 60 mijë, nuk do të paguajnë tatim mbi pagën deri në shumën 35 mijë lekë, por do të paguajnë 13 për qind të shumës mbi 35 mijë lekë, sqaron “RTSH”.

Ndryshimi tjetër i rëndësishëm prek të gjithë ata paguhen mbi 60 mijë lekë në muaj. Kështu, për pagat nga 60 mijë deri në 200 mijë lekë, pagamarrësi do të paguajë 13 për qind të shumës mbi 30 mijë lekë, ndërsa për pagamarrësit mbi 200 mijë lekë, do të paguhet një shumë e përbërë nga shumë 22 mijë e 100 lekë plus 23 për qind e shumës mbi 200 mijë lekë.

Ndryshimet e mësipërme janë paraqitur në komisionet e Kuvendit dhe pritet diskutimi i tyre dhe më pas dërgimi për miratim në seancën plenare. Ekspertët e fushës këmbëngulin se ky projektligj nuk i jep zgjidhje problemeve, si të vjetra, ashtu dhe atyre që lindin nga digjitalizimi i ekonomisë dhe tregtisë. (Elona)