Ushtria kineze do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit
2023-03-16 20:22:55

Tajvani është i Kinës dhe i popullit kinez dhe Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës (UÇP) do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin e integritetin territorial të vendit dhe nuk do të lërë asnjë hapësirë për forcat e "pavarësisë së Tajvanit", theksoi të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës Tan Kefei në një konferencë për shtypin.

Foto: VCG

Foto: VCG

“Situata në ngushticën e Tajvanit është vazhdimisht e tensionuar. Shkaku kryesor për këtë është se autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (PDP) përpiqen të bashkëpunojnë me forcat e huaja për të kërkuar 'pavarësinë', çka është provokim dhe kundër interesave thelbësore të popullit kinez. Bashkatdhetarët në të dy anët e ngushticës kanë rrënjë të përbashkëta. Ne dëshirojmë të krijojmë një hapësirë të madhe për bashkimin paqësor, por nuk do të lejojmë asnjë hapësirë për veprimtaritë separatiste të forcave të 'pavarësisë së Tajvanit'. Është e arsyeshme që UÇP-ja të zhvillojë veprimet ushtarake përkatëse përballë ndërhyrjeve të jashtme dhe veprimtarive separatiste,” tha zëdhënësi.

Tan theksoi se çështja e Tajvanit është punë e brendshme e Kinës, thelbi i interesave themelore të Kinës, si dhe vija e kuqe e parë në marrëdhëniet dypalëshe që nuk mund të kalohet. Pala kineze kundërshton komunikimet zyrtare dhe ndërveprimin ushtarak të çdo forme ndërmjet ShBA-së e Tajvanit dhe kundërshton çdo formë të ngritjes së nivelit të marrëdhënieve thelbësore ndërmjet tyre. 

“I kërkojmë palës amerikane që të heqë dorë nga plani i saj për kontrollin e Kinës me anë të Tajvanit e të ndalojë veprimet përkatëse në çështjen e Tajvanit. Përballë veprimeve separatiste të autoriteteve të PDP-së dhe ndërhyrjes së forcave të jashtme, UÇP-ja është e gatshme të mbrojë me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit,”theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Li Huailiang/Artan)