Eduart Gjopalaj, artisti i mrekullive në dru
2023-03-16 16:47:06

Eduart Gjopalaj, artist i drurit nga diaspora sot drejton me sukses tre njësi shitje të punimeve  artistike në Greqi.  Në vitin 1990 ai vendosi të provonte emigracionin si shumë shqiptarë, në kërkim të një jete më të mirë.  Eduarti është një mjeshtër i  përpunimit të drurit, që profesionin e ka fituar në mënyrë autodidakte.  Sot veprat e tij vleresohen në të gjithë botën. Për Eduartin, Santorini është jeta e tij tashmë dhe falë talentit, vendi ku ka hapur tre galeri private ku ekspozon veprat.

“Në fillim fillova pasditeve pas pune kur kisha kohë të lirë, ku rastësisht gjeta dhe vegla për skulptor.  Kur bëra dhe skulpturën e parë ishte dhe habi për mua. Skulptura e parë ishte monumenti antik me përkrenaren e Skënderbeut. Aty kuptova se duhet ta ndjek këtë fushë. Aty filloi çdo gjë.  Dyqanin e parë e hapa në 2005, por ishte e vështirë sepse punoja ditën që të paguaja qiranë dhe shpenzimet. “, rrëfen ai.

Eduart Gjopalaj ( burimi foto personale)

Eduart Gjopalaj ( burimi foto personale)

Eduart Gjopalaj ( burimi foto personale)

Në një intervistë për Radio Ejani artisti i gdhendjes së drurit Eduart Gjopalaj flet për jetën dhe veprimtarinë e tij artistike

CMG: Si ka nisur pasioni juaj për gdhendjen në dru?

Eduart Gjopalaj: Unë që fëmijë kisha prirje në art, vizatoja, gdhendja me brisk copa druri. Gjithashtu kisha ëndërr të studioja artet, diçka që nuk u realizua se emigrova i vogël dhe kushtet këtej nuk u përshtatën për të studiuar art. Atëherë pasi provova shumë  lloje punësh, nisa punën si  marangoz. Aty u specializova në bërjen e mobiljeve. Kontakti i përditshëm me drurin dhe duke e përpunuar për mobilje më solli më pranë ëndrrës sime. Krejt rastësisht në një servis ku dërgoja makinën pashë një kuti të braktisur plot me pluhur me dalta të vjetra për gdhendje në dru (këtu duhet të shpjegoi se daltat dhe veglat e dorës që përdornim në punishte janë ndryshe dhe nuk bëjnë për skulpturë). E pyeta mekanikun se pse ishin ato vegla aty dhe nuk dinte kush i kishte lënë.  Më tha se mund t’i merrja. I thashë do t’i marr, por do t’i paguaj. I mora, i pastrova, i mpreha dhe ishin thesar për mua. Aty rifilloi angazhimi im në skulpturë në dru.

Eduart Gjopalaj ( burimi foto personale)

Eduart Gjopalaj ( burimi foto personale)

CMG: A keni pasur vështirësi për faktin që nuk keni qenë në Shqipëri për të zhvilluar profesionin tuaj?

Eduart Gjopalaj: Nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë e vështirë madje, por jam mësuar që me çdo gjë në jetë duhet të përballemi dhe të jemi të ndërgjegjshëm që do të ecim gjatë dhe larg dhe rruga nuk do të jetë gjithnjë e drejtë, por do të vijë një ditë që do t’ia dalim për të arritur aty ku duam. Unë prita dhe durova  në rrugëtimin tim aspak të lehtë. Sot numëroj suksese, për të cilat ndihem shumë krenar që i kam realizuar. Të jesh në një vend të huaj sfidat shtohen sepse pavarësisht që unë nuk jam ndier i paragjykuar në këtë aspekt ,por ka pasur edhe kjo pjesë sifdat e saj. Ka pasur momente që mezi paguaja qiranë  e dyqanit. Ndërsa sot që flasim në dyqan vijnë njerëz nga e gjithë bota për të blerë dhe mezi arrij të besoj që ëndrrat e dikurshme janë realitet i jetës sime.
Kemi përparuar dhe ecur mirë, ndaj raporti mes nesh dhe shtetasve në Santorini duket që është edhe më i mirë vitet e fundit, pasi kemi krijuar një imazh pozitiv përshkak të punës që ne bëjmë në këtë zonë. Kemi ndërtuar shumë biznese, të cilat i ofrojnë shumë këtij ishulli. Ndoshta pa shqiptarët Santorini s’do të ishte kaq i popullarizuar pasi shumica e bizneseve aty, drejtohen nga shqiptarë,  po ashtu edhe punonjësit në biznese të ndryshme janë nga Shqipëria.

Eduart Gjopalaj ( burimi foto personale)

Eduart Gjopalaj ( burimi foto personale)

CMG: A vlerësohet sa duhet puna artizanale?

Eduart Gjopalaj: Nuk punojnë sa duhet në këtë sektor të rinjtë. Janë të orientuar drejt teknologjisë dhe nuk e konceptojnë të punojnë punë të tilla, të vështira. Puna artizanale kërkon një përqendrim shumë të madh dhe kohë, të jesh i dedikuar në këtë pjesë. Unë do doja që të rinjtë ta shihnin me sy pozitiv këtë pjesë dhe pse jo të dedikoheshin tek puna në gdhendje, pasi është edhe fitimprurëse.

CMG: Si ka qenë moment i parë kur keni arritur të realizoni punën e parë?
Eduart Gjopalaj: Kur bëra të parën nuk u besoja syve se nuk mendoja se mund të realizoj një gdhendje me dru. E dija se mund të vizatoj, por jo të kompletoj një skulpurë, është tjetër gdhendja e shkopinjve me brisk dhe tjetër një skulpturë e përmbledhur. Skulptura e parë ishte Obelisku që është me qendër të Lezhës. Është ai muri antik aty me përkrenaren e Skënderbeut dhe shpatat e Besëlidhjes se Lezhës. Aty filloi gjithçka, kuptova destinacionin tim që s’ishte gjë tjetër vetëm dedikimi në sculpture. Mbas shumë vitesh tani unë ndihem se ja dola, se fillimi ishte shumë i vështirë. Kur hapa galerinë në fillim në vitin 2005 nuk fitoja pothuajse asgjë dhe punoja ditën si marangoz që të paguaja qiratë dhe shpenzimet, se skulpturat nuk shiteshin në atë kohë. Mu deshën gati 5 vjet që të fillonin fitimet. Sot dërgoj me postë çdo javë skulptura në çdo cep të botës dhe pa eksagjerim nuk mund të gjej ndonjë shtet që nuk kemi derguar.

Eduart Gjopalaj ( burimi foto personale)

CMG: Cilat shtete të botës e duan më tepër punën në dru?

Eduart Gjopalaj: Nuk janë të gjitha vendet, që e vlerësojnë punën në dru. Duhet një inteligjencë shumë e lartë dhe një lidhje e ngushtë me artin. Kështu vendet skandinave janë ato që e duan dhe e çmojnë më tepër punën në dru.

CMG: A ka qenë familja juaj mbështetje në këtë rrugëtim?

Eduart Gjopalaj: Familja ka qenë shoqëruese e imja në çdo hap. Motra ime është krahu i djathtë pasi punon me mua këtu, më ka ndjekur në çdo hap timin dhe besoj që të gjithë nga pak ndihen krenarë për mua.
Por unë jam edhe krenar për veten pasi sakrifikova gjatë për të qenë në këto nivele. Miku më i mirë i njeriut është besimi tek vetja.

Eduart Gjopalaj ( burimi foto personale)

Intervistoi  Megi Latifi