Të hënën u mbyll në Pekin sesioni i parë i legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës. Në fjalimin e mbajtur në sesion, presidenti kinez Xi Jinping theksoi se, në rrugën e rilindjes kombëtare, duhet të ndiqet rruga e zhvillimit me cilësi të lartë, të krijohet bashkësia e fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe të promovohet hapja me botën e jashtme në nivel të lartë. Mediet e huaja janë të mendimit se planifikimi i Kinës për të ardhmen i ka sjellë botës ngrohtësi.
“Që nga tani deri në mesin e këtij shekulli, ndërtimi i një vendi të fuqishëm socialist dhe promovimi i rilindjes së kombit kinez janë detyrat kryesore të gjithë vendit.” Në dy sesionet e këtij viti, “modernizimi i Kinës” ka qenë një shprehje kyçe që ka tërhequr vëmendjen. Për të arritur këtë objektiv të madh, “zhvillimi me cilësi të lartë” dhe “hapja me botën e jashtme me nivel të lartë” do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm.
Tani ekonomia kineze ka kaluar nga rritja me shpejtësi të lartë në rritjen me cilësi të lartë. Kjo do të thotë që Kina po përpiqet për të promovuar rritjen efektive ekonomike. Nga forcimi i kapaciteteve tekniko-shkencore dhe promovimi i transformimit e përmirësimit të sektorëve ekonomikë, deri në zhvillimin ekonomik-shoqëror të gjelbër e me lëshim të ulët karboni, vitet e fundit zhvillimi me cilësi të lartë i Kinës ka pasur rezultate të dukshme. Në vitin 2022 eksporti i produkteve me teknologji të lartë të gjelbër u bë një element i spikatur në eksportet kineze. Ndër to, eksporti i automjeteve elektrike u rrit 131.8 % në krahasim me vitin 2021, kurse i produkteve fotovoltaike 67.8 %.
Për anëtarin e Këshillit Egjiptian të Punëve të Jashtme, z. Helmy, promovimi nga Kina i zhvillimit me cilësi të lartë jo vetëm ka sjellë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kinës, por edhe ka promovuar qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë industrialë e furnizues, zhvillimin e tregtisë globale dhe rritjen e ekonomisë botërore.
Foto nga VCG
“Zhvillimi i Kinës i sjell botës përfitime dhe është i pandarë nga bota. Ne do të promovojmë hapjen me botën e jashtme në nivel të lartë duke përdorur tregun e burimet globale, për të nxitur zhvillimin e përbashkët të botës.” Fjalimi i presidentit kinez Xi Jinping ka shprehur vendosmërinë e Kinës për zgjerimin e pandërprerë të hapjes me botën e jashtme.
Si ekonomia e dytë më e madhe e botës, kontributi mesatar i Kinës për rritjen e ekonomisë globale në dekadën e fundit e ka kaluar 30 %. Nga zgjerimi i rrjetit të zonave të tregtisë së lirë dhe organizimi i Ekspozitës së Importit, i Panairit të Mallrave të Import-eksportit, i Panairit të Tregtisë në Shërbime, i Panairit të Konsumit etj., deri në ndërtimin e “Një brez, një rrugë”, Kina po promovon hapjen me botën e jashtme, duke u sjellë vendeve të ndryshme përfitime. Në vitin 2022 vlera e përdorimit real të investimeve të huaja nga Kina arriti mbi 189 miliardë dollarë, afro 50 miliardë dollarë më shumë se tre vjet më parë, duke shënuar rekord të ri. Kjo tregon se investitorët e huaj janë optimistë për tregun kinez.
Ky vit shënon 45-vjetorin e nisjes së reformës e të hapjes me botën e jashtme të Kinës. Në raportin e punës së qeverisë vihet në dukje se do të promovohet anëtarësimi në marrëveshjet ekonomiko-tregtare me standard të lartë, si CPTPP etj., dhe do të zgjerohet hapja sipas rregullave e standardeve përkatëse. Studiuesi i Qendrës Studimore Argjentinë-Kinë të Universitetit të Buenos-Airesit të Argjentinës Santiago Bustelo u shpreh se, me shtimin e proteksionizmit në botë, Kina promovon pandërprerë hapjen me botën e jashtme dhe kërkon krijimin e marrëdhënieve me përfitime të përbashkëta, duke u sjellë vendeve të ndryshme mundësi për zhvillimin e tyre.
Sot, teksa ekonomia globale përballet ende me vështirësi, sinjalet e lëshuara në "dy sesionet" e Kinës i kanë sjellë botë ngrohtësi. Pritet që zhvillimi i Kinës t'i shtojë më shumë faktorë të qëndrueshëm zhvillimit paqësor të botës. (Fani)