Aktivitet me motora (Foto personale)
Shoqata sportive motoristike “Enduro Albania” është krijuar në vitin 2014 dhe ka organizuar aktivitete të ndryshme në garat me motora. Në muajin prill Enduro Albania do të organizojë në sheshin “Nënë Tereza” festivalin e motorave “Moto Festival Eduro Albania”, ku përveç garës me motora do të jetë dhe një spektakël artistik. Në një intervistë për Radio Ejani drejtuesi i shoqatës sportive motoristike “Enduro Albania” Gerhard Lilaj tregon për pasionin për motorat dhe aktivitetet sportive motoristike që ka organizuar brenda dhe jashtë vendit.
Gerhard Lilaj ne interviste per CMG
CMG: Kur ju lindi pasioni për motorat dhe ideja e krijimit të shoqatës sportive motoristike “Enduro Albania”?
Gerhard Lilaj: Unë pasionin për motorat e kam nisur në moshën 17 vjeçare, kur arritëm të blinim dhe motorat tonë që kemi pasur atëhere primitive. Në vitin 2014 unë e themelova si shoqatë dhe një grup djemsh nisëm udhëtimin tonë nëpër Shqipëri. “Enduro” realisht është fjalë ndërkombëtare që përdoret dhe ka kuptimin e “offroud”, që është “jashtë rruge”. Duke ju përshtatur emrit tonë “Enduro Albania” filloi dhe kategoria jonë e motorave për t’ju përshtatur terreneve malore, terreneve turistike dhe për të promovuar Shqipërinë. Unë e nisa në vitin 2014 dhe kjo shoqatë në vitin 2017 u formalizua, duke u bërë ligjërisht një shoqatë motoristike sepse na u desh që edhe nëpër institucione apo aktivitete që të ishim të formalizuar për të vazhduar aktivitetet tona sportive.
CMG: Ka qenë e vështirë për ju krijimi i kësaj shoqate sportive motoristike në Shqipëri?
Gerhard Lilaj: Nuk ishte e vështirë sepse kjo gjë për ne është pjesë e pasionit, dhe i gjithë grupi motoristik jemi të gjithë pasionantë dhe mendojmë të njëjtën gjë në lidhje me motorin.
CMG: Si nisën aktivitetet sportive motoristike në Shqipëri?
Gerhard Lilaj: Unë garoj që prej vitit 2016 në gara kombëtare dhe ndërkombtare, dhe nga eksperienca ime nisëm që në vitin 2017 të krijonim dhe aktivitetet tona si shoqatë sportive. Në vitin 2017 kemi zhvilluar një ndër garat më të mëdha tek sheshi “Nënë Tereza”, duke pasur element sportiv garën dhe spektaklin. Qëllimi dhe gjithë ky rrugëtim që kemi pasur është dëshira për pasionin e motorit, kemi dhënë mesazhin që në motor duhet të vishesh, në motor duhet të mbash skafandër, të respektosh rregullat e qarkullimit. Pra ka qenë një formë mesazhi që informojmë edhe publikun, që motoristat të mos shihen me syrin e agresivitetit, por të shihen me elementin e sportives dhe të frymës së mirë për motorin.
Logo e shoqates sportive motoristike Enduro Albania (Foto personale)
CMG: Gjatë aktiviteteve në garat me motora ju keni promovuar edhe Shqipërinë turistike, vendet e bukura në çdo cep të saj.
Gerhard Lilaj: Mua më vjen mirë për këtë frymë dhe për këtë teme që preke sepse ne Shqipërinë e kemi shumë të bukur dhe u sugjeroj të gjithë shqiptarëve të vizitojnë Shqipërinë dhe vendet malore. Pasioni dhe dëshira që kemi pasur ne e kemi përhapur si tek miqtë tanë të huaj, por dhe te shqiptarët. Ne kemi shumë shoqata që janë ndërkombëtare, që ndjamë të njëjtin pasion, terrenet që kanë gjetur këtu në Shqipëri, vendet tona si historike apo sportive. Jemi një vend që krenohemi vërtetë, dhe kur na vijnë miqtë kemi se çfarë t’ju tregojmë dhe se ku i çojmë.
CMG: Cilat kanë qenë vendet që ju keni shkelur gjatë garave me motor?
Gerhard Lilaj: Ne përveç aktiviteteve që organizojmë kemi edhe një garë që ka 15 vite që bëhet në Shqipëri, ajo quhet Rally Albania. Aty u jepet mundësia të gjithë shqiptarëve, por kryesisht dominohemi nga tregu i huaj dhe gara është rreth 2200 km, ku përshkruhet itinerari nga veriu deri në jug të Shqipërisë. I gjithë itinerari i garës është 90 për qind “offroad” sepse për momentin kemi goxha mundësi dhe kemi shumë vende për t’i vizituar. Ne kemi shumë vende turistike malore të pashkelura në masën e shqiptarëve, që janë për motorat tonë dhe për pasionin që ne ndjekim.
CMG: Keni zhvilluar dhe gara ndërkombëtare me motora?
Gerhar Lilaj: Ne kemi pasur gara ndërkombëtare, madje tani po përgatitemi për një garë europiane shumë e famshme që zhvillohet në Austri. Kjo garë është për herë të parë që ne si shqiptarë do të marrim pjesë. Kemi dhe një grup nga Kosova që do të marrin pjesë si ne në këtë garë që do të zhvillohet në muajin qershor në Austri.
Moto Festival Enduro Albania (Foto personale)
CMG: Ju po përgatiteni për një aktivitet të rëndësishëm në muajin prill “Moto Festival Enduro Albaia”. Çfarë mund të na zbuloni nga ky aktivitet i madh motoristik?
Gerhard Lilaj: Ne jemi në festën e 12-të, pra që prej vitit 2017 dhe deri tani. Ne kemi dhënë një mesazh, ku i kemi dhënë mundësinë çdo qyteti në Shqipëri për garën që zhvillohet në ambiente publike. Kjo garë do të zhvillohet te sheshi “Nënë Tereza” në datën 14 prill dhe kemi të ftuar dy djem që janë pilotët më të mirë dhe më të famshëm për momentin në Gjermani dhe do të vijnë të performojnë me motorat e tyre. Gjithashtu për herë të parë në Shqipëri do të zhvillojmë një garë me vajza sepse kemi shumë vajza në Shqipëri që kanë mësuar motorat dhe e ngasin motorin ashtu siç duhet ngarë në Shqipëri. Kemi dhe garën e tretë që quhet “Super moto”, është gara jonë tradicionale, një garë shumë e fortë me pilotë shumë të fortë shqiptarë dhe duhet të përshëndeten djemtë e super moto-s sepse kanë mbajtur gjallë me kostot dhe saktificat e veta që të jemi këtu ku jemi sot. Ky festival do të përmbyllet me një koncert artistik në mbrëmje, ku u jepet mundësia edhe qytetarëve, sportistëve dhe gjithë dashamirësve të motorave që ta shohin nga afër këtë aktivitet. Ky aktivitet është i hapur për të gjithë, është falas për të gjithë dhe i ftojmë të gjithë miqtë më 15 prill në aktivitetin tonë.
CMG: Ju keni krijuar dhe biznesin tuaj me motorat, ku keni të gjitha paisjet e nevojshme për motoristat. Çfarë ofroni tjetër për motoristat?
Gerhard Lilaj: Unë nga eksperienca ime shumëvjeçare me motor, nga aktivitetet tona dhe bota motoristike kam krijuar dhe një biznes timin personal, ku ofroj trajnime për motor, bëj patentat e motorit këtu, por kam dhe disa motora që i përshtatet kategorisë tonë. Gjithashtu organizoj udhëtime dhe guida në vendet malore të Shqipërisë për të promovuar vendin tonë. Kjo gjë ka funksionuar sepse është një punë qe e bëj me pasion dhe dëshirë, por e dua dhe Shqipërinë. Shqipërinë tonë të bukur përpiqemi që t’ja tregojmë çdo të huaji, por dhe shqiptarëve sepse shumica e shqiptarëve nuk e kanë parë Shqipërinë tek vendet malore dhe rrugët e pashkeluara.
Gjate nje gare me motora (Foto personale)
CMG: Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga Shqipëria dhe të investoni në një vend të huaj?
Gerhard Lilaj: Unë personalisht nuk e kam menduar kurrë këtë gjë sepse di se çfarë bëj dhe e bëj me shumë pasion. Kur gjënë e bën me shumë pasion çdo gjë shkon mirë. Unë i ftoj të gjithë njerëzit dhe dashamirësit, por dhe të gjithë shqiptarët t’i rikthehen Shqipërisë për shumë arsye, si me agroturizëm, me turizëm dhe bujtina. Janë për t’u vlerësuar shumë fshatrat tonë që i kanë kthyer edhe shtëpitë e veta në bujtina sepse dhe ne i kemi pika referimi për të çuar turistët dhe miqtë, si për të fjetur por edhe për ushqimet tona tradicionale.
CMG: Si ka qenë mikpritja e banorëve të këtyre zonave kur ju keni shkuar për guidat turistike?
Gerhard Lilaj: Ne ushqimin e kemi shumë të mirë dhe shumë të ndryshëm, duke filluar nga veriu me ushqimet tradicionale ku gatuhet mishi dhe gjërat e rënda por të bukura. të yndyrshme siç i përshtaten klimës dhe vendeve. Gjithashtu dhe vendet e bregdetit kanë një menu shumë të pasur, por dhe juglindja zona e Korçës, Pogradecit, Ersekës dhe Përmetit që kanë një kuzhinë që mund ta krahasosh me art, dhe të huajt pas çdo guide që ne bëjmë dhe çdo mirëseardhje në Shqipëri në vend të parë vendosin ushqimin.
Gara me motor (Foto persopnale)
CMG: Sa anëtarë ka shoqata juaj sportive motoristike “Enduro Albania”?
Gerhard Lilaj: Ne për momentin jemi rreth 30 anëtarë të shoqatës, por rrethohemi nga shumë miq. Kjo na ka bërë të ecim përpara sepse të gjithë këta njerëz janë me profesione të ndryshme, por pasionin e kemi të njëjtë. Ne kemi pasur një brand europian të motorave, ku për herë të parë ka organizuar në vitin 2022 një turizëm tre javor, duke i bërë një promovim Shqipërisë që për mendimin tim është gjëja më e rëndësishme turistike që ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë. Shqipëria po bëhet lokacion për shumë turistë, sidomos për turistët e natyrës. Ne Shqipërinë e kemi shumë të bukur, ku për çdo kilometër që do ecësh do të shohësh të tjera ngjyra, të tjera male apo të tjera fusha.
CMG: Së fundi një mesazh për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Gerhard Lilaj: Unë ju falenderoj për intervistën. Mesazhin e vetëm që kam për njerëzit është që t’i kthehen natyrës dhe Shqipërisë sepse janë gjërat që bëhen me shumë dashuri në Shqipëri.
Intervistoi: Gazmend Agaj