Raporti: Importet e armëve në Europë rriten pavarësisht rënies globale
2023-03-15 17:22:25

Importi i armeve (Foto Bloomberg)

Importi i armeve (Foto Bloomberg)

Importet e shteteve europiane të armëve kryesore gjatë pesë viteve midis 2018-s dhe 2022-shit u rritën ndjeshëm në krahasim me ato të periudhës 2013-2017, pavarësisht se transfertat globale të armëve u ulën gjatë së njëjtës periudhë, sipas një studimi suedez.

Në raportin e tij të fundit të shitjeve globale të armëve, Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) bëri të ditur se gjatë periudhës 2018-2022, importet e armëve kryesore nga shtetet europiane u rritën me 47 për qind nga pesë vitet midis 2013-s dhe 2017-s, ndërsa transfertat globale të armëve u ulën me 5.1 për qind gjatë së njëjtës periudhë, përcjell “Xinhua”.

Gjatë periudhës së deklaruar, importet e armëve në Afrikë, Amerikë, Azi dhe Oqeani dhe Lindjen e Mesme ranë përkatësisht me 40 për qind, 21 për qind, 7.5 për qind dhe 8.8 për qind, sipas raportit.

Ndërkohë, shtetet e Organizatës Europiane të Traktatit të Atlantikut të Veriut rritën importet e tyre të armëve me 65 për qind kryesisht për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë.

Raporti thekson gjithashtu se dominimi i SHBA-së në tregtinë globale të armëve u rrit, pasi pjesa e saj në eksportet globale të armëve u rrit nga 33 për qind në 40 për qind, ndërsa pjesa e Rusisë ra nga 22 për qind në 16 për qind.

Në rajonin e Azi-Paqësorit, importet e armëve të Koresë së Jugut, Japonisë dhe Australisë u rritën përkatësisht me 61 për qind, 171 për qind dhe 23 për qind, me Shtetet e Bashkuara si furnizuesi kryesor për të tre vendet. Në Lindjen e Mesme, furnizuesi më i madh i armëve janë gjithashtu Shtetet e Bashkuara, duke siguruar 54 për qind të importeve të armëve të rajonit.

Si rezultat i ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete europiane pas krizës në Ukrainë në shkurt 2022, Ukraina u bë importuesi i tretë më i madh i armëve të mëdha gjatë vitit 2022.

Me seli në Stokholm, kërkimi i SIPRI mbulon konfliktet ndërkombëtare, armatimet, kontrollin e armëve dhe çarmatimin. (Elona)