Ekonomia kineze vazhdon rimëkëmbjen me rritjen e industrisë, shitjeve me pakicë dhe investimeve
2023-03-15 16:37:19

Foto nga VCG

Shifrat e ekonomisë kineze vazhduan të përmirësohen në dy muajt e parë të vitit 2023, treguan të mërkurën të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS).

"Rritja e ekonomisë kineze po përshpejtohet, e mbështetur nga prodhimi i fortë industrial, mëkëmbja e konsumit dhe e shërbimeve, si edhe zgjerimi i investimeve në infrastrukturë dhe manifakturë," i tha CGTN-it Pang Ming, kryeekonomisti dhe drejtori i kërkimeve në degën e firmës JLL në Kinë.

Prodhimi industrial me vlerë të shtuar i Kinës, një tregues kyç ekonomik, u rrit 2.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, treguan të dhënat e NBS-së.

Rritja ishte 1.1 pikë përqindjeje më e lartë se dhjetorin e vjetshëm dhe norma mesatare e rritjes dyvjeçare kapi vlerën 4.9 për qind.

Shitjet me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë u rritën 3.5 për qind gjatë së njëjtës periudhë, duke shënuar ngritjen e parë që nga tetori i vitit të kaluar.

Investimet në pasuritë fikse të Kinës, një matës i shpenzimeve në fusha që përfshijnë infrastrukturën, pronat, makineritë dhe pajisjet, u rritën me 5.5 për qind, 0.4 pikë përqindjeje më shumë se rritja në mbarë vitin 2022.

"Të dhënat e janarit dhe shkurtit përfaqësojnë një prirje të stabilizimit dhe rimëkëmbjes," tha zëdhënësi i NBS-së Fu Linghui në një konferencë shtypi të mërkurën. Ai vuri në dukje katër shenja pozitive, që janë rritja e kërkesës së prodhimit, punësimi dhe çmimet e konsumit të qëndrueshme dhe përmirësimi i pritshmërive të tregut.