Udheheqesi merr pjesë në dialogun mes PKK-së dhe partive politike botërore
2023-03-15 21:28:38

Foto nga CGTN

Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe president i vendit, Xi Jinping, mori pjesë të mërkurën në ceremoninë e hapjes së Takimit të Nivelit të Lartë “PKK-ja në dialog me partitë politike botërore” në Pekin dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm.

Xi Jinping-u theksoi se qëllimi përfundimtar i modernizimit është realizimi i zhvillimit të lirë dhe gjithëpërfshirës të njerëzve. Partitë politike duhet të përmbushin dëshirën e njerëzve për një jetë më të mirë, për qytetërim e përparim, dhe duhet të përpiqen të arrijnë begati materiale, qartësi politike, begati shpirtërore, qëndrueshmëri shoqërore dhe mjedis të këndshëm. Xi shtoi që modernizimi duhet t'u përgjigjet më mirë kërkesave të popullit dhe nevojave të shumë niveleve, jo vetëm duke rritur mirëqenien e bashkëkohësve, por gjithashtu edhe duke mbrojtur të drejtat dhe interesat e brezave të ardhshëm dhe duke promovuar zhvillimin e vazhdueshëm të shoqërisë njerëzore.

Xi Jinping-u tha se në botën e sotme ku e ardhmja dhe fatet e të gjitha vendeve janë të lidhura ngushtë, qytetërimet e ndryshme mund të bashkëjetojnë në mënyrë përfshirëse, dhe të komunikojnë e të mësojnë nga njëri-tjetri, gjë që do të luajë rol të pazëvendësueshëm në promovimin e procesit të modernizimit të shoqërisë njerëzore dhe lulëzimin e qytetërimeve të botës. “Këtu dëshiroj të paraqit Nismën e Qytetërimit Global,” u shpreh ai.

Ai theksoi se vendet e ndryshme duhet të shfrytëzojnë plotësisht rëndësinë e historive dhe kulturave të tyre për kohët e sotme dhe të nxitin transformimin krijues e zhvillimin inovativ të kulturave të tyre të shkëlqyera tradicionale.

Xi tha gjithashtu se vendet duhet të jenë mendjehapura dhe të respektojnë konceptet e vlerave të qytetërimeve të ndryshme.

Ai vuri në dukje se vendet e ndryshme duhet të eksplorojnë ndërtimin e një rrjeti global për dialogun dhe bashkëpunimin ndërqytetërimor, të pasurojnë përmbajtjen e shkëmbimeve dhe të zgjerojnë rrugët e bashkëpunimit për të promovuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe miqësinë ndërmjet popujve të të gjitha vendeve, dhe të promovojnë së bashku përparimin e qytetërimeve njerëzore .

Xi Jinping-u theksoi se Partia Komuniste e Kinës do të vazhdojë të përpiqet për ruajtjen e drejtësisë ndërkombëtare dhe promovimin e paqes e të qëndrueshmërisë botërore. Modernizimi i stilit kinez nuk ndjek rrugën e vjetër të grabitjes koloniale, as rrugën e shtrembër të hegjemonisë së një vendi të fuqishëm, por rrugën e drejtë të zhvillimit paqësor.

PKK-ja është e gatshme të thellojë ndërveprimin me partitë politike dhe organizatat e vendeve të tjera për të shtuar përkimin e ideve dhe interesave, theksoi Xi.

Ai bëri thirrje për shfrytëzimin e fuqisë së modelit të ri të marrëdhënieve ndërmjet partive për ndërtimin e modelit të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, për zgjerimin e partneriteteve globale dhe për forcimin e marrëdhënieve me partitë politike botërore. (Çang Çuo)